Sot më 20 shtator, kalendari kishtar përkujton Shën Andreun Kim Taegon me shokë, martirë
koreanë.
Kisha koreane ka një karakteristikë ndoshta të pashembullt: u themelua dhe u mbajt
gjallë nga laikët. Feja e krishterë u duk në Kore në fillim të viteve 1600 përmes
një delegacioni që çdo vit vizitonte Pekinin në Kinë, për shkëmbime kulturore me këtë
komb, i cili vlerësohej shumë në të gjithë Lindjen e largët. Në Kinë koreanët
u njohën me fenë e krishterë. Prej andej sollën në atdhe librin “Doktrina e vërtetë
e Zotit”, shkruar nga jezuiti Atë Mateo Riçi. E një laik, Li Bieok, mendimtar i madh,
duke u frymëzuar nga libri i misionarit të famshëm jezuit, themeloi të parën bashkësi
të krishterë në Kore. Më pas pjesëmarrësit në delegacionet e përvitshme në Kinë, sollën
në Kore jo vetëm gjithë literaturën e nevojshme për bashkësinë katolike, por edhe
meshtarin e parë, don Çu-Mun–Mo, ardhja e të cilit bëri që bashkësisë t’i shtoheshin
me mijëra besimtarë. Për fat të keq edhe në Kore që në vitin 1785 shpërtheu persekutimi,
gjatë të cilit u martirizuan 10 mijë vetë, nga të cilët janë shpallur të lum 103 në
dy grupe: grupi i parë më 1925, i dyti më 1968. Pastaj të gjithë u shpallën shenjtorë
në Seul të Koresë nga Papa Gjon Pali II më 6 maj 1984, me rastin e kremtimeve të dyqindvjetorit
të ungjillëzimit të Vendit aziatik. Prej tyre, vetëm 10: 3 ipeshkvij e 7 meshtarë,
ishin të huaj; të tjerët - të gjithë koreanë, katekistë e besimtarë laikë. Ndër ta
edhe Shën Andreu Kim Taegon. Andreu Kim Taegon lindi më 1821 në gjirin e një familjeje
të krishterë koreane. I jati, për të shpëtuar nga persekutimi, la Seulin dhe së bashku
me gruan, fëmijët, nënën e vëllezërit, të gjithë të krishterë, u fsheh në një zonë
të humbur ndërmjet maleve. Me të edhe Andreu. Megjithatë djaloshi nuk mundi të shpëtonte
nga burgu. U kap dhe u flak në qeli, ku iu nënshtrua torturave më mizore me qëllim
që të mohonte Krishtin. Po ai qëndroi deri në frymën e fundit, derisa i prenë kokën.
Ishte data 16 shtator e vitit 1846. Kështu Kisha koreane merrte pagëzimin e gjakut!