2010-09-16 15:08:54

Në fillim të udhëtimit në Mbretërinë e Bashkuar, Papa nënvizon kontributin e fesë për zhvillimin dhe paqen në botë. Politika e feja, kanë përgjegjësi të përbashkët.


Me një thirrje të fuqishme e prekëse të mos errësohen rrënjët tona të krishtera, themel i një shoqërie moderne e shumëkulturore, Benedikti XVI e nisi udhëtimin e tij apostolik në Mbretërinë e Bashkuar, i 17-të udhëtim ndërkombëtar me rastin e Beatifikimit të kardinalit John Henry Newman. Etapa e parë e udhëtimit të Papës në Mbretërinë e Bashkuar qe Edinburgu.
Papa mbërrini sot pak pas orës 10 lokale, në Edinburg, në Pallatin Holyrood House ku u mbajt ceremonia e mirëseardhjes me Mbretëreshën Elizabetën II e Dukën e Edingurbut, bashkëshortin e saj. Ndër të pranishmit, primati i Kishës anglikane kryeipeshkvi Rowan Williams e zëvendëskryeministri britanik, Nick Clegg.
Në fjalimin e tij Papa kujtoi rolin e madh që pati populli britanik në kundërshtimin e nazizmit e në ndërtimin e periudhës së paqes së qëndrueshme në Kontinentin e Vjetër. Në aeroport, Ati i Shenjtë Racinger u prit nga Duka i Edinburgut. Një gjest ky i pazakontë e me domethënie të posaçme për një vizitë shtetërore. Pas ceremonisë së mirëseardhjes, Papa shkoi në drekë në shtëpinë e kryeipeshkvit të Edinburgut, kardinalit O’ Brien. Gjatë përshkimit të rrugës në automobilin e hapur papnor, në dy anët e udhës ishte një mori besimtarësh në festë që përshëndetnin Papën gjatë kalimit.

Në etapën e parë të udhëtimit të tij në Mbretërinë e Bashkuar, Papa Benedikti XVI u prit në Edinburg nën tingujt e gajdeve tipike skoceze. Ati i Shenjtë u prit nga Mbretëresha Elizabeta II në pallatin mesjetar Holyrood House, përpara të cilit ishin mbledhur shumë besimtarë për t’i uruar mirëseardhjen. Në fjalimin e parë të këtij udhëtimi Benedikti XVI i bëri thirrje Mbretërisë së Bashkuar që të “mos lejojë të errësohen themelet e krishtera që janë në bazë të lirive të veta”, duke uruar që kjo trashëgimi, “që i ka shërbyer gjithmonë mirë kombit” të mund “të formojë e karakterizojë vazhdimisht shembullin e qeverisë dhe të popullit të vet.”

Papa Racinger pastaj, mori shkas nga emri i Pallatit mbretëror të Holyrood House, që evokon Kryqin e Shenjtë, për të nënvizuar se si feja e krishterë ka qenë gjithmonë “një forcë e së mirës” në historinë e Mbretërisë së Bashkuar. Papa e drejtoi vështrimin e tij pastaj nga rrënjët e krishtera të kësaj toke, duke kujtuar sesi mbretërit e Anglisë dhe të Skocisë ishin të krishterë që në fillim:

“As a result the Christian message has been...”
“Kështu që mesazhi i krishterë u bë pjesë e pandashme e gjuhës, e mendimit dhe të kulturës” së Britanisë së Madhe për më shumë se një mijëvjeçar, - vuri në dukje Papa. Në kështu Benedikti XVI i bëri thirrje popullit britanik ta konsiderojë fenë si “një forcë të fuqishme” për të mirën e mbretërisë, në dobi të të krishterëve dhe të atyre që nuk janë të krishterë. Më tej Papa përmendi disa figura të ndritshme si David Livingstone, Florence Nightingale dhe kard. John Henry Newman që do të lumnohet të dielën, të cilët, të frymëzuar nga feja, u angazhuan për të mirën e përbashkët:

“Even in our own lifetime, we can recall how Britain...”
“Edhe në epokën tonë, vazhdoi Papa, mund të kujtojmë sesi Britania e Madhe me krerët e vet iu kundërvun tiranisë naziste që kishte si qëllim çrrënjosjen e Zotit nga shoqëria dhe ia mohonte shumëkujt humanizmin tonë të përbashkët, posaçërisht hebrenjtë që konsideroheshin si jo të denjë për të jetuar”. Po kështu Ati i Shenjtë nuk harroi të përmendë edhe barinjtë e krishterë që “iu kundërvunë nazistëve dhe e paguan me jetë kundërshtimin e tyre:

“As we reflect on the sobering lessons...”
Ndërsa reflektojmë mbi mësimet e ekstremizmit ateist të shekullit XX – vuri në dukje Ati i Shenjtë Racinger, – nuk duhet të harrojmë kurrë sesi përjashtimi i Zotit, i fesë dhe i virtytit nga jeta publike të çon, në fund të fundit, tek një vizion i cunguar i njeriut dhe i shoqërisë”, e madje “te një vizion i reduktuar i individit dhe i fatit të tij.” Papa e drejtoi pastaj vëmendjen e tij tek roli politik dhe ekonomik që Mbretëria e Bashkuar luan në nivel ndërkombëtar. 65 vjet më parë, kujtoi ai, Britania e Madhe mbështeti themelimin e Kombeve të Bashkuara duke “nisur kështu një periudhë paqeje dhe përparimi në Evropë, gjë që deri atëherë nuk njihej.” Më tutje, Papa kujtoi zgjidhjen paqësore të konfliktit në Irlandën e Veriut, me nënshkrimin e Marrëveshjeve të së Premtes së Madhe. Gjithashtu, Benedikti XVI, iu dha zemër atyre që “janë të përfshirë në procesin e paqes të vazhdojnë të ecin me guxim së bashku në rrugën e nisur drejt paqes së drejtë dhe të qëndrueshme.”

“Your Government and people are the shapers...”
“Qeveria dhe populli i juaj – pohoi Ati i Shenjtë Racinger – farkëtojnë ide që ende sot e kësaj dite kanë ndikim deri edhe përtej ishujve britanikë.” Prej këndej buron edhe nevoja që edhe ata “të veprojnë me zgjuarsi për të mirën e përbashkët.” Në të njëjtën kohë, vërejti Benedikti XVI “meqë mendimet e tyre përhapen në një auditorium kaq të gjerë, mjetet britanike të informacionit kanë përgjegjësi më të madhe se të tjerët dhe një mundësi më të madhe për të promovuar paqen ndërmjet shteteve, zhvillimin e plotë të popujve dhe përhapjen e të drejtave me të vërtetë njerëzore.”

“Today, the United Kingdom strives to be a modern...”
“Sot – përfundoi Papa – Mbretëria e Bashkuar po përpiqet të jetë një shoqëri moderne dhe shumëkulturore. “Në këtë detyrë kaq stimuluese, uroj që Mbretëria e Bashkuar ta mbajë dhe ta ruaj respektin për ato vlera tradicionale dhe për ato shprehje kulturore të cilat, format më agresive të shekullarizmit nuk i nderojnë dhe nuk i tolerojnë më.” Nga ana e saj, Mbretëresha Elizabeta II i uroi Papës mirëseardhjen, dhe i kujtoi vizitën e Papës Gjon Pali II, në 1982. Më pas vuri në dukje ndihmesën e Selisë së Shenjtë për Paqen në Irlandë të Veriut dhe impenjimin e Shtetit të Vatikanit për zhvillimin shoqëror dhe për mbrojtjen e më të varfërve. Në fund Mbretëresha nënvizoi se kjo vizitë papnore kujton rëndësinë e rrënjëve të krishtera të Mbretërisë së Bashkuar:

“Religion has always been a crucial element...”
“Feja ka qenë gjithmonë një element themelor i jetës së shoqërisë britanike.”. Mbretëresha kujtoi pastaj sesa e rëndësishme është tek kardinali Newman tema e pajtimit, dhe uroi që dialogu ndërmjet besimtarëve të jetë sa më fortë dhe të bashkuar, të refuzojnë përdorimin e emrit të Zotit si justifikim për dhunën. “Lira e kultit – përfundoi - pastaj Lartmadhëria e Saj, - është në zemër të shoqërisë tolerante dhe demokratike angleze.







All the contents on this site are copyrighted ©.