2010-09-17 15:47:02

Thirrja për takim me liderët e feve të tjera: të punojmë sëbashku për të mirën e njerëzimit, theksoi Papa.


(17.09.2010 RV)Paraditja e Benediktit XVI në Londër përfundoi me takimin me përfaqësuesit fetarë e laikë të feve të tjera, gjithnjë në Kolegjin e Universitetit të Shën Marisë. Papa u prit nga Kryerabini i Kongregatës së Bashkuar të Hebrenjve të Komonuelthit, lordi Saks i Aldgejtit dhe nga drejtori i Shkollës Princore të Arteve Tradicionale, myslimani Khaled Azzam, të cilët e përshëndetën Atin e Shenjtë në emër të të pranishmëve.RealAudioMP3
Në fjalimin e tij, Benedikti XVI theksoi se dialogu ndërfetar bëhet mbi bazën e reciprocitetit dhe të respektit:
“Që dialogu ndërfetar të jetë i frytshëm, është i nevojshëm reciprociteti nga ana e të gjithë pjesëmarrësve në dialog e nga ana e ndjekësve të feve të tjera”.
Papa iu referua posaçërisht gjendjes në disa vende të botës, ku bashkëpunimi dhe dialogu ndërmjet feve kërkon respektin e ndërsjelltë, lirinë e praktikimit të fesë së secilit, lirinë e kryerjes së akteve të kultit në publik si edhe lirinë për të ndjekur ndërgjegjen personale, pa vuajtur nga pengesat e persekutimet kur kthehesh nga një fe tek tjetra:
“Sapo të vendosen ky respekt e kjo mënyrë sjelljeje, njerëzit e të gjitha feve do të punojnë sëbashku me efikasitet për paqen e mirëkuptimin e ndërsjelltë, duke ofruar kështu dëshmi bindëse për fenë para botës”.
Për Papën, ky lloj dialogu duhet bërë në nivele të ndryshme e nuk duhet të kufizohet në diskutime formale. Në fakt, theksoi Jozef Racinger:
“…dialogu i jetës do të thotë thjesht të jetojmë krah për krah dhe të mësojmë nga njëri-tjetri, në mënyrë që të rritet mirëkuptimi dhe respekti i ndërsjelltë. Dialogu në veprim na afron me forma konkrete bashkëpunimi, ndërsa u japim institucioneve tona fetare detyrën për të promovuar zhvillimin njerëzot të gjithanshëm, duke punuar për paqen, drejtësinë dhe mbrojtjen e gjithësisë”.
Ky lloj dialogu, përfundoi Benedikti XVI, duke pranuar se takimi miqësor me besimtarët e feve të tjera është tashmë karakteristik për Britaninë e Madhe, mund të përfshijë punën kërkimore për të parë së bashku si ta mbrojmë jetën në çdo fazë të saj e si ta integrojmë më mirë fenë në jetën e shoqërisë.
Papa i bëri urime të përzemërta bashkësisë hebraike të britanisë së Madhe e të botës për festën e Jom Kipurit, përzemërsi, që kryerabini i pranishëm, ia ktheu me vlerësim e falenderim të madh.








All the contents on this site are copyrighted ©.