2010-09-16 15:34:13

Kryeipeshkvi i Glasgout: populli skocez është krenar të presë Papën


Vizita e Papës Benedikti XVI në Skoci përkon me festën e Shën Ninianit, ungjillëzues i Skocisë. E pikërisht sot, Ati i Shenjtë foli mbi ungjillëzimin e kulturës. I kërkuam një koment për këtë kryeipeshkvit katolik të Glasgout, imzot Mario Jozef Konti:
Ky shenjt nuk njihet shumë jashtë Britanisë së Madhe, por për ne është një figurë e rëndësishme. Në fakt, ai është ungjillëzuesi i parë i Skocisë. Nuk kemi shumë detaje për jetën e tij, por mund të themi këtë: e la këtë territor për të shkuar në Romë e për të studiuar fenë e pastaj, e solli këtu në Skoci, në një periudhë kur influenca e Perandorisë Romake ishte akoma e perceptueshme, 1600 vjet më parë. Sa bukur është, atëherë, të presim Ipeshkvin e Romës në ditën e festës së shenjtit tonë të parë! Një shenjt romak, në kuptimin që është formuar në Qytetin e Amshuar.
Në Letrën tuaj baritore për vizitën e Papës, keni përmendur se Kisha i nënshtrohet në këtë moment një provimi të vështirë. “Është e nevojshme të predikojmë Ungjillin me integritet e dashuri”, shkruani. Si u prit kjo letër nga besimtarët?
Besimtarët janë dakord me ç’kam shkruar, nuk shoh tensione të mëdha brenda Kishës Katolike në Skoci, falë Zotit! Nuk jemi të shumtë: ndoshta 800 mijë vetë në një vend me 5 milion banorë. Por, ka pasur kritika nga ambiente jashtë Kishës, nga ana e atyre, që nuk duan ta presin Papën për arsye të ndryshme.
Disa për arsye ideologjike, të tjerë duan të protestojnë kundër disa aspekteve të mësimit moral të Kishës… Por këto zëra nuk janë të shumta e shumica e popullit skocez – katolik ose jo – është krenar të presë Atin e Shenjtë. Është interesante të shihet se si kjo vizitë është e ndryshme nga ajo e Gjon Palit II, 30 vjet më parë. Atëherë zërat e protestës ngriheshin nga të krishterët e Reformës, anglikanët. Është shenjë e hapave të mëdha, që kemi bërë në fushën e ekumenizmit.







All the contents on this site are copyrighted ©.