2010-09-19 08:37:19

Rubrika kushtuar shëmbëlltyrave: “Në pritje të Gjyqit të Mbramë”


Në emisionin e 13-të të rubrikës ‘Shëmbëlltyrat’, do të ndalemi tek ato shëmbëlltyra që i kushtohen pritjes së Gjyqit të Mbramë. Kjo pritje është e pranishme në shumë shëmbëlltyra, por si temë kryesore është vetëm në tri prej tyre:
E para, (Mt 13,24-30,36-43) është rrëfimi mbi farën e mirë e egjrën. Na tregon Jezusi: “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me njeriun, që mbolli farë të mirë në arë të vet... Por kur ra nata e njerëzit flinin, erdh armiku, mbolli egjër nëpër grurë e shkoi...”. E vetëm kur u rritën të mbjellat e lidhën frytin, atëherë u duk edhe egjra... E shërbëtorët deshën ta mbledhin, por Zotëria, duke pasur frikë se njëherësh me egjrën, do të mbledhnin edhe grurin, i la të rriten bashkë, deri në kohën e korrjes. Atëherë i urdhëroi shërbëtorët ta lidhnin egjrën në duaj e ta digjnin, ndërsa grurin ta mblidhnin në hambarë”.
Armiku, shpjegon Jezusi, është i biri i të mallkuarit, i djallit; egjra, ndjekësit e tij, që Zotëria do t’i shkulë me rrënjë nga toka e të gjallëve vetëm në fund të fundit të kohëve. Deri atëherë, do të jetojnë pranë e pranë, grurë e egjër, të mirë e të këqij. Prej këndej, mësimi i madh, që përbën edhe kuptimin më të thellë të shëmbëlltyrës: bashkësia e krishterë, e themeluar nga Jezusi gjatë kohës kur ishte ende në mes të tijve, do të jetë ‘korp i përzierë’, me të mirë e të këqij, e jo bashkësi njerëzish krejt e vetëm të pastër. Bashkëjetesa e të kundërtave do të marrë fund vetëm në Gjyqin e Mbramë. E kjo, edhe për arsye se nuk është e lehtë t’i dallosh menjëherë të mirët nga të këqijtë. Prandaj do të mbeten një grup i vetëm deri në fund të fundit, kur të këqijtë do të kenë fatin e egjrës, e të mirët, atë të grurit, në hambarët e qiellit të Zotit. Asnjë nga dishepujt e Krishtit nuk mund të pretendojë se është aq i urtë, sa t’i dallojë menjëherë të mirët nga të këqijtë: do të gjykohen përfundimisht vetëm në mbarim të kohëve.
Vjen, pastaj, shëmbëlltyra e rrjetit (Mt 13, 47-50), që hidhet në det e mbledh lloj lloj peshku. Kur mbushet plot, peshkatarët e nxjerrin në breg, ulen e i ndajnë mbanësh peshqit e mirë, ndërsa të këqijtë i flakin.
Kështu Zoti na mëson se predikimi ungjillor u drejtohet të gjithëve e nuk duhet kufizuar vetëm për veshët e disave, të zgjedhurve. Derisa të vijë fundi, mbarimi i botës, kur do të dalin engjëjt e do t’i ndajnë të këqijtë prej të drejtëve dhe do t’i hedhin në furrë të ndezur, ku do të jetë vaj dhe kërcëllim dhëmbësh. Prej këndej, Kisha ka të krishterë të mirë, por edhe të këqij, deri në ditën kur të mirët do të ndahen e secili do të ndjekë fatin e vet.
Vjen pastaj shëmbëlltyra e Gjyqit të Mbramë, në të cilën Krishti na përshkruan ngjarjen më të madhërishme e më të druajtur të të gjitha ditëve që jetoi bota, qysh kur u krijua: “E kur të vijë i Biri i njeriut në lumninë e vet e me të gjithë engjëjt, do të ulet mbi fronin e vet të madhërishëm. Atëherë para tij do të mblidhen të gjithë popujt e ai do t’i ndajë njërin prej tjetrit, sikurse bariu ndan delet prej cjepve. Delet do t’i vërë në të djathtën e vet e cjeptë në të majtën... E do të kërkojë llogari për gjithçka i është bërë apo i është mohuar qoftë edhe “njërit prej vëllezërve më të vegjël” (cfr Mt 25,40.45).
Atyre që i dhanë të hajë të uriturit; të pijë, të eturit, strehim të huajit, veshje të zhveshurit; që vizituan të sëmurët e të burgosurit, vëllezërit e vegjël të Krishtit, do t’u japë Mbretërinë, bërë gati për ta që në fillim të botës. Ndërsa të tjerët do të rroposen në mundimet e përjetshme, duke u dënuar me zjarr të amshuar, sepse nuk patën sy për ta parë Krishtin në fytyrën e të vegjëlve e nuk bënë asgjë për t’i ndihmuar të fundmit, vëllezërit e motrat më të dashura të Jezusit.
Shëmbëlltyra e Gjyqit të Mbramë të kujton menjëherë se historia e njerëzimit është lëvizje e ngjitje, tension i vijueshëm drejt përsosurisë, drejt lumturisë së fundme, drejt horizontit, që e tejkalon të tashmen, ndërsa e përshkon. Por është edhe thirrje profetike kundër së keqes, kundër çdo lloj forme të padrejtësisë. I ofron vizionit tonë Alfën e Omegën, Fillesën e Fundin e historisë e na fton të ecim me gëzim, guxim e shpresë në rrugët e jetës.







All the contents on this site are copyrighted ©.