2010-09-19 10:34:46

Atë Lombardi: vizita e Papës në Mbretërinë e Bashkuar tejet pozitive


Në ditën e djeshme, të parafundit të vizitës apostolike të Papës në Mbretërinë e Bashkuara, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi bëri një bilanc të këtij udhëtimi papnor, duke u ndalur sidomos te homelia e Papës në Katedralen e Westminsterit.

Qe një homeli jashtëzakonisht me një shtrirje të gjerë. Një homeli kushtuar liturgjisë së Gjakut të Çmueshëm të Krishtit, së cilit i kushtohet Katedralja, nën Kryqin tejet të madh që mbizotëron anijatën qendrore, nga i cili Kryq Papa u frymëzua. Papa foli për Eukaristinë, sepse kjo është Gjaku i Krishtit e Korpi i Krishtit që na dhurohen, foli për forcën e tij që e lindë dhe përtërin Kishën, për forcën e dhënë martirëve e të gjitha dëshmive të Kishës. Pati edhe një fragment, që natyrisht është ai që pati më tepër jehon në media, shumë i fortë e shumë intensiv, lidhur pikërisht me problemin e abuzimeve seksuale ndaj të rinjve e fëmijëve nga ana e disa anëtarëve të klerit apo bashkëpunëtorëve që ishin të angazhuar në veprimtaritë e Kishës. Papa përsëriti e ripohoi atë që tashmë është qëndrimi e leximi i tij i këtyre fakteve të tmerrshme, duke folur për dhimbje, për keqardhje shumë të thellë e të sinqertë; duke folur për pjesëmarrje në dhimbjen e viktimave e dëshirën për të kontribuar në shërimin dhe pajtimin e thellë të jetës së tyre e foli natyrisht edhe për angazhimin për të ardhur deri te drejtësia, për ndëshkimin e fajtorëve, për zbatimin nga ana e Kishës të të gjitha formave të angazhimit e të bashkëpunimit të nevojshëm për të rivendosur rend, disiplinë e qetësi, por foli edhe për besimin që ka ndaj Kishës. Prandaj ishte një përmbledhje shumë e shpejt, po jashtëzakonisht efikase e shumë koncepteve që ai i ka thënë edhe më parë mbi këtë temë, por që duhet thënë sërish çdo herë për ata persona që Papa takon e në mënyrë të veçantë në shoqërinë e Mbretërisë së Bashkuar që i priste këto fjalë të Papës.

Sipas jush mund të flitet për një udhëtim vërtet ‘historik’ që u karakterizua nga momente të një intensiteti të jashtëzakonshëm që pasonin një pas një, pra kjo është vërtetë një vizitë e paharrueshme...

Tashmë kemi kaluar gjysmën e udhëtimit: janë mbajtur shumë ngjarje me rëndësi tejet të madhe. Besoj që në mënyrë të posaçme, përsa i përket marrëdhënies me shoqërinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe me Kishën anglikane, pasditen e pardjeshme ka qenë diçka e veçantë dhe e paharrueshme. Fjalimi i Papës në Westminster Hall është pa dyshim një fakt që do të mbetët në analet e marrëdhënieve ndërmjet Kishës katolike e Mbretërisë së Bashkuar dhe shoqërisë së saj. Me siguri edhe momentet e lutjes së bashkësisë katolike bashkë me Papën kanë qenë të hareshme, si momenti i mbrëmjes së enjtes në Glasgou, e si ai i mëngjesit në Katedralen e Londrës. Këto momente plotësohen e kulminojnë me takimet e fesë e të kremtimeve me mbrëmjen e lutjes të shtunën vonë dhe me beatifikimin e kardinalit Njuman në Birmingem. Duhet theksuar edhe momentet jashtëzakonisht të bukura me të rinjtë, siç ishte ai para Katedrales pas Meshe që u mbajt dje paradite, një takim posaçërisht i hareshëm me rini, që u përsërit pastaj edhe në shkollë. Të rinjtë i kanë kuptuar mirë mesazhet shumë të thjeshta, por edhe shumë të forta të Papës: “Jini të shenjtë e jetoni dashurinë, duke u nisur nga dashuria e Krishtit!”.
 
Së fundi shohim gëzimin e Papës, me një përzemërsi të madhe ai i përgjigjet pritjes së ngrohtë e cila ndoshta shkon përtej parashikimeve, e vërehet tek njerëzit vërtet një gëzim i madh...

Po. Papa nuk mund të mos jetë i kënaqur për pritjen e, të themi, për suksesin e këtij udhëtimi nga pikëpamja e jashtme e kësaj vizite, po para së gjithash kjo vizitë është e do të thotë dëgjim i brendshëm, një gatishmëri për të pritur e pranuar si person e për mesazhin që ai sjell. Kjo është ajo që Papa dëshiron, do të thotë - siç tha vet ai qysh në avion gjatë fluturimit - të jesh “transparencë e Krishtit” - “nëpërdukje e Krishtit”, çka do të thotë të sjellësh një mesazh pozitiv që është ai që vjen nga Ungjilli i Jezusit. Kjo është duke ndodhur me këtë vizitë papnore, e do të thosha shumë mirë e edhe përtej pritjeve për sa i përket gëzimit në dëgjimin e asaj që thotë Papa. Kemi pastaj edhe disa manifestime kundërshtimi, disa manifestime që ishin parashikuar prej kohe e që janë shumë më të kufizuara se sa ndoshta edhe besohej. Momenti i arrestimit të pardjeshëm - sipas meje - ishte i natyrës parandaluese, pa ndonjë motiv të veçantë shqetësimi, që nuk e ka ndryshuar absolutisht as pak, as zhvillimin, as frymën e atmosferës së zhvillimit të këtij udhëtimi nga ana e Papës e nga ana e të gjithëve bashkëpunëtorëve të tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.