Austri: Patriku ortodoks serb Irene: Bashkimi i të krishterëve është një përparësi
për të gjithë.”
(14.09.2010 RV)Patriku ortodoks serb Irene, përfundoi sot vizitën e tij në
Austri, ku banojnë rreth 400 mijë serbë, që është njëkohësisht edhe vizita e tij e
parë jashtë shtetit, që pas zgjedhjes së tij në janarin e kaluar. Udhëtimi u krye
në kuadër të 150-vjetorit të njohjes nga ana e qeverisë austriake të famullisë së
parë ortodokse serbe të Vjenës. E në fakt, në Vjenë, gjendet edhe bashkësia më e madhe
e dioqezës serbe të Evropës lindore, që përfshin Austrinë, Gjermaninë dhe Zvicrën,
dhe famullia në fjalë është më e vjetra. Gjatë vizitës së tij, – shkruan gazeta
vatikanase “L’Osservatore romano” – Patriku serb Irene, vuri në dukje se bashkimi
i të krishterëve është një nevojë për të gjithë si edhe nënvizoi rëndësinë e vazhdimit
të dialogut ndërmjet katolikëve dhe ortodoksve, duke e quajtur “një përparësi”. Vizita
arriti kulmin e vet me kremtimin eukaristik, zhvilluar të dielën në kishën e të Ringjallurit
të Krishtit në Vjenë, ku morën pjesë dhjetë ndër metropolitë e peshkopë të Patriarkatit
ekumenik dhe të Kishës ortodokse ruse, rumune dhe serbe. Patrikun serb e shoqëronin
gjatë kësaj vizite kryeipeshkvi i Ohrit, Jovani, ipeshkvi i Baçkës, Irenej, dhe ai
i Dalmacisë, Foti. Të shtunën e kaluar patriku Irene, u takua gjithashtu edhe
me kryeipeshkvin e Vjenës dhe kryetarin e konferencës ipeshkvnore austriake, kard.
Kristof Shënborn, ndërsa në Linc, ai u takua me ipeshkvin Ludvig Shvarc. Programi
i udhetimit përfshinte edhe një vizitë në kampin e përqendrimit në Mathauzen, ku humbën
jetën tetëmijë serbë dhe ku do të ngrihet edhe një kishëz varreze ortodokse.