2010-09-17 19:55:16

Papa në Mbrëmësoret ekumenike: të dëshmojmë së bashku shpresën në shoqërinë indiferente ndaj fesë


(17.09.2010 RV)Dita e sotme e vizitës së Papës Benedikti XVI në Mbretërinë e Bashkuar përfundoi me Lutjet Mbrëmësore në Abacinë e Uestminsterit, në praninë e përfaqësuesve të Kishës Anglikane, sëbashku me kryeipeshkvijtë e Kanterbërit dhe të Uestminsterit. Sëbashku, ata nderuan varrin e Ushtarit të Panjohur, kushtuar të rënëve të Luftës I Botërore, ku u tha një lutje për paqen.
Vizita e Papës në Abaci ishte në të vërtetë një shtegtim në varrin e Shën Eduard Rrëfyestarit, mbret i Anglisë, shembull dëshmie të krishterë. E pikërisht për dëshminë e përbashkët të krishterë foli Papa para anglikanëve.
“Në një shoqëri, që bëhet gjithnjë e më tepër indiferente e madje kundërshtare e mesazhit të krishterë, ne të gjithë – tha Ati i Shenjtë – jemi të thirrur edhe më shumë të japim dëshminë e gëzueshme dhe bindëse të shpresës, që bartim me vete”.
Bashkimi i vërtetë vjen nga besnikëria ndaj Fjalës së Zotit, që na udhëheq drejt kuptimit të vullnetit të Shpirtit Shenjt, të lirë nga konformizmi intelektual apo nga përshtatja mendjelhetë ndaj frymës së kohës, përfundoi Ati i Shenjtë, i cili do të qëndrojë në Londër edhe nesër, për takime të tjera të rëndësishme e për Meshën Shenjte në katedralen e Uestminsterit.








All the contents on this site are copyrighted ©.