2010-09-14 13:26:19

Më 14 shtator kalendari kremton festën e Ngadhënjimit të Kryqit të Shenjtë.


Kisha kremtoi sot më 14 shtator solemnitetin e Ngadhënjimit të Kryqit të Shenjtë, festë që e ka zanafillën në Jerusalem më 14 shtator të vitit 335. Këtë ditë u shuguruan ndërtesat e ngritura nga Perandori Kostandini për të mbrojtur e për të nderuar viset ku Jezu Krishti përmbushi misterin e vet të Pashkëve, misterin e vdekjes e të ngjalljes. Shumë reflektime janë bërë e vijojnë të bëhen për misterin më të madh të fesë së krishterë. Ndërmjet tyre, po kujtojmë reflektimin e Papës Benediktit XVI në Këln të Gjermanisë drejtuar të rinjve të mbarë botës dhe reflektimin e Papës Gjon Palit II. Pohon Benedikti XVI
“Zoti në këtë botë nuk bën konkurrencë me format tokësore të pushtetit. Nuk u kundërvë përçarjeve, përçarje të reja. Jezusit në Kopshtin e Ullinjve Zoti nuk i çon dymbëdhjetë legjione engjëjsh për ta ndihmuar. Pushtetit të potershëm e prepotent të kësaj bote, Krishti i kundërvë pushtetin e çarmatosur të dashurisë, që vdes mbi Kryq e, megjithatë, krijon një gjë të re, hyjnore, e cila pastaj i kundërvihet padrejtësisë dhe ngre mbretërinë e Hyjit”.
E Papa Gjon Pali II në “Letrën drejtuar familjes”, duke u frymëzuar nga Paskali, nënvizon: “Krishti hyri në botë me kryq. Kryqi është simboli i shpërblimit e i shëlbimit, por edhe paradigma e jetës të të krishterit”.
Në ditën e festës së Ngadhënjimit të Kryqit të Shenjtë ne e shikojmë Kryqin si lavdi e simbol, si rrugë nëpër të cilën duhet ecur ditë për ditë, në përpjekjen për t’iu afruar lumnisë së qiellit, duke pasur gjithnjë parasysh fjalët e Shën Palit drejtuar Galatasve: “Jam kryqëzuar me Krishtin e nuk jam më unë ai që jeton, por Krishti që jeton në mua”.
Prandaj të krishterët krenohen me Kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit, sepse Kryqi është më i fuqishëm e më i madh se të gjitha pushtetet e botës: është shenjë e fitores mbi vdekjen.
Kryqi bëhet kështu lavdi. Zoti lumturohet pikërisht në çastin kur i Biri kryqëzohet. “Në kryq – shkruan Shën Leoni papë – është gjykata e Zotit, aty bëhet gjykimi i botës, zbulohet pushteti i të Kryqëzuarit”. Kryqi është gjykata më e madhe e botës, por edhe fillimi i pushtetit të Krishtit mbi botën dhe mbi historinë e njerëzimit.
Kur të duket se gjithçka ka marrë fund, në të vërtetë gjithçka fillon. Me të drejtë liturgjia e festës Ngadhënjimit të Kryqit të Shenjtë këndon në Meshë: “Është nder për ne të mburremi me Kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit sepse në të e kemi shëlbimin, jetën dhe ngjalljen tonë, në sajë të tij kemi qenë shëlbuar e liruar!”, dhe “Krygjë e lavdishme, në degët tua varej çmimi i lirisë sonë: bota u shëlbua përmes Krygjës. Të falem, o Krygjë, e shuguruar nga Korpi i Krishtit; gjymtyrët e Tij mbi ty shkëlqejnë si gurë të çmuar”.
I madh është misteri që përkujtojmë sot, aftësia për të dhuruar vetveten në Kryq, mister i dashurisë, të cilin është tepër e vështirë ta kuptosh në të gjithë thellësinë e tij! Një gjë është plotësisht e qartë: “Kush merr pjesë në mundimet e Krishtit në Kryq, merr pjesë edhe në gëzimin e Tij”. Sa herë i lartojmë sytë nga Kryqi, kujtojmë Atë që pësoi për ne, që na shkëputi nga pushteti i terrinave, duke pranuar vdekjen, për të na bërë trashëgimtarë të jetës së pasosur.

Kryqi i Krishtit nuk është ndëshkim, as shkandull, por lavdi!

“Për ne, Krishti u bë i dëgjueshëm deri në vdekje. E në vdekjen e Kryqit” - kështu shkruan Shën Pali. Kemi përfunduar Jubileun e dymijëvjetorit të lindjes së Apostullit të popujve, të dëgjojmë përsëri disa nga fjalët bindëse e të flakta të Shën Palit apostull mbi misterin e vdekjes së Krishtit mbi Kryq, atë Kryq të Shenjtë që e kremtojmë edhe sot me kalendar kishtar. Askush më mirë se Apostulli i Popujve, Shën Pali nuk mund të na ndihmojë ta kuptojmë thellësisht Kryqin e Krishtit.
Në Letrën drejtuar Korintianëve, Pali shkruan: “Ndërsa hebrenjtë kërkojnë mrekulli e grekët lypin urti, ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar, për hebrenj shkandull e për paganë marri, kurse për të grishurit – si për hebrenj ashtu për grekë – fuqi e Hyjit e dije e Hyjit (1 Kor 1,22-24). Vdekja e Krishtit ka vlerë universale: “Një vdiq për të gjithë e, prandaj të gjithë vdiqën” (2 Kor 5,14). Vdekja e tij i dha kuptim të ri vdekjes së çdo burri e të çdo gruaje.
Para syve të Palit Kryqi ka përmasa kozmike. I mbërthyer mbi të, Krishti shembi muret që i ndajnë njerëzit e kombet, i pajtoi ata me Hyjin Atë e me të afërmin, duke shkatërruar çdo lloj armiqësie (cf Ef. 2,14-16). Prej këndej tradita e lashtë e shikon Kryqin si dru kozmik, i cili me krahun vertikal bashkon qiellin me tokën e me krahun horizontal, pajton mbarë popujt e botës. Ngjarje kozmike, e njëkohësisht tejet personale, sepse thotë Pali, Krishti: “Më deshi e flijoi jetën për mua”(Gal 2,20). Çdo njeri, shkruan Apostulli, është ai ‘për të cilin Krishti vdiq” (Rom 14,15).
Prej këndej, Kryqi i Krishtit nuk duhet parë si ndëshkim, as si shkandull, por si lavdi e krenari për çdo të krishterë, sepse përmes tij njeriu lartohet në fe e, njëzëri me Shën Palin, mund të thotë: “Sa për mua, mos e thashtë Zoti të mburrem me tjetër send, përveçse me Kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit” (Gal 6,14).
Prandaj Pali e vendosi, madje e nguli Kryqin në qendër të Kishës, si ngulet direku kryesor në qendër të anijes.
Kujtojmë se kur Shën Pali shkruante kështu, kryqi ishte sinonim me turpin më të madh, ishte fjalë që nuk duhej as të përmendej, sepse shkaktonte shkandull e shikohej si ndëshkimi më i rëndë që mund të pësonte një njeri.
Më vonë Shën Agostini do të theksonte: “Tani Kryqi i Krishtit mbushi përplot botën e shkëlqen mbi kurorën e mbretërve”. Unë besoj se Krishti e mbështetur tërë dashurinë e tij, tërë dhuratën e tij, tërë aftësinë e tij të dhurimit mbi Kryq. E çdo i krishterë është i thirrur ta zbulojë këtë mister, këtë ngadhënjim të Krishtit që tërheq njerëzimin pranë vetes për tek Ati Qiellor. Shenja e Kryqit në një farë mënyre që është sinteza e fesë sonë të krishterë, sepse na thotë se sa shumë Zoti na ka dashur e na do: na thotë se, në botë, ekziston një dashuri më e fortë se vdekja, më e fortë se ligështitë tona e se mëkatet tona. “Kryqi i Krishtit, thotë Shën Gjon Damasheni, është çelësi i parajsës së qiellit”. Kryqi është drita që shndrit qiellin e tokën.







All the contents on this site are copyrighted ©.