2010-09-18 18:38:36

“Të moshuarit janë bekim për shoqërinë”: kështu Ati i Shenjtë gjatë vizitës në Rezidencën e Shën Pjetrit në Londër


(18.09.2010 RV)Pasditen e sotme, Papa bëri një vizitë, me karakter zyrtar, por edhe shumë personal e miqësor në Rezidencën e Shën Pjetrit, ku Motrat e Vogla të të Varfërve kujdesen për 76 të moshuar, ndër të cilët edhe 9 meshtarë e rregulltarë. Benedikti XVI i dhuroi qendrës një mozaik, që pasqyron figurën e Shën Pjetrit, frymëzuar nga një pikturë e Shkollës së Rafaelit:RealAudioMP3
“Erdha mes jush – u tha Papa bashkësisë së të moshuarve e të murgeshave – jo vetëm si Atë, por sidomos si vëlla, që i njeh mirë gëzimet e sfidat e moshës. Vitet tona të shumta na japim mundësi t’i vlerësojmë bukuritë e dhuratave të mëdha, që na ka bërë Zoti… Ndërsa rritet mosha, aftësitë fizike zvogëlohen; megjithatë, kjo periudhë mund të jetë shpirtërisht më e frytshmja e jetës. Këto vite janë edhe mundësi për t’i kujtuar në lutje të gjithë ata që kemi dashur në këtë jetë e për ta lënë gjithçka kemi qenë e kemi bërë para hirit e dhembshurisë së Zotit”.
Benedikti XVI vërejti se me përparimin e mjekësisë e me zgjatjen e jetës është e rëndësishme që shoqëria t’i konsiderojë të moshuarit si bekim për të. Ata sjellin përvojën dhe urtinë e brezit të tyre. Prandaj, kujdesi ndaj të moshuarve nuk duhet konsideruar si akt bujarie, por si falenderim, të cilin ua kemi borxh.
Papa kujtoi urdhërimin e katërt “Ndero nënën e babën” e në këtë kontekst, foli për punën e Kishës për dinjitetin, vlerën, shëndetin e mirëqënien e të moshuarve. E pastaj kujtoi Papën Gjon Pali II:
“Jeta është dhuratë unike, në çdo fazë, nga zënia deri në vdekjen e natyrshme dhe i takon vetëm Zotit ta japë e ta marrë. Njeriu mund të ketë shëndet të mirë në moshë të shtyrë, por pavarësisht nga kjo, të krishterët nuk duhet të kenë frikë të vuajnë bashkë me Krishtin, nëse Zoti do kështu. Parardhësi im, Papa Gjon Pali II vuajti publikisht në vitet e fundit të jetës. Ishte e qartë për të gjithë se e përjetonte këtë në bashkim me vuajtjet e Shëlbuesit tonë. Durimi dhe qetësia e tij në ditët e fundit qenë një shembull domethënës dhe mallëngjyes për të gjithë ne, që duhet të mbajmë mbi supe peshën e viteve”.
Nesër, Papa Benedikti XVI do të shkojë nga Londra në Birmingam, ku do të kryesojë Meshën e lumnimit të kardinalit Xhon Henri Njuman. Para se të largohet nga Mbretëria e Bashkuar, do të takohet me ipeshkvijtë katolikë të Anglisë, Uellsit e Skocisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.