2010-09-18 12:52:15

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 25-të gjatë vitit “C”


Ja përsëri në takimin javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj rradhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 25-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.
Tema kryesore e leximeve biblike të kësaj së diele është: përdorimi i të mirave materiale dhe pasurive, përdorimi i parave e të mirave tjera tokësore e të përkohshme. Kështu kësaj radhe përmes Fjalës së Tij Hyjnore, Zoti na thërret e këshillon të pasurohemi para Tij me vepra të mira, me vepra bamirësie, me vepra dashurie e paqeje, për të mbledhur e siguruar kështu thesare për në qiell. Zgjedhja e preferuimi i të varfërëve dhe dënimi i pasurisë egoiste e të tepruar, nga ana e Jezusit, na tregon synimin e tij për rivendosjen e drejtësisë e të vëllazërimit mes njerëzve, ashtu siç parashikonte plani i parë i krijimit.
Toka, që Zoti i ka dhuruar njerëzve për të qenë një vend në të cilin duhet jetuar e zbatuar solidariteti, vëllazërimi, mjerisht është shndërruar nga njerëzit , në një vend pretendimi e luftimi, pasurimi e sundimi. Pasuria është bërë rast i ndarjeve e trysnive mes njerëzve e popujve.
Në Ungjillin e kësaj së diele, Jezusi na tregon se cila duhet të jetë marrëdhënia jonë e drejtë me pasuritë – të cilat duhet të jenë gjithmonë një instrument që ndihmon realizimin e tsë mirës së përbashkët për të gjithë njerëzit, e ndërtimin e marrëdhënieve me të tjerët dhe me vet Zotin. Secili prej nesh ka marr prej Zotit një dhuratë, një cilësi që na bënë të aftë të jetojmë si bijtë të vërtetë të Hyjit e si vëllezër njëri me tjetrin.
Dikur në lashtësi, njerëzit ndaheshin në të lirë e në skllevër. Sot preferojmë ti ndajmë në të pasur e të varfër. Ndërsa Ungjilli i Krishti – shumë më thjesht – i ndanë në të mirë e të këqij.
Po për më tepër mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele, mund të dëgjoni këtu….............RealAudioMP3
Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Am 8, 4-7

Shpesh besimtari mendon të ruajë ndërgjegjjen e mirë me praktika të jashtme: të respektojë të shtunën, të vërë në praktikë normat fetare dhe formale.
Por nëse besimtari nuk ka edhe një bamirësi të sinqertë drejt vëllezërve që realizohet me veprime konkrete dhe jo vetëm me mendime të mira, rrezikon të bjerë në gjykimin shumë të ashpër të Hyjit kundër hipokrizisë.

Lexim prej Librit të Amosit profet

Dëgjoni këtë ju, që e shtypni skamnorin, që shfrytëzoni nevojtarët e vendit, ju që thoni: ‘Kur po kalon më hëna e re, të mund t’i shesim mallrat? Edhe e shtuna e të mund të shesim grurë? Të zvogëlojmë masën e të shtojmë siklin, të përdorim peshore të rrejshme, për t’i blerë skamnorët me para, të vobektin me një palë këpucë, t’i shesim edhe të hedhat e grurit?’
Zoti përbetohet me nderin e Jakobit: “Askurrë s’do t’i harroj veprat e tyre!”
Fjala e Zotit.

Psalmi 113

Shikimi i Zotit është mbi skamnorin
----- ----- -----
Lavdërojeni, shërbëtorët e Zotit,
lavdërojeni Emrin e Zotit!
Qoftë bekuar Emri i Zotit
qysh tash e deri në amshim.
----- ----- -----
I madhërueshëm është Zoti
mbi të gjithë popujt,
lavdia e tij i tejkalon qiejt.
Kush është si Zoti, Hyji ynë,
që fronin e ka në lartësi,
e nga lart vrojton qiellin e tokën?
----- ----- -----
Nga pluhuri e ngreh skamnorin,
nga llomi e lartëson të vobektin,
për ta vënë të rrijë me princa,
me princat e popullit të vet.
----- ----- -----

Leximi i dytë 1 Tim 2, 1-8

Të gjithë të krishterët nëpërmjet pagëzimit janë meshtarë, të dërguar nga Hyji afër njerëzve, përfaqësues të njerëzve pranë Hyjit. Çdo të dielë kur të krishterët kremtojnë Eukaristinë kryejnë këtë detyrë në lutjen e besimtarëve, duke i paraqitur Hyjit gëzimet, shpresat, vuajtjet dhe ankthet e të gjithë njerëzve.
Pas Eukaristisë dërgohen në botë për të kryer veprat e Hyjit në favor të njerëzve.

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut

Fort i dashur, po të porosis më së pari le të bëhen kërkesa, lutje, urata, falënderje për të gjithë njerëzit, për mbretër dhe për të gjithë ata që janë në pushtet, që ta kalojmë jetën të qetë e të paqët në përkushti të plotë dhe në mënyrë të denjë. Kjo gjë është e mirë dhe e pëlqyeshme para Hyjit, Shëlbuesit tonë, vullneti i të cilit është që të shëlbohen të gjithë njerëzit dhe t’ia arrijnë njohjes së vërtetës. Sepse Hyji është një i vetëm, një i vetëm është edhe Ndërmjetësi midis Hyjit e njerëzve: Njeriu Jezu Krishti, i cili e flijoi vetveten si shpërblim për të gjithë njerëzit.
Këtë dëshmi Ai e dha në kohën e caktuar. Kësaj dëshmie unë iu bëra predikatar dhe apostull: ju them të vërtetën, nuk rrej; mësues i fesë dhe i së vërtetës për paganët.
Dua, pra, që burrat në çdo vend të luten duke i lartësuar duart e pastra pa hidhërim dhe pa grindje.
Fjala e Zotit.


ALELUJA, aleluja.
Jezu Krishti, duke qenë i pasur, u bë për ne i varfër, që ne të bëhemi të pasur me anë të varfërisë së tij.
Aleluja.

Ì Ungjilli Lk 16, 1-13

Luka na kujton se njeriu nuk është pronar i të mirave të tij, por është thjesht vetëm një administrator në shërbim të të mirave të të gjithëve, dhe duhet të japë llogari se si e ka përdorur pasurinë që i është dhënë. Jezusi shfaqet i ashpër drejt atij që nuk di të organizojë jetën dhe të ardhmen e tij. Duhet të jemi të kujdesshëm, që do të thotë të vlerësojmë kohën dhe pasuritë e jetës për të zgjidhur ato probleme të pranishme në familjen tonë dhe në shoqërinë ku jetojmë.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi u thoshte nxënësve tëvet: “Ishte një njeri i pasur, i cili kishte mbarështuesin që e paditën se ia shkapërderdhte pasurinë. E thirri dhe i tha: ‘Ç’po dëgjoj kështu për ty? Jep llogari për mbarështimin tënd, sepse ti s’mund të jesh më mbarështues.’
Atëherë mbarështuesi tha në vetvete: ‘Çka të bëj mbasi zotëria po ma heq mbarështimin? Të mih ....? Nuk mund! Të dal e të lyp ....? Më vjen turp! E di ç’do të bëj që njerëzit të më pranojnë në shtëpitë e veta kur të qitem prej mbarështimit.’
Atëherë thirri një nga një detyrësit e zotërisë së vet. E pyeti të parin: ‘Sa i ke detyrë zotërisë tim?’ Ai i përgjigji: ‘Një qind masë vaj.’ Mbarështuesi i tha: ‘Merre letrën tënde, ulu me të shpejtë e shkruaj pesëdhjetë!’ Pastaj e pyeti të dytin: ‘Po ti, sa ke detyrë?’ Ai i tha: ‘Një qind kora grurë.’ I tha mbarështuesi: ‘Merre letrën tënde e shkruaj tetëdhjetë!’
E zotëria e lëvdoi mbarështuesin e padrejtë që punoi aq me shkathtësi. Dhe njëmend, bijtë e kësaj bote janë më të kujtueshëm në marrëdhënie të shoqishoqme se bijtë e dritës. Ndërsa unë po ju them: fitoni për veta miq me anë të pasurisë së rrejshme të kësaj bote që, kur kjo t’ju mungojë, t’ju pranojnë në banesat e amshuara.
Kush është besnik në sende të vogla, është besnik edhe në sende të mëdha; e kush nuk është besnik në sende të vogla, ai nuk është besnik as në sende të mëdha. Po qe se nuk u dëftuat besnikë në pasurinë e rrejshme, kush do t’jua besojë pasurinë e vërtetë? Po qe se nuk u dëftuat të besueshëm në gjënë e huaj, kush do t’jua japë tuajën?
Asnjë shërbëtor nuk mund t’u shërbejë nëkohësisht dy zotërinjve: Sepse, ose do ta urrejë njërin e tjetrin do ta duajë, ose pas njërit do të shkojë e tjetrin do ta përbuzë. Nuk mund t’i shërbeni Hyjit dhe pasurisë.” Fjala e Zotit!
Homelia e kësaj së diele nga fraçenskani Atë Anton Ndua ofm nga Gjakova.......RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.