2010-09-14 16:48:58

U hap në Gjenevë Sesioni XV i Këshillit të të drejtave njerëzore i OKB-së.


Dje, në Gjenevë u hap Sesioni XV i Zakonshëm i Këshillit të të drejtave njerëzore të OKB-së. Fëmijët-ushtarë në konfliktet e armatosura, format e reja të skllavërisë, uji i pijshëm dhe shërbimi shëndetësor, të drejtat e popullsive indigjene, gratë përballë ligjit do të jenë disa nga temat që do të trajtohen deri më 1 tetor, dita kur do të mbyllen punimet.
Sikurse nënvizon agjencia Misna, Kenia, Burundi, Somalia, Guinea, Lezotoja, Guinea Bisau, Laosi dhe Kamboxha janë vendet që do të mbahen nën kontroll dhe do të vlerësohen nga specialistët e Kombeve të Bashkuara.
Një nga detyrat e Këshillit, themeluar nga Asamblea e Përgjithshme më 15 mars 2006, është pikërisht monitorimi dhe vlerësimi i respektimit të të drejtave njerëzore në 192 shtetet anëtare të OKB-së nëpërmjet një komisioni përbërë nga 47 vende ose nëpërmjet denoncimit të dhunimit të të drejtave njerëzore nga ana e individëve të veçantë ose nga organizatat humanitare.







All the contents on this site are copyrighted ©.