2010-09-17 18:56:09

Westminster Abbey


Abacia e Uestminsterit, emri i plotë i së cilës është “Kisha Kolegjiale e Shën Pjetrit në Uestminster”, është sot anglikane, seli tradicionale e kurorëzimeve dhe e varrosjes së monarkëve britanikë, që nga viti 1066. Ka gjasa të jetë ndërtuar në shekullin VIII si kishë e Shën Pjetrit. Në vitin 960 kthehet në kuvend benedektin. Falë donacioneve të mbretit Edgar e sidomos të mbretit Eduardi II Rrëfyestari (i varrosur në kishë dhe i shpallur shenjt në vitin 1161), abacia zgjerohet dhe lulëzon deri në vitin 1534, kur Akti i Supremacisë i Henrikut VIII sanksionon ndarjen e Kishës angleze nga ajo katolike. Si rrjedhim, kuvendet katolike shkrihen dhe pronat e tyre konfiskohen. Abacia bëhet katedrale anglikane e dioqezës së Uestminsterit, pastaj katedralja e dytë e dioqezës së Londrës, por edhe sot mbetet nën juridiksionin e drejtpërdrejtë të sovranëve britanikë.
Abacia (156x34 m; tavani 34 m i lartë) ka një navatë qendrore gotike, që është më e gjata në Britaninë e Madhe. Në navatën e djathtë një pllakë mbi dysheme për nder të themeluesit të skautizmit, Robert Baden-Pauell, i cili vdiq në vitin 1941. Gjatë navatës qendrore, sapo hyn në Abaci, gjendet varri i Ushtarit të Panjohur dhe një pllakë që kujton Sër Uinston Çurçill. Brenda kishës ndodhen varret e shumë personazheve historike, ndër të cilët disa shenjtorë. Në Këndin e Poetëve, varret ose pllakat përkujtimore të Shekspirit, Dikensit, Kiplingut etj.. Pas elterit kryesor, mbi të cilin duket madhështor një mozaik me Darkën e Mbrame, gjenden Kapelat mbretërore. Kryesorja i kushtohet Henrikut VII dhe ka tre navata. Brenda kishës ruhet froni i mbretit Eduard, ku ulen sovranët gjatë kurorëzimit, akt që bëhet këtu, që nga Krishtlindja e vitit 1066, datë e kurorëzimit të Guljelmit Konkuistator. Në Abaci gjenden edhe dy shkolla, ajo e Uestminsterit, themeluar nga benedektinët në vitin 1179 dhe shkolla e Korit të Abacisë së Uestminsterit.







All the contents on this site are copyrighted ©.