2010-09-19 19:11:23

Benedikti XVI shpalli të lum kardinalin Njuman. Pranojeni thirrjen e tij për një laikat inteligjent e jo arrogant, tha Papa.


Benedikti XVI kremtoi paradite Meshën e Lumnimit të kardinalit Xhon Henri Njuman, çast kulmor i udhëtimit apostolik në Mbretërinë e Bashkuar, që përfundoi sot. Para dhjetra mijëra besimtarësh, të mbledhur në Kofton Park të Birmingamit, Papa përsëriti thirrjen, që dikur e pati bërë vetë i Lumi i ri, për një laikat inteligjent e jo arrogant. Ati i Shenjtë lavdëroi guximin e popullit britanik, në 70-vjetorin e “Betejës së Anglisë” kundër regjimit nazist. Gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi veçanërisht devocionin e kardinalit Njuman për Zojën. Pasdite, Benedikti XVI u takua me ipeshkvijtë katolikë të Anglisë, Uellsit dhe Skocisë, për t’u larguar nga aeroporti i Birmingamit e për të ardhur në aeroportin e Çiampinos, pranë Romës, nga ku shkon në rezidencën verore të Kastel Gandolfos.RealAudioMP3

“We declare that the venerable Servant of God John Henry, cardinal Newman…”
Para 60 mijë besimtarëve të ardhur nga Anglia dhe Irlanda në Meshën e paradites në Birmingam, Papa lexoi deklaratën e lumnimit, duke shpallur se festa e të Lumit Xhon Henri Njuman do të kremtohet më 9 tetor. Gjatë homelisë, Benedikti XVI vlerësoi predikimet, mësimet e shkrimet e kardinalit dhe theksoi:
“Motoja e kardinalit Njuman ‘Cor ad cor loquitur’ (Zemra i flet zemrës), na lejon të depërtojmë në kuptimin e jetës së tij të krishterë, si thirrje për shenjtërim, e përjetuar me dëshirën e flaktë të zemrës njerëzore për të hyrë në bashkim intim me Zemrën e Zotit. Ai na kujton se besnikëria ndaj lutjes na shndërron gradualisht në shembëllimin hyjnor”.
Benedikti XVI u ndal më pas në veprën e madhe intelektuale të të Lumit të ri, sidomos në shkrimet e tij mbi marrëdhëniet ndërmjet arsyes e fesë:
“Intuita e tij mbi marrëdhëniet ndërmjet fesë e arsyes, mbi hapësirën jetike të fesë së dëftuar në shoqërinë e qytetëruar, e mbi nevojën e një edukimi largpamës, të bazuar mbi vlera, nuk qenë me rëndësi të madhe vetëm për Anglinë viktoriane, por vazhdojnë ende sot të frymëzojnë e shndrisin shumë njerëz në mbarë botën”.
Papa lavdëroi veçanërisht këndvështrimin e kardinalit Njuman mbi edukimin në shkollat e institutet universitare, mësime që vlejnë sot më shumë se kurrë:
“Fortësisht kundër çdo përqasjeje reduktive e utilitariste, ai u përpoq të arrijë në një ambient edukativ, në të cilin formimi intelektual, disiplina morale dhe impenjimi fetar të ecnin sëbashku…E vërtet, ç’gjë më të mirë mund të na propozonte mësimi i fesë, nëse jo atë thirrje të famshme të të Lumit Njuman për një laikat inteligjent e mirë të formuar: “Dua besimtarë laikë jo arrogantë, jo të ngutshëm në fjalime, jo polemikë, por njerëz që e njohin fenë e vet, që hyjnë në të, që dinë mirë ku ta çojnë zërin, që dinë se çfarë besojnë e çfarë nuk besojnë, që e njohin besojmën personale kaq mirë, sa të japin llogari për të, që e njohin historinë aq mirë, sa të jenë në gjendje ta mbrojnë” (The Present Position of Catholics in England, IX, 390)”.
Benedikti XVI kujtoi se kardinali Njuman ishte para së gjithash meshtar i impenjuar në jetën e bashkësisë. Ai themeloi Oratoriumin në Birmingam, qëllimi kryesor i të cilit ishte vizita tek të sëmurët e të varfërit, si edhe tek të burgosurit. Papa nuk mungoi të kujtojë, në fund të homelisë, 70-vjetorin e “Betejës së Anglisë” kundër nazizmit gjerman, duke theksuar, përmes kujtimeve personale, rëndësinë e sakrificës së sa e sa qytetarëve britanikë, që dhanë jetën për ta kundërshtuar atë ideologji të së keqes.


Pas Meshës së lumnimit, Papa shkoi për një vizitë private në Oratoriumin e Shën Filip Nerit, themeluar nga Xhon Henri Njuman. Kur u kthye nga anglikanizmi në fenë katolike, në vitin 1845, i Lumi i ri zgjodhi pikërisht familjen e oratorianëve të Shën Filip Nerit.







All the contents on this site are copyrighted ©.