2010-09-21 17:36:38

Stamboll: përfundon Simpoziumi mbi vlerat e përbashkëta ndërmjet islamit dhe krishterimit.


Të shtunën e kaluar në Jeshilkëj, afër Stambollit u mbyll Simpoziumi i gjashtë mysliman – i krishterë mbi “Vlerat e përbashkëta dhe pikat e afrimit të mundshëm ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve.” Klima që u krijua ndërmjet pjesëmarrësve të dy feve ishte kaq intime dhe familjare saqë një nga kumtueset tha: “Do të mjaftonte të çonim jashtë atë çka përjetuam këtu në këto dy ditë, në mënyrë që dialogu ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve të kthehet në një realitet shpresëdhënës.”
Simpoziumi ishte ndërtuar mbi të gjitha, nga dëshmitë personale të kumtuesve ose të miqve të përfshirë në dialog, përvoja këto që mund të vihen re edhe në situata të tjera sepse janë të bazuara tek ndjenjat njerëzore.
Dita e dytë qe tepër interesante sepse të krishterët e myslimanët folën për Librat e tyre të Shenjtë: për Ungjillin dhe Kuranin.
“Si njëra palë, ashtu edhe tjetra, u tha në Simpozium, besojnë në një Zot që na u zbulua nëpërmjet Fjalës: myslimanët e pranojnë ardhjen (ose më mirë të themi “zbritjen”) e Fjalës në Kuran, të krishterët në vetë Jezu Krishtin, Fjala që u bë Njeri.
Pra, si tek myslimanët ashtu edhe tek të krishterët flitet për një element themelues: vullneti i Zotit për t’i shfaqur në mënyrë spontane njerëzve. Islami, është pra, “Feja e Librit”, shprehje kjo që myslimanët e përdorin për të krishterët dhe hebrenjtë, sepse të parët kanë Ungjillin, ndërsa të dytët Torahun.
Tema i rrëmbeu të pranishmit të cilët nisën një dialog të sinqertë, por të përmbajtur. Çuditëse, të paktën për disa, fotografia që fondacioni kombëtar i gazetarëve (që mori pjesë në organizimin e Simpoziumit) i bëri veprimtarisë së vet në favor të dialogut ndërfetar, filluar që më 1940, atëherë kur myslimanëve iu bë ftesë për të bërë aleancë me të krishterët për t’iu bërë ballë sulmeve të ateistëve. Dialogu u bë kryesisht me Patrikun Ortodoks, “i cili nuk shihet më si një vatër e korruptuar që përpiqet të zotërojë lindjen dhe perëndimin”, por si qendër e veprimtarisë kulturore, shkencore dhe fetare në të cilat duhet të bashkohemi për të mirën e njerëzimit.
Më shumë se njëqind pjesëmarrës në këtë Simpozium, premtuan se do të takohen përsëri vitin e ardhshëm, ndoshta në një qytet tjetër, “sepse është mirë që edhe universitetet e tjera dhe njerëzit e tjerë të dinë se çfarë po bëhet për mirëkuptimin e njerëzve që jetojnë ngjitur me njëri-tjetrin dhe pikërisht për këtë arsye duhet të njihen, të vlerësohen, të respektohen dhe sipas idealit të ëndërruar, të duhen".







All the contents on this site are copyrighted ©.