2010-09-15 17:51:31

Nënë Tereza kremtohet në UNESCO: fjala e Vëzhguesit të Vatikanit, imzot Folos


Një jetë për dashurinë e Krishtit në të vërtetën: kjo është jeta e Nënë Terezës, sipas Vëzhguesit të përhershëm të Selisë së Shenjtë në selinë parisiane të UNESCO-s. Imzot Françesko Folo foli me rastin e kremtimit të 100-vjetorit të lindjes së të Lumes shqiptare të bamirësisë, së cilës organizata e OKB-së për edukimin i kushtoi ditën e djeshme.
Titulli i fjalës së imzot Folos flet vetë: “Nënë Tereza e Kalkutës: bamirësia përtej kufijve, si formë drejtësie, si shtyllë e shoqërisë”. Kjo është jeta e rregulltares, çmim Nobel për paqen në vitin 1979 dhe e ngritur në nderimet e eleterit në vitin 2003. Bamirësia e dashuria e Nënë Terezës, theksoi imzot Folo, përfaqëson urdhërimin më të madh shoqëror, atë formë drejtësie, që e vetmja, është e aftë të ndërtojë qytetërimin e dashurisë. Njerëzit duhet të marrin shembull prej saj, por të kemi kujdes – tërheq vëmendjen imzot Folo – pasi ajo nuk propozonte modele të jetës shoqërore, por i përgjigjej etjes së Krishtit e, përmes dashurisë, e dhuronte jetën për ta ngritur njeriun, sidomos më të varfërin e të varfërve.
Duke cituar enciklikën e Benediktit XVI “Caritas in Veritate”, Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë UNESCO-s pohoi: “Dashuria në të vërtetën ishte parimi bazë i jetës dhe i veprës së Nënë Terezës… forcë e vërtetë tërheqëse për zhvillimin e personit dhe të mbarë njerëzimit…motorr, që i shtyn njerëzit të impenjohen me guxim e bujari në fushën e drejtësisë e të paqes”, zanafilla e çdo marrëdhënie personale me Zotin e me të afërmin.
Më tej, imzot Folo kujtoi një karakteristikë tjetër thelbësore të Nënë Terezës: lumturinë e saj. Për të, gëzimi ishte lutje, shenjë bujarie, akt miqësie me Krishtin. Falë këtij gëzimi, dashuria kthehet në dhuratë të Zotit, në bindje ndaj atij akti bujar e shëlbues, që shpëton të afërmin.
Pas diskutimit të imzot Folos, në sallat e UNESCO-s në Paris u shfaq një film dokumentar mbi Nënë Terezën dhe u hap një ekspozitë me fotografi për jetën e veprën e së Lumes, që mund të shihet në UNESCO deri më 30 shtator.







All the contents on this site are copyrighted ©.