Më 15 shtator, Kisha katolike përkujton Zojën e Dhimbshme.
Përkujtimi i sotëm i Shën Marisë Mari të Dhimbshme na fton të jetojmë përsëri momentin
vendimtar të historisë së shëlbimit dhe ta nderojmë Nënën që i bashkohet mundimeve
të të Birit e rri afër Tij të lartuar mbi kryq. Amësia e saj merr mbi kalvar përmasën
universale. Festa e Zojës së Dhimbshme që kremtojmë sot lindi nga Urdhri i Shërbëtorëve
të Marisë në shekullin XVII e pikërisht në vitin 1714. Nisi të kremtohej në të dielën
e tretë të shtatorit, pastaj me reformën e Papës Piut X, kremtimi u vendos më datën
15 shtator, për t’i lënë hapësirën e duhur kremtimit të liturgjisë të së dielës,
e kështu kjo datë mbeti e pandryshueshme edhe pas reformës së kalendarit liturgjik
të Kishës që Pali VI e bëri menjëherë pas Koncilit të II të Vatikanit. Po cila
është domethënia shpirtërore e këtij përkujtimi liturgjik? Domethënia e këtij
kujtimi liturgjik është vendosur e mund të kuptohet nën hijen e Ngadhënjimit të Kryqit.
Festa e dhimbjes së Zojës së Bekuar, nuk ka të bëjë me një dhimbje që loton, dërmon;
është dhimbje shëlbuese që vepron - ashtu si kryqi i Zotit tonë Jezu Krishti nuk
është thjeshtë kryq i atij që vuan, por kryq i Atij që shpëton e që mbart mbi vete
peshën e mëkateve të mbarë njerëzimit. Kështu edhe Maria, që merr pjesë në veprën
shëlbimpruese të Krishtit, është nën hijen e kryqit dhe e bashkuar me Kryqin e të
Birit. Maria ishte deri në fund tek këmbët e Kryqit. Askush më mirë se Ajo nuk
mund të na mësojë ta marrim mbi vete kryqin tonë e të ndjekim pas Jezusin…. Ky
pra është këndvështrimi teologjik. Koncili II i Vatikanit na jep këtë figurë të Virgjërës
Mari pranë kryqit: “Kështu Virgjëra Mari eci në shtegtimin e fesë dhe e ruajti të
paprekur besnikërinë e saj ndaj të Birit deri në kryq ku, jo pa ndërmjetësinë e planit
hyjnor, ndenji duke vuajtur thellësisht së bashku me të Birin, duke bashkëjetuar me
shpirtin e nënës, flijimin e Tij dhe duke e pranuar me dashuri flijimin që ajo vetë
e kishte lindur. E, në fund, nga goja e Birit që po jepte shpirt mbi Kryq, dëgjoi
fjalët që e bënë Nënë të të gjithëve: ‘Grua, ja biri yt!’. Prandaj mund të themi se
figura e Virgjërës Mari pranë kryqit është ikonë e fuqishme e Asaj që, së bashku me
Birin, jo vetëm që merr pjesë në shëlbim, por i pranon të gjithë njerëzit si bij në
zemrën e vet amtare. E atëherë nuk mund të mos na lindë pyetja: ‘Çfarë lidhje
ka ndërmjet Virgjërës Mari tek këmbët e kryqit e kryqit tonë?’. Ka shumë lidhje
dhe kuptim. Na tregon se edhe ne së bashku me Të, mund të marrin pjesë, përmes Kishës,
në misterin e shëlbimit të botës, duke e mbartur me Jezusin kryqin tonë të përditshëm.