2010-09-18 18:34:38

Papa në katedralen e Uestminsterit: dhimbje e turp për shkandullin e abuzimeve seksuale.


Dita e tretë e vizitës apostolike të Papës Benedikti XVI në Mbretërinë e Bashkuar, e para zyrtare e një pape në këtë vend. Të rëndësishme sot, fjalët e Atit të Shenjtë për priftërinjtë pedofilë, që janë pasqyruar në të gjitha mediat botërore, por sidomos Mesha në katedralen e Uestminsterit, paradite dhe mbrëmja e lutjes në Hajd Park, para lumnimit të nesërm të kardinalit Xhon Henri Njuman, një nga arsyet e udhëtimit të Papës në vendin anglosakson. Takime të tjera të ditës qenë ai me kryeministrin David Kamerun, me zv.kryeministrin Nik Kleg, me kryetaren e opozitës, Harriet Harman dhe me të moshuarit në Rezidencën e Shën Pjetrit, mbajtur nga Motrat e Vogla të të Varfërve.RealAudioMP3


Dhimbje, përvuajtëri, rinovim: këto janë ndjenjat e shprehura sot nga Papa, gjatë Meshës në katedralen e Uestminsterit në Londër, ku foli edhe për abuzimet me të miturit brenda Kishës Katolike. Benedikti XVI ia kushtoi homelinë vuajtjes njerëzore, që gjen shëlbim në vdekjen e ngjalljen e Krishtit. Më pas përshëndeti të rinjtë e dioqezave të ndryshme angleze, si edhe besimtarët e Uellsit, që nuk mundën ta takonin Papën në tokën e tyre. Në kremtim ishin të pranishëm edhe primati anglikan, Rouan Uiliams dhe ish-kryeministri britanik, Toni Bler.
Në frymën e motos së udhëtimit “Zemra i flet zemrës”, Benedikti XVI iu drejtua të gjithë atyre që vuajnë, u foli zemrave të atyre që i bashkojnë sakrificat e tyre me ato të Hyjit. Para së gjithash, Papa përmendi vuajtjet e jashtëzakonshme të shkaktuara nga abuzimi me fëmijët, sidomos nga ana e anëtarëve të Kishës:
“U shpreh sidomos dhimbjen time të thellë viktimave të pafajshme me shpresën që fuqia e hirit të Krishtit, flijimi i tij i pajtimit, t’u sjellë shërimin e plagëve të thella e paqen në jetën e tyre”.
E akoma, më pas:
“Me ju, pranoj e ndjej turpin e përuljen, që të gjithë kemi vuajtur për shkak të këtyre mëkateve…Ju ftoj t’ia ofroni Zotit me besim që ky ndëshkim të ndihmojë në shërimin e viktimave, në pastrimin e Kishës e në ripërtëritjen e detyrës së saj shekullore të formimit e të kujdesit për të rinjtë”.
“Shpreh mirënjohjen - tha Papa - për përpjekjet që janë bërë për ta përballuar këtë problem me ndërgjegje, e të gjithëve u kërkoj të tregojnë zell e kujdes të madh për viktimat dhe solidaritet ndaj meshtarëve të pastër”.
“Vuajtjet tejet të mëdha”, që priftërinjtë pedofilë u kanë shkaktuar viktimave të tyre, bëjnë pjesë në “sprovat e mundimet”, që ndeshim në jetën e Kishës e ndër to janë edhe ato “të martirëve të çdo kohe”. E këtu Papa citoi, mes të tjerash, edhe ata “vëllezër e motra në mbarë botën, që ende sot vuajnë e pësojnë diskriminime e persekutime për shkak të fesë së tyre të krishterë”.
Benedikti XVI foli gjatë homelisë, edhe për “rolin e domosdoshëm” të laikëve katolikë në “çuarjen përpara të misionit të Kishës” përmes “përpjekjeve për të shërbyer e për të qenë tharm i Ungjillit në shoqëri”. Papa kujtoi thirrjen e Koncilit të II të Vatikanit drejtuar besimtarëve laikë:
“Sa nevojë të madhe ka shoqëria bashkëkohore për këtë dëshmi të laikëve! Sa shumë nevojë kemi në Kishë e në shoqëri, për dëshmitarë të bukurisë së shenjtërimit, për dëshmitarë të shkëlqimit të së vërtetës, për dëshmitarë të gëzimit e të lirisë, që lindin nga marrëdhëniet e gjalla me Krishtin!”.
Sipas Atit të Shenjtë, “një ndër sfidat më të mëdha që sot duhet të përballojmë është si të flasim në mënyrë bindëse për urtinë e fuqinë çlirimtare të Fjalës së Zotit në një botë, që tepër shpesh e shikon Ungjillin si kufizim të lirisë njerëzore, në vend që ta shikojë si të vërtetë, që i çliron mendjet dhe shndrit përpjekjet për të jetuar në mënyrë të mençur e të mirë, si individë dhe si anëtarë të shoqërisë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.