2010-09-13 15:57:50

Papa ipeshkvijve të ri: nuk duhet të jeni burokrat por rojtarë besnik të Kishës.


Misioni i Ipeshkvit nuk mund të nënkuptohet me mentalitetin e efikasitetit e të suksesit. Ipeshkvi nuk është një qeveritar i thjeshtë, ose burokrat, por rojtar besnik i besëlidhjes së Kishës me Krishtin”. Ai është i thirrur të jetë i “fortë dhe i vendosur, i drejtë e i qetë”, por edhe “atë, vëlla e mik” në udhën e krishterë e njerëzore. Kjo është porosia që Papa u drejtoi ipeshkvijve të emëruar gjatë këtij viti, të cilët sot i priti në audiencë, në përfundim të një seminari të përvitshëm që organizon Kongregata e Vatikanit për Ipeshkvij. Në vazhdim, Ati i Shenjtë Racinger falënderoi kardinalin Marc Ouellet, duke i uruar fillim të mbarë në shërbimin e tij të ri si Prefekt i Dikasterit për Ipeshkvij dhe më pas citoi disa fjalë ndriçuese të shën Tomës së Akuinit:
Duke komentuar shprehjen e Jezusit në Ungjillin e Gjonit: “Bariu i Mirë e jep jetën e vet për delet e tij”, shën Toma vëren: “Ai ia përkushton atyre qenien e vet në ushtrimin e autoritetit e të dashurisë. Lypen të dyja këto gjëra: që t’i binden dhe që t’i dojë. Në të vërtet nuk është e mjaftueshme e para pa të dytën”.
Prandaj Papa Benedikti XVI përkujtoi Rregulloren Baritore të shën Gregorit të Madh, që saktëson se si pushtetin e qeverisë baritore “ e drejton mirë ai që di si të ngritët kundër fajeve e të synon mbi veset e jo mbi vëllezërit”. Pastaj Ati i Shenjtë Racinger kujtoi fjalët e ritit të dorëzimit të unazës në liturgjinë e Shugurimit ipeshkvnor: “Merre unazën, shenjë e besnikërisë, e integriteti të fesë e në pastërti të jetës ruaje Kishën e Shenjtë, nusen e Krishtit”:
Kisha është “nusja e Krishtit” e ipeshkvi është ‘rojtar’ (episkopos) i këtij mbarështimi. Unaza është pra shenjë e besnikërisë: është fjala për besnikërinë ndaj Kishës e ndaj pastërtisë së fesë së saj. Për këte, ipeshkvit i besohet besëlidhja martesore: ajo e Kishës me Krishtin.
Në vijim të fjalimit, Benedikti XVI vuri theksin mbi përgjegjësitë e mëdha të një ipeshkvi për të mirën e dioqezës por edhe të shoqërisë. Misioni i tij, tha Ati i Shenjtë, “nuk mund të kuptohet me mentalitetin e efikasitetit e të suksesit”:
Është fjala për një perspektivë feje e jo thjeshtë njerëzore, administrative apo të natyrës sociologjike, ajo në të cilën vendoset misioni dhe shërbimi i Ipeshkvit, i cili nuk është një qeveritar i thjeshtë, ose një burokrat, ose një moderator e organizator i thjeshtë i jetës dioqezane. Janë atësia e vëllazërimi në Krishtin që Eprorit i japin aftësinë për krijimin e atmosferës së besimit, të pritjes, të përzemërsisë, por edhe të sinqeritetit e të drejtësisë.
Së fundi, Papa u ndal tek një lutje e lashtë e shën Aelredo nga Rievaulx, Abat:
“Ti, o Zoti i ëmbël, janë fjalët e lutjes, e ke vënë njërin siç jam unë, në krye të familjes tënde (..) në mënyrë që të mund të shfaqet përdëllimi yt(..) e kështu të shihet madhështia e forcës tënde, e jo ajo e njeriut”.







All the contents on this site are copyrighted ©.