2010-09-18 20:10:37

Intervista me atë Lombardin për një bilanc të udhëtimit të Papës në Mbretërinë e Bashkuar


(18.09.2010 RV)Për një bilanc të udhëtimit të Papës deri më sot, i ofruam mikrofonin drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, i cili fillimisht ndalet në homelinë e Meshës së sotme të Benediktit XVI në katedralen e Uestminsterit:
Ishte një homeli jashtëzakonisht e gjerë. Një homeli kushtuar liturgjisë së Gjakut të Çmuar të Krishtit, së cilës i është kushtuar katedralja, nën këtë Kryq shumë të madh që mbizotëron navatën e nga i cili është frymëzuar Papa. Ati i Shenjtë foli për Eukaristinë, pasi ajo është Gjaku i Krishtit e Korpi i Krishtit që na dhurohet; foli për forcën e Eukaristisë në përtëritjen e Kishës, në dhënien e forcës për martirët e për të gjitha dëshmitë e Kishës. Natrisht, ajo që pati jehonë më të madhe në media, ishte pasazhi i fortë e intensiv mbi problemin e abuzimeve seksuale ndaj të rinjve nga ana e anëtarëve të klerit, ose të bashkëpunëtorëve në veprimtaritë e Kishës. Papa përsëriti dhe theksoi qëndrimin e tij, reflektimin e tij mbi këto fakte të tmerrshme, duke folur për dhimbje të thellë; duke folur për pjesëmarrje në dhimbjen e viktimave e për dëshirën për të kontribuar në paqtimin e jetës së tyre. Natyrisht, foli edhe për impenjimin para drejtësisë, për dënimin e fajtorëve, për zbatimin nga ana e Kishës e të gjitha formave, që mund të sjellin rregull e qetësi, por edhe për besim te Kisha.
Për këtë udhëtim është përdorur shpesh fjala “historik”, me të cilën ndoshta edhe abuzohet pak, por vërtet vizita në Mbretërinë e Bashkuar na ka dhënë çaste shumë intensive, që ndjekin njëra-tjetrën…
Tashmë jemi në një pikë, që shënon më shumë se gjysmën e udhëtimit. Shumë gjëra kanë ndodhur. Përsa i përket marrëdhënieve me shoqërinë e Mbretërisë së Bashkuar e me Kishën anglikane, pasditja e djeshme është vërtet për t’u kujtuar. Fjalimi i Papës në Uestminster Holl do të mbetet pa dyshim në analet e marrëdhënieve ndërmjet Kishës Katolike dhe Mbretërisë së Bashkuar. Sigurisht, edhe çastet e lutjes me bashkësinë katolike ishin festive në mbrëmjen e Glasgout dhe sot paradite në katedralen e Londrës. Momente të bukura edhe me të rinjtë, të cilët e kuptuan shumë mirë Papën dhe mesazhin e tij të thjeshtë: “Bëhuni shenjt e jetojeni dashurinë, duke filluar nga dashuria e Krishtit!”







All the contents on this site are copyrighted ©.