2010-09-17 18:55:37

Në takimin e shumëpritur me shoqërinë civile, Papa thekson rolin e fesë në debatin publik për çështje të ndryshme të shoqërisë.


(17.09.2010 RV)Takimi kryesor i ditës së sotme ishte pa dyshim ai i pasdites, me shoqërinë civile, me botën akademike, kulturore dhe afariste, me Trupin Diplomatik dhe krerët fetarë në Uestminster Holl të Londrës, salla më e lashtë e Parlamentit britanik, që përmbledh gati 1000 vjet histori. Papa u prit nga dy krerët e Dhomave të Parlamentit, të cilët e përshëndetën, duke vlerësuar rolin e tij e të Kishës Katolike.RealAudioMP3
Nga ana e tij, Papa vlerësoi rolin që ka luajtur Parlamenti në zhvillimin e formave demokratike të qeverisjes në botë, posaçërisht në Komonuelth e më përgjithësisht në vendet ku flitet anglisht. Tradita e “common law”(ligjit të përbashkët) përbën bazën e sistemit ligjor në shumë kombe, ofron këndvështrim të veçantë mbi të drejtat dhe detyrat e shtetit dhe të individit, mbi ndarjen e pushteteve dhe mbetet ende sot burim frymëzimi për shumë vende në botë.
Benedikti XVI kujtoi këtu figurën madhore të shën Tomas Murit, që vlerësohet nga besimtarët e jo besimtarët për integritetin me të cilin ndiqte zërin e ndërgjegjes edhe atëherë ku nuk përkonte me vullnetin e mbretit, sepse ai kishte zgjedhur t’i shërbente para se gjithash Zotit.
Tradita parlamentare shpreh dëshirën për të arritur në një ekuilibër të drejtë ndërmjet kërkesave të ligjshme të pushtetit e të drejtave të atyre që janë nënshtetas. Në një proces të tillë historik, tha Papa:
“Britania e madhe doli në pah si demokraci pluraliste, që i jep vlerë të madhe lirive të shprehjes (fjalës), lirive të përkatësive politike e respektit ndaj shtetit të së drejtës, të drejtave e të detyrimeve të individëve, e barazisë të të gjithë qytetarëve para ligjit. Doktrina shoqërore katolike ka shumë gjëra të përbashkëta me një qëndrim të tillë, siç është shqetësimi themelor për mbrojtjen e dinjitetit të çdo njeriu si individ, që është i krijuar në shëmbëllim e përngjasim me Zotin. Kisha nënvizon detyrimet e autoriteteve civile në promovimin e së mirës së përbashkët”.
Zgjidhjet e papërshtatshme, pragmatike e afatshkurtra, të problemeve të ndërlikuara shoqërore dhe etike kanë dalë në pah qartë nga kriza e fundit financiare globale. Papa nënvizoi këtu mungesën e një themeli etik të qëndrueshëm në aktivitetet ekonomike, gjë, që ka kontribuar në krijimin e një situate të rëndë, në të cilën tani gjenden me miliona njerëz në mbarë botën. Në fushën politike, përmasa morale e politikave të zbatuara, ka ndikime e pasoja të mëdha.
Benedikti XVI nënvizoi më tej edhe rolin e arsyes në vënien e ligjeve, përfshirë këtu edhe themelin etik e rolin plotësues të fesë:
“ Roli i fesë në debatin politik nuk është aq ai i furnizimit të normave, aq më pak ai i propozimit të zgjidhjeve konkrete politike, çka është krejtësisht jashtë kompetencës së fesë - por ai i dhënies së ndihmës për pastrimin dhe shndritjen e zbatimit të arsyes në zbulimin e parimeve morale objektive”.
Bota e arsyes dhe bota e fesë - bota e shoqërisë racionale e bota e besimit fetar - kanë nevojë për njëra-tjetrën e nuk duhet të kenë frikë të hyjnë në dialog për të mirën e qytetërimit, tha Papa, i cili në vazhdim të fjalimit të tij programatik foli për tendencat, që orvaten ta përjashtojnë fenë nga jeta publike. Feja, për ligjvënësit, nuk është problem për t’u zgjidhur, por faktor që kontribuon në mënyrë jetike në debatin publik të një vendi, nënvizoi Jozef Racinger:
“Në këtë kontekst, nuk mund të mos shpreh shqetësimin tim para mënjanimit të fesë, që po shtohet gjithnjë e më tepër, posaçërisht para mënjanimit të Krishterimit, që po përhapet në disa mjedise, edhe në ato kombe, që i japin vlerë të madhe tolerancës. Ekzistojnë disa që mendojnë se zëri i fesë duhet të heshtë, ose të shumtën, të mbyllet në sferën thjesht private”.
Kemi pastaj nga ata që mendojnë se nuk duhen festuar publikisht as festa si Krishtlindja, sipas bindjes së diskutueshme se ajo mund të fyejë ata që u përkasin feve të tjera, apo asnjë feje. E ka të tjerë akoma - vazhdoi Papa - që duke synuar eliminimin e diskriminimeve, mendojnë se të krishterët që kanë poste e detyra publike, në disa raste të caktuara, duhet të veprojnë kundër ndërgjegjes personale.
Më pas, Benedikti XVI përmendi iniciativat e përbashkëta të Selisë së Shenjtë dhe të qeverisë britanike në fushën e paqes, të të drejtave të njeriut, të zhvillimit, sidomos përsa i përket shlyerjes së borxhit të jashtëm të vendeve të varfra, tregtisë së drejtë dhe financimit të zhvillimit. Ati i Shenjtë vuri në dukje shenjat e rritjes së solidaritetit me të vuajturit e kësaj bote, por - theksoi - janë të nevojshme ide të reja për përmirësimin e kushteve në fusha si: prodhimi ushqimor, pastërtia e ujit, krijimi i vendeve të punës, formimi, ndihma për familjet, sidomos për emigrantët, dhe shërbimet shëndetësore bazë. Duke ofruar bashkëpunimin e Kishës Katolike, Benedikti XVI përfundoi:
“Që ky bashkëpunim të jetë i mundur, institutet fetare, duke përfshirë edhe ato të Kishës Katolike, duhet të jenë të lira të veprojnë sipas parimeve e bindjeve të veta, bazuar mbi fenë e mbi mësimin zyrtar të Kishës. Në këtë mënyrë mund të garantohen ato të drejta themelore, si liria fetare, liria e ndërgjegjes dhe liria e krijimit të shoqërive e organizatave”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.