2010-09-14 14:50:25

Kryqi i Krishtit është dritë që shndrit qiellin e tokën


“Për ne, Krishti u bë i dëgjueshëm deri në vdekje. E në vdekjen e Kryqit” - shkruan Shën Pali. Në dymijë vjetorin e lindjes së Apostullit, të dëgjojmë përsëri disa nga fjalët e tij të zjarrta mbi misterin e vdekjes së Krishtit, që jemi duke e kremtuar. Askush më mirë se Apostulli i Popujve nuk mund të na ndihmojë ta kuptojmë më thellësisht Kryqin e Krishtit.
Në Letrën drejtuar Korintianëve, shkruan: “Ndërsa hebrenjtë kërkojnë mrekulli e grekët lypin urti, ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar, për hebrenj shkandull e për paganë marri, kurse për të grishurit – si për hebrenj ashtu për grekë – fuqi e Hyjit e dije e Hyjit (1 Kor 1,22-24). Vdekja e Krishtit ka vlerë universale: “Një vdiq për të gjithë e, prandaj të gjithë vdiqën” (2 Kor 5,14). Vdekja e tij i dha kuptim të ri vdekjes së çdo burri e të çdo gruaje.
Para syve të Palit Kryqi ka përmasa kozmike. I mbërthyer mbi të, Krishti shembi muret që i ndajnë njerëzit e kombet, i pajtoi ata me Hyjin e me të afërmin, duke shkatërruar çdo lloj armiqësie (cf Ef. 2,14-16). Prej këndej tradita e lashtë e shikon Kryqin si dru kozmik, i cili me krahun vertikal bashkon qiellin me tokën e me krahun horizontal, pajton mbarë popujt e botës. Ngjarje kozmike, e njëkohësisht tejet personale, sepse Krishti: “Më deshi e flijoi jetën për mua”(Gal 2,20). Çdo njeri, shkruan Apostulli, është ai ‘për të cilin Krishti vdiq” (Rom 14,15).
Prej këndej, Kryqi nuk duhet parë si ndëshkim, as si shkandull, por si lavdi e krenari për çdo të krishterë, sepse përmes tij njeriu lartohet në fe e, njëzëri me Shën Palin, mund të thotë: “Sa për mua, mos e thashtë Zoti të mburrem me tjetër send, përveçse me Kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit” (Gal 6,14).
Prandaj Pali e nguli Kryqin në qendër të Kishës, si ngulet direkun kryesor në qendër të anijes.
Kujtojmë se kur Shën Pali shkruante kështu, kryqi ishte sinonim me turpin më të madh, ishte fjalë që nuk duhej as të përmendej, sepse shkaktonte shkandull e shikohej si ndëshkimi më i rëndë që mund të pësonte njeriu.
Ndërsa më vonë Shën Agostini do të theksonte: “Tani Kryqi i Krishtit mbushi përplot botën e shkëlqen mbi kurorën e mbretërve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.