2010-09-16 12:58:18

Çelësi i fjalëve të Kishës: "e Vërteta"


(16.09.2010 RV)Sot Papa Benedikti XVI filloi udhëtimin e tij apostolik në Mbretërinë e Bashkuar, që do të arrijë kulmin me lumnimin e kardinalit Xhon Henri Njuman, të dielën e ardhshme. Jeta e kardinalit është domethënëse për ata që kërkojnë Zotin; ai përshkon një rrugë, që e çon nga anglikanizmi në katolicizëm, gjithnjë në kërkim të së Vërtetës absolute. Dëshirojmë sot të ndalemi pikërisht tek kjo fjalë, tek “e vërteta” dhe kuptimi, që i jep asaj Shkrimi i Shenjtë.


Shën Toma i Akuinit e quan të vërtetën si “përshtatje (apo korrespondencë) ndërmjet intelektit dhe realitetit”, duke u përpjekur kështu të vendosë bazat objektive të së vërtetës, që njeh njeriu. Por, kur në Bibël flitet për të vërtetën, horizonti është i ndryshëm, duke filluar që nga fjala hebraishte më e zakonshme për ta përkufizuar “’emet”. Në fakt, ajo ka më shumë kuptimin e “besimit” e të “besnikërisë”: pra, e vërtetë është ajo, që Zoti dëshmon me fjalën dhe autoritetin e Tij. Kjo vlen edhe për Besëlidhjen e Re, sidomos për Ungjillin e katërt, atë sipas Gjonit, që e përmend shpesh këtë fjalë.
Për shembull, në pesë premtimet e Shpirtit Shenjt, që bëhen nga Jezusi gjatë Darkës së Mbrame (Gjn 14,15-17; 14,26; 15,26-27; 16,5-11; 16,12-15), ndeshemi me shprehjen “Shpirti i së vërtetës”, ai që “do të na udhëzojë si ta njohim tërë të Vërtetën” (Gjn 16,13). Fjala greke për të vërtetën është “alétheia”, që fjalë për fjalë do të thotë “të zbulosh ç’është e fshehur”: e vërteta pra, është realiteti i zbuluar, është gjetja e thelbit më të thellë në çdo gjë. Filozofia greke vazhdoi në këtë linjë e, edhe sot, ekziston një rrymë, që i kupton si grekët deklaratat e rinisë së Jezusit.
Të marrim për shembull, frazën e famshme të shqiptuar nga Jezusi gjatë festës hebraike të Tëbanave, ku polemizon me judenjtë që e kishin besuar, por që shpejt do të ndaheshin prej Tij: “E vërteta do t’ju bëjë njerëz të lirë” (8,32). Ose, t’i referohemi fjalëve, po aq të famshme, që Jezui i thotë gruas samaritane: “Adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin në shpirt e në të vërtetë” (4,23). Tundimi për t’i lexuar këto shprehje sipas intepretimit spiritualist e intelektualist është i fortë. Por rruga e drejtë është një tjetër.
Në fakt, ungjilltari e përdor fjalën greke me kuptimin biblik, që përmendëm më sipër, i cili nuk është aspak ideologjik, por ekzistencial. Ai kuptim na shtyn të mendojmë për dashurinë e Zotit, që zbulon e dhuron vetveten, fjalën e shëlbimin e Tij: kjo është e vërteta që na mëson Shkrimi i Shenjtë, të cilën besimtari natyrisht që duhet ta njohë e ta kuptojë, por sidomos duhet ta pranojë e ta jetojë. Jo më kot, vetë fjala “njohje” në gjuhën biblike nuk është diçka thjesht intelektive, por ka të bëjë me vullnetin, me pasionin e me veprimin.
Në këtë dritë, kuptohet se pse thuhet “ta vemë në zbatim të vërtetën” (3,21), pasi e vërteta biblike është impenjim për jetën, është shprehje e pjesëmarrjes sonë në zbulimin e vullnetit hyjnor. Edhe “Shpirti i së Vërtetës”, që përmendëm më parë, është Shpirti i Shenjtë, në misionin e vet për ta bërë të njohur plotësisht fjalën e Ungjillit të Krishtit, i cili është “rruga, e vërteta dhe jeta” (14,6). Ai e ka për detyrë t’i bëjë njerëzit të kuptojnë e të jetojnë Zbulesën e Krishtit: “Ai do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën…do të marrë prej simes e do t’jua zbulojë juve” (16,13-14). Ashtu si Jezusi mori prej Atit të vërtetën e shëlbimin dhe na e përçoi neve, ashtu edhe Shpirti i Shenjtë do të vazhdojë të dikojë në histori “të Vërtetën” shpëtimprurëse të Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.