2010-09-21 15:39:15

Kryeministri i Kosovës Thaçi bisedoi me shefen e diplomacisë evropiane Eshton


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi pati mbrëmë në Nju Jork një takim me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, baroneshën Ketrin Eshton. Sipas një komunikate nga Kryeministria kosovare, në takim është biseduar për zhvillimet e fundit për Kosovën, për hapat që do të ndërmerren pas opinionit pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB së për Kosovën, veçanërisht hapat që ndërlidhen me bashkëpunimin ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për punën që duhet të bëjnë institucionet e Kosovës për përmbushjen e standardeve për integrim në Bashkim Evropian, posaçërisht lidhur me procesin e liberalizimit të vizave.
Kryeministri Thaçi theksoi se pas konfirmimit të ligjshmërisë së Pavarësisë së Kosovës nga GJND-ja dhe pas miratimit të Rezolutës nga ana e Asamblesë së Përgjithshme të OKB së, që e njeh dhe mbështetë këtë realitet politik, juridik dhe kushtetues, Kosova është duke fuqizuar gjithë angazhimet institucionale shtetërore për përmbushjen e të gjitha standardeve demokratike për integrim në institucionet euro atlantike. Në këtë vazhdë, theksoi Thaçi, Kosova do të jetë thellësisht e përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit rajonal, në interes të paqes, të stabilitetit, të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, si dhe të fqinjësisë së mirë, si parakusht për integrimin e plotë të rajonit të Evropës Juglindore në BE dhe në NATO.
Në takimin mes baroneshës Ashtone kryeministrit Hashim Thaçi është diskutuar edhe për hapat që do të ndërmerren lidhur me bashkëpunimin ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë, lidhur me tema të natyrës teknike, me interes për të dyj shtetet.
Kreu i qeverisë së Prishtinës mes tjerash pohoi:" Jemi të hapur të bisedojmë edhe me Serbinë për temat në interes të vendeve dhe qytetarëve tanë. Por, ne asnjëherë dhe në asnjë mënyrë, nuk do të diskutojmë për çështjet që kanë të bëjnë me rregullimin tonë të brendshëm shtetëror. Çështja e statusit të Kosovës është përmbyllur më 17 shkurt 2008, me shpalljen e Kosovës, shtet i pavarur dhe sovran, në bazë të Propozimit Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari”. Ky realitet është konfirmuar edhe me opinionin e GJND së dhe me Rezolutën e OKB së" sipas Thaçit.
Në takimin me Përfaqësuesen e Lartë të BE së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, është diskutuar edhe për hapat që kanë ndërmarrë dhe do të ndërmerren nga institucionet e Kosovës për përmbushjen e të gjitha kritereve për integrim në Bashkimin Evropian. Kryeministri Hashim Thaçi në këtë aspekt theksoi se qeveria e Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për pranimin e Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, si dhe në vazhdimësi do të shtojë angazhimet për plotësimin edhe të kritereve tjera që kanë të bëjnë me përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të Kosovës.
Nga ana e saj, Përfaqësuesja e Lartë të BE së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Ketrin Eshton, vlerësoi punën e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të qeverisë që ai drejton, për fuqizimin e bashkëpunimit rajonal në shërbim të përmbushjes së kritereve nga ana e Vendeve të rajonit të Evropës Juglindore për integrim në BE. Baronesha Eshton me këtë rast inkurajoi bisedimet ndërmjet qeverisë së Kosovës e qeverisë së Serbisë. “Ky rast i komunikimit është në interes të të gjithëve dhe i hap perspektivën e zhvillimit rajonit” u shpreh baronesha Eshton në takim.







All the contents on this site are copyrighted ©.