2010-09-13 16:17:17

Shteti e feja, familja dhe mediat, në fjalimin e Papës para ambasadorit të ri të Gjermanisë


Zoti, familja, bioteknologjitë dhe mediat: këto ishin pikat kryesore, ku u përqendrua fjalimi i Papës Benedikti XVI para ambasadorit të ri të Gjermanisë pranë Selisë së Shenjtë. Papa e priti sot paradite zotin Valter Jyrgen Shmid për paraqitjen e letrave kredenciale.
“Nëse Zoti nuk ka asnjë lloj vullneti, e mira dhe e keqja nuk mund të dallohen më nga njëra-tjetra”: kështu shpjegoi Papa sjelljen e atyre që duke e lënë mënjanë Hyjin, ose duke krijuar një Zot personal, humbin forcën morale e shpirtërore. Kjo do të thotë të krijohen mungesa në zhvillimin e përgjithshëm e në kulturën e një personi. Kështu, sjellja e tij në shoqëri varet gjithnjë e më shumë nga interesi personal, ose nga llogaritë për të fituar sa më tepër pushtet, në dëm të vetë shoqërisë.
Ndërsa, vazhdoi Papa, nëse Zoti është një Person e kjo dëshmohet nga rendi i gjithësisë e i natyrës, si edhe nga prania e të krishterëve të bindur në shoqëri, atëherë ka kuptim të flasim për një rend vlerash. Për këto gjëra flitet gjithnjë e më shumë, tha Benedikti XVI, sidomos në fushën e drejtësisë e të legjislacionit. Edhe në Gjermani, sinjalet e kohëve të fundit tregojnë për krijimin e marrëdhënieve të reja ndërmjet shtetit e fesë, që shkojnë edhe përtej Kishave të mëdha të krishtera. Nga ana e tyre, të krishterët e kanë për detyrë ta ndjekin këtë zhvillim në mënyrë pozitive e kritike dhe të dëshmojnë rëndësinë themelore e të përhershme të krishterimit për të ndërtuar bazat e për të formuar strukturat e kulturës evropiane.
Argumenti tjetër, që preku Ati i Shenjtë në takimin me ambasadorin e Gjermanisë në Vatikan, ishte familja dhe martesa. “Martesa – theksoi Papa – është bashkim i përhershëm i burrit e gruas, që synon gjithnjë edhe transmetimin e jetës njerëzore”, prandaj Kisha e sheh me shqetësim përpjekjen në rritje për të eliminuar konceptin e krishterë të martesës e të familjes nga ndërgjegjja e shoqërisë. Kisha, vazhdoi Benedikti XVI, nuk mund të miratojë nisma legjislative, që rivlerësojnë modele të ndryshme të jetës së çiftit e të familjes. Këto alternativa dobësojnë parimet e së drejtës natyrore, kontribuojnë në relativizimin e krejt sistemit ligjor e krijojnë konfuzion për vlerat shoqërore.
Papa foli më pas për respektimin e jetës njerëzore. “Kur fillojmë të dallojmë, e kjo ndodh shpesh që në gjirin e nënës, jetën e denjë nga jeta e padenjë për t’u jetuar, asnjë fazë nuk do të kursehet, aq më pak pleqëria e sëmundjet e rënda” nënvizoi Ati i Shenjtë, duke u tërhequr vëmendjen punonjësve të bioteknologjive dhe të mjekësisë, puna e të cilëve përmban në vetvete vlerësime etike, që s’mund të lihen mënjanë.
Së fundi, duke reflektuar mbi botën e mediave, Papa bëri thirrje për “besnikëri ndaj së vërtetës”. “Të bëjnë të mendohesh – tha ai – disa fenomene në mediat publike: duke qenë në konkurrencë gjithnjë e më të madhe, mjetet e komunikimit mendojnë se duhet të zgjojnë vëmendjen më të madhe të mundshme”. Kjo bën të lihet mënjanë vërtetësia e fakteve, sidomos kur për to mbajnë qëndrim personazhe në zë, pa qenë në gjendje të verifikojnë të gjitha aspektet ashtu si duhet.
Benedikti XVI e përfundoi fjalimin duke kujtuar kremtimet e lumnimet e ardhshme të disa meshtarëve, martirë të diktaturës naziste. “Janë njerëz – theksoi Papa – që na mësojnë si jepet jeta për fenë, për të drejtën e shprehjes së lirë të saj e për lirinë e fjalës, për paqen e për dinjitetin njerëzor”.







All the contents on this site are copyrighted ©.