2010-09-18 20:38:20

Mbrëmja e lutjes me Papën për kardinalin Njuman në Hajd Park. Krishti ka nevojë për njerëz, që i shërbejnë Atij, të Vërtetës e jetës.


Në mbrëmje, Benedikti XVI mori pjesë në lutjen e Hajd Parkut, për t’u përgatitur shpirtërisht për lumnimin e kardinalit Xhon Henri Njuman, që do të bëhet nesër në Birmingam. Marrin pjesë mijëra besimtarë, ndër të cilët shumë të rinj, të cilët vazhdojnë lutjen edhe pas nisjes së Atit të Shenjtë.
Pikërisht të rinjve u foli Papa, pasi përshkoi jetën e kardinalit, këtij anglezi të madh me ide të thella e largpamëse, siç e quajti edhe në meshën e paradites, i cili e kishte kuptuar se Zoti e kishte krijuar për një shërbim të veçantë. “Vetëm Jezusi – u tha Benedikti XVI të rinjve – e njeh këtë shërbim të veçantë, që ka ndërmend për ju. Mbajeni hapur zemrën për zërin e Tij: edhe tani zemra e Tij i flet zemrës suaj.
Krishti ka nevojë për familje që i kujtojnë botës dinjitetin e dashurisë njerëzore dhe bukurinë e jetës familjare. Ai ka nevojë për burra e gra, që t’ia kushtojnë jetën detyrës fisnike të edukimit, duke u kujdesur për të rinjtë e duke i formuar sipas rrugës së Ungjillit. Ka nevojë për ata që do t’ia shugurojnë jetën arritjes së bamirësisë e dashurisë së përsosur, në pastri, varfëri e bindje, duke e shërbyer në më të voglin e vëllezërve e motrave tona. Ka nevojë për dashurinë e fuqishme të rregulltarëve kundrues, të cilët mbështesin dëshminë dhe veprimtarinë e Kishës përmes lutjes së parreshtur. Dhe ka nevojë për meshtarë, për meshtarë të mirë e të shenjtë, njerëz, të gatshëm ta humbin jetën për grigjën, që u është besuar”.
Shembulli i kardinalit Njuman është ai që u ofroi Papa të rinjve, me një reflektim të gjatë mbi jetën e veprën e të Lumit të ardhshëm. Benedikti XVI vuri në dukje rrugën e kardinalit për t’u kthyer nga anglikan në katolik, pastaj pasionin e tij për të vërtetën, për ndershmërinë intelektuale, për të cilat edhe sot e kësaj dite, katolikët persekutohen, ose tregohen me gisht si njerëz të çuditshëm. Kardinali Njuman, përfundoi Ati i Shenjtë, na mëson se nuk mund të ketë ndarje ndërmjet asaj, që besojmë dhe mënyrës se si jetojmë.







All the contents on this site are copyrighted ©.