Sot me 17 shtator Kisha përkujton Shën Robert Belarminin, ipeshkëv e doktor i Kishës
Emri i Shën Robert Belarminit lidhet ngushtë sa me historinë e Kishës katolike ndër
shqiptarë, aq edhe me atë të letërsisë shqipe. Vepra e parë e imzot Pjetër Budit,
Dottrina Christiana ose Doktrina e Kërshtenë, një nga veprat e para të shqipes së
shkruar, është përkthim i katekizmit të Shenjtit Jezuit Robert Belarminit. U botua
në Romë më 1618. Një kopje origjinale e librit ruhet në Bibliotekën e Vatikanit (R.I.
VI. 449). Kryefaqja e titullit përmban këto të dhëna: "Dottrina Christiana. Composta
per ordine della fel.me. Di Papa Clemente VIII. Dal. R. P. Roberto Bellarmino Sacerdote
della Compagnia di Giesv. Adesso Cardinale di SantaChiesa del Titolo di S. Maria in
Via. Tradotta in lingua albanese. Dal Rever. Don Pietro Bvdi da Pietra Biancha. In
Roma, Per Bartolomeo Zannetti. 1618. Con Licenza de' Superiori". (Doktrina e Krishterë,
e hartuar për nder të kujtimit të të ndriturit, Papës Klementi VIII, nga Robert Belarmini,
rregulltar i Shoqërisë së Jezusit, tani kardinal i Kishës së Shenjtë Santa Maria in
Via. Përkthyer në gjuhën shqipe nga i nderuari Dom Pjetër Budi, nga Guri i Bardhë.
Në Romë, nga Bartolomeu Zaneti 1618. Me lejen e të parëve). Në fund të faqes shënohet
me shkrim dore: "Autor dono dedit Bibliothecae Vaticanae. 29 Januari 1622" (Autori
ia dha [këtë kopje] si dhuratë Bibliotekës së Vatikanit. 29 Janar 1622). Po të
ndalemi tek figura e jashtëzakonshme e Shën Roberto Belarminit (1542-1621). Ai lindi
në Montepulçano, në vitin 1542, në një familje të pasur, në vitin 1560 hyri në Shoqërinë
e Jezuitëve. Studioi në Padovë, në Luvën e në Kolegjin Romak, në Romë. Megjithëse
në të ri vuante nga një dhimbje e fortë e kokës, duke qenë i pajisur me një zgjuarsi
të jashtëzakonshme, arriti ta përgatiste e ta mbronte tezën e doktoratit për tri ditë.
Më 1576 ishte titullar i katedrës së apologjetikës, apo mbrojtjes së ortodoksisë katolike,
pranë Universitetit Gregorian, i cili asokohe quhej ‘Kolegji Romak’, ku përgatiti
një aradhe nxënësish të shquar, ndërmjet të cilëve edhe Shën Luigj Gonzaga. U krijua
kardinal e ipeshkëv i Kapuas në vitin 1599. Shumë shpejt u bë i njohur si njëri nga
teologët më në zë të kohës. Pati ndikim të madh me doktrinën e tij, me shembullin
e me thjeshtësinë e jetës, duke fituar admirimin e të gjithëve. Shkroi shumë vepra
ekzegjetike, baritore e asketike. Themelore për apologjetikën janë librat e tij me
titull ‘De controversiis”. Doktrina e Krishterë e Belarmimit, botuar së pari më 1597
e përkthyer në shumë gjuhë, u rekomandua posaçërisht nga Kundërreforma, për përdorim
misionar. Mori pjesë, në procesin inkuizitor të Galileos e të Xhordanos. E famshme
vepra e tij “ Arti i vdekjes së mirë”. Shën Robert Belarmini vdiq në Romë më 17
shtator 1621. Në vitin 1930, tre shekuj pas vdekjes, Papa Piu XI e shpalli njëkohësisht
të Lum, Shenjt e Doktor të Kishës. Në veprat e Jezuitit Shenjt, studiuesit vijojnë
të zbulojnë një humanizëm të thellë.