2010-09-15 15:05:03

Fillon nesër vizita e Papës në Mbretërinë e Bashkuar. Imzot Nikols: shoqëria jonë nuk është e shekullarizuar


Papa Benedikti XVI do të jetë nesër paradite në Edimburg, etapa e parë e udhëtimit të tij apostolik në Mbretërinë e Bashkuar, i 17-ti jashtë Vatikanit. Vizita katër ditore do të arrijë kulmin të dielën e ardhshme me lumnimin e kardinalit Xhon Henri Njuman në Birmingam. Ati i Shenjtë do të vizitojë edhe Glasgoun e Londrën, ku do të zhvillojë takime ekumenike e do të flasë për shoqërinë civile.
Në prag të mbërritjes së Papës, ndjehet një atmosferë e përzemërt pritjeje, e paraprirë këto ditë, nga një debat i fuqishëm në media mbi rolin e fesë në shoqëri, siç nuk ndodhte prej kohësh në Britaninë e Madhe. Nganjëherë, artikujt kanë frymë kritike ndaj fesë, por kurrë nuk e trajtojnë atë me indiferencë. Me afrimin e datës së vizitës papnore, u bënë më të forta zërat e atyre, që theksonin bashkëpunimin ndërmjet besimtarëve e jo besimtarëve, ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe qeverisë britanike. Temat e mundshme, që propozon shtypi, janë edukimi e arsimimi, çarmatimi e mbrojtja e ambientit. Sinergji kjo, që u përmend edhe nga kryeministri Kamerun në një video-mesazh mirëseardhjeje për Papën, i cili mund të shihet që dje në faqen e internetit të Dauning Strit (Downing Street).
Udhëtimi fillon nga Skocia, në një ditë feste. Nesër kremtohet festa liturgjike e shën Ninianit, ungjillëzues i skocezëve, të cilëve Papa do t’u flasë gjatë Meshës në Belahjuston Park të Glasgout, pas takimit me mbretëreshën Elizabeta II në Pallatin Holirud të Edimburgut.
Etapa londineze e mëpasme i jep udhëtimit përmasa baritore, me Meshën në katedralen e Uestminsterit; përmasa ekumenike, me vizitën tek kryeipeshkvi i Katerburit dhe me kremtimin e Mbrëmësoreve në Abacinë e Uestminsterit; si edhe përmasa kulturore, me diskutimin në Universitetin e Shën Marisë në Tuikenhem.
I rëndësishëm, fjalimi që Benedikti XVI do të mbajë për shoqërinë civile në Uestminster Holl, zemra institucionale e Mbretërisë së Bashkuar. Papa do t’u flasë zemrave të anglezëve, siç sugjeron motoja e udhëtimit “Zemra i flet zemrës”, e cila të shtunën do të projektohet me drita edhe në disa ndërtesa simbol të Londrës. Është motoja e kardinalit Xhon Henri Njuman, meshtari, teologu e njeriu i madh i letrave të shekullit XIX, që Papa do ta shpallë të lum të dielën, me një Meshë në Kofton Park të Birmingamit, paraprirë nga një Mbrëmje lutjeje në Hajd Park, të shtunën.
Akti i fundit i kësaj vizite intensive do të jetë takimi i Benediktit XVI me ipeshkvijtë e Anglisë e të Uellsit, në Kolegjin Oskot të Birmingamit, ku në vitin 1852, u mbajt Sinodi i parë pas rivendosjes së hierarkisë katolike. Në atë rast, vetë kardinali Njuman mbajti një homeli të famshme, me titull “Pranvera e dytë”. Një pranverë feje, që lulëzon sërish me këtë udhëtim apostolik të Papës.
A do të arrijë Ati i Shenjtë t’i flasë krejt shoqërisë britanike, aq të shekullarizuar? Të dëgjojmë kryetarin e Konferencës Ipeshkvnore të Anglisë e Uellsit, imzot Vinsent Nikols:

Mendoj se nuk duhet ta konsiderojmë si të pashmangshme idenë se të gjithë në këtë vend kanë mendësi të shekullarizuar. Sipas meje, kjo nuk është e vërtetë. Është e vërtetë për institucionet, si për shembull për mediat, por jeta e njerëzve është plot me praninë e Zotit e shprehjet e fesë në këtë vend janë të shumta. Në jetën e njerëzve të thjeshtë nuk mungon ndjeshmëria për gjërat e Hyjit. Mendoj se Benedikti XVI do t’i flasë këtij realiteti e mediat do ta kuptojnë, sepse njerëzit do ta ndjekin përmes televizionit, ose duke marrë pjesë drejtpërdrejt në ngjarjet e ndryshme. Impakti do të jetë i drejtpërdrejtë e jo i parë me sytë e mediave. Duhet të kujtojmë pastaj se motoja e vizitës, e përdorur edhe nga kardinali Njuman, është nxjerrë nga shkrimet e Shën Françeskut të Sales, që është Pajtor i mediave. Prandaj, i lutem shën Françeskut të Sales të ndërhyjë për të arritur këtë mirëkuptim të anasjelltë ndërmjet Papës, publikut, popullit anglez dhe mediave.

Në shkurtin e kaluar, gjatë vizitës suaj ad Limina, Papa ju tha se Kisha ka të drejtë të ketë një rol aktiv në arenën publike. Si i përgjigjeni kësaj sfide?

Mendoj se ka një temë bazë në vizitën e Papës, që jam përpjekur t’ua shpjegoj njerëzve. Intuita, misioni i tij është t’i bëjë njerëzit të kuptojnë se feja në Zotin nuk është problem, që duhet zgjidhur, por një dhuratë, që duhet zbuluar. Kjo do të thotë se feja në Zotin është dhuratë për t’u zbuluar në jetën publike, civile, ndihmon jetën e përbashkët në këtë shoqëri. Sipas meje, ka një interes të ri për kontributin që Kisha e bashkësitë fetare mund të japin për të mirën e përbashkët të këtij vendi. Qeveria e re ka propozuar edhe një bashkëpunim me bashkësitë fetare, që është më pozitiv dhe më i mirë se disa vjet më parë.

Kjo vizitë ka një përmasë domethënëse ekumenike. Si mendoni, a do të sjellë fryte në marrëdhëniet me Bashkimin Anglikan?

Marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Anglikan dhe Kishës Katolike janë mjaft delikate në këtë çast. Prandaj, mendoj se vizita e Benediktit XVI dhe takimi i tij personal me kryeipeshkvin e Kanterbërit do të jetë një moment i rëndësishëm e frytdhënës. Me atë rast, do të takohen edhe ipeshkvijtë më të rëndësishëm të Bashkimit Anglikan në Mbretërinë e Bashkuar me ipeshkvijtë katolikë, vazhdim i një sërë takimesh të mëparshme. Pastaj, do të ketë një takim me krejt familjen e krishterë të këtij vendi në Abacinë e Uestminsterit, ku, duke lënë mënjanë ndarjet historike, besimtarët e të gjitha bashkësive të krishtera do të mblidhen për t’u lutur, sëbashku me Atin e Shenjtë e me kryeipeshkvin e Kanterbërit, mbi varrin e shën Eduard Rrëfyestarit, një nga sovranët më të mëdhenj anglezë, shpallur shenjt nga Kisha Katolike. Një rast, për të kujtuar rrënjët e përbashkëta kulturore dhe fetare, që kanë kontribuar për formimin e Britanisë së Madhe të sotme.

A mund të na shpjegoni rëndësinë e lumnimit të kardinalit Njuman për Kishën dhe shoqërinë e Mbretërisë së Bashkuar?

Beatifikimi i kardinalit Njuman është çasti kulmor i kësaj vizite, që po e përgatisim me kujdes të madh. Do të jetë vërtet një ngjarje për t’u kujtuar. Është e rëndësishme, pasi kardinali Njuman kishte aftësi të jashtëzakonshme të parashikonte të ardhmen.. Pati parashikuar se do të vinte një ditë, që krishterimi nuk do të kishte aq rëndësi publike. Kuptoi gjithashtu, se do të vinte koha kur Kisha do të dobësohej nga sjellja e disa anëtarëve të vet dhe se vlerësimi për të do të varej nga sjellja e gabuar dhe skandaloze e disave. Pra, kardinali Njuman ishte shumë i zgjuar dhe largpamës, por e dinte edhe se përvoja e fesë për individin, ashtu si për Kishën, është diçka që duhet jetuar si udhëtim. Ishte i bindur se si Kishë e si dishepuj të Krishtit duhet ta provojmë këtë përvojë në kohë, duke ia besuar veten Zotit e duke kërkuar gjithmonë të vërtetën. Jetën e teologjinë e vet, kardinali i ka parë me sy modern dhe ka folur qartë. Është pra, një personalitet që ka rëndësi të jashtëzakonshme në skenën kulturore angleze, si poet, si njeri i letrave e si edukator. Të gjitha këto përmasa i gjejmë në momente të tjera të vizitës së Papës e sintetizohen në fund, me lumnimin e kardinalit Njuman në Kofton Park, në Birmingam.







All the contents on this site are copyrighted ©.