Më 13 shtator, kalendari kishtar përkujton Shën Gjon Gojartin, ipeshkëv e doktor i
Kishës
(13.9.2010 RV)Më 13 shtator, kalendari kishtar përkujton Shën Gjon Gojartin, ipeshkëv
e doktor i Kishës, në 1603 vjetorin e vdekjes. Këngëtar i mrekullueshëm i lavdisë
së Zotit. I njohur si një nga Etërit e mëdhenj të Kishës së Lindjes, Shën Gjon
Gojarti vdiq më 14 shtator të vitit 407 pas Krishtit, duke lënë pas shkrime, që ruajnë
ende sot forcën me të cilën patën tërhequr dikur dëgjuesit. Prandaj në shekullin VI
qe thirrur Gojartë. Shën Gjon Krizostomi, kryeipeshkëv i Kostandinopojës në vitin
398, ia kushtoi apostullimin e tij nxitjes së besimtarëve për të jetuar ndershmërisht,
duke u përpjekur t’i mundnin ligështitë njerëzore dhe veset. Fliste shpesh për mëkatin,
për të rizgjuar ndjenjën e përgjegjësisë, dëshirën për t’u ngritur përsëri në këmbë
edhe pas rënieve, me forcën që buron nga Sakramentet e Shenjta. Shtyllat e doktrinës
së tij morale janë pendesa, lëmosha e pajtimi. Ajo që të bën për vete në predikimit
e Shën Gjonit, është stili dhe aftësia e rrallë e gojtarit. Predikimet e tij nuk të
lodhin, edhe pse nganjëherë tepër të gjata, sepse janë plot gjallëri, të lidhura ngushte
me jetën konkrete, të pasura me vlera dhe ide të reja të frymëzuara gjithmonë nga
Ungjilli. Papa Gjoni XXIII e zgjodhi Pajtor të Koncilit II të Vatikanit. Gjon
Pali II, në enciklikën “Sollecitudo rei socialis” kujtoi atë që ka shkruar shën Gjon
Gojarti, duke komentuar Ungjillin sipas Mateut për salltanetet e vendeve të kultit:
“Kur mendon për të varfërit, nuk mund të të kënaqin zbukurimet e tepërta të Kishave
dhe orenditë e çmuara të kultit hyjnor; përkundrazi, këto pasuri mund të shiteshin
për t’u dhënë bukë, ujë, veshje e strehë atyre që nuk i kanë”. Po cili është
kontributi i posaçëm teologjik i Gjon Gojartit? Teoria e pranimit, sipas së
cilës Hyji vjen tek ne, sepse ne nuk mund të arrijmë deri tek Ai, është një nga kryeveprat
e tij, një ndër pjesët më të rëndësishme të teologjisë së tij. Ndër homelitë, me përmbajtje
të thellë ekzegjetike, e përqendron predikimin kryesisht tek përdorimi i pasurive
në dobi të shoqërisë. E ç’na mëson Shën Gjon Krizostomi? Na mëson ta
shikojmë Kishën si bashkësi, përmes përdorimit e shpërndarjes vëllazërore të pasurive
në shërbim të të gjithë anëtarëve, përmes ndershmërisë morale e, sidomos, përmes predikimit
dhe vënies në jetë të Dhjetë Urdhërimeve të Tënzot. Po me ç’sy mund t’i lexojmë
sot shkrimet e Shën Gjon Krizostomit? Ashtu si në rastin e të gjithë etërve
të Kishës, leximi i veprave të Shën Gjonit është jashtëzakonisht i dobishëm dhe i
nevojshëm për jetën shpirtërore të të krishterit, por duke pasur parasysh rrethanat
shoqërore e fetare në të cilat jetoi e veproi Shenjti, të cilat ndryshojnë shumë nga
ato të ditëve tona. Përveç kontributit të jashtëzakonshëm teologjikë, Shën Gjon
Gojarti ka lënë edhe një ritë e traditë liturgjike që është e përhapur në Kishën bizantine
e që njihet si liturgjia e Gjon Krizostomit. Kështu Kisha bizantine e ka nderuar kujtimin
e Shenjtit duke ua lënë trashëgim pasardhësve shkrimet e tij, duke ia promovuar kultin
e duke ia paraqitur besimtarëve si shembull përshpirtërie, që meriton të ndiqet. Në
një farë mënyre Shën Gjon Krizostomi është bërë pajtor i liturgjisë që mban emrin
e tij, që e përdori, ndonëse mendohet se nuk është krijuesi i saj. Në katekizmat
e tij eukaristike, Shën Gjon Krizostomi një herë shkroi: “Ç’ thua ashtu, o Moisiu?
Gjaku i një qengji i pastron njerëzit? I shpëton nga vdekja? E si mundet gjaku i një
kafshe t’i pastrojë njerëzit, t’i shpëtojë njerëzit, të ketë pushtet mbi vdekjen?”.
Në të vërtetë – vijon Krizostomi – qengji mund të ishte vetëm një gjest simbolik;
simbolizonte pritjen dhe shpresën në Dikë, i cili do të ishte në gjendje të bënte
atë që nuk mund ta bënte flijimi i qengjit. “Jezusi i kremtoi Pashkët pa qengj
e pa tempull e megjithatë - nuk kremtoi pa qengj e pa tempull. Ishte Ai vetë qengji
i pritur, i vërteti, ashtu si e kishte parafolur Gjon Pagëzuesi në fillim të misionit
publik të Jezusit: “Ja Qengji i Hyjit! Ja Ai që ia shlyen mëkatin botës”. Është Ai
tempulli i vërtetë, tempulli i gjallë, në të cilin banon Zoti e në të cilin mund ta
takojmë Hyjin e ta adhurojmë. Gjaku i tij, dashuria e Atij që është njëherësh Bir
e Hyj e njeri i vërtetë, njëri nga ne, ky gjak mund të shpëtojë”. Dashuria e Tij,
dashuria me të cilën ai dhurohet vullnetarisht për ne, është ajo që shëlbon. Gjesti
i përmallshëm, në një farë mënyre i pafryt, që ishte flijimi i qengjit të pafaj e
të panjollë, gjeti përgjigje në Atë që u bë për ne qengj e tempull njëherësh. “Kështu
në qendër të Pashkëve të reja të Jezusit ishte kryqi! Prej tij vinte dhurata e re
që na solli Ai. E kështu Ai mbet përgjithmonë në Eukaristinë Shenjte, në të cilën
mund të kremtojmë me apostujt në rrjedhë kohe, Pashkët e reja. Tani ai na dhurohet
ne”. “T’i lutemi Zotit që ta kuptojmë gjithnjë më thellë këtë mister të mrekullueshëm,
ta duam gjithnjë më shumë e në të, ta duam gjithë më tepër vetë Krishtin. Të lutemi
që kungimi shenjt të na tërheqë gjithnjë më shumë brenda vetes e të na ndihmojë të
mos e mbajmë jetën tonë për vete, por t’ia dhurojmë Atij, e kështu të veprojmë së
bashku me Të, që njerëzit të gjejnë jetën – jetën e vërtetë, e cila mund të vijë vetëm
nga Ai që është vetë Rruga, e Vërteta, Jeta”.
******** Po sjellim këtu fjalët e Papës Benedikti XVI, shqiptuar gjatë audiencës
së përgjithshme të 26 shtatorit 2007 në Vatikani, kushtuar Shën Gjon Krizostomit,
duke folur për “Qytetin me shpirt e me fytyrë të krishterë, solidar me të varfërit”.
“Me Shën Gjon Krizostomin nis vizioni i qytetit të ndërtuar nga ndërgjegjja
e krishterë, në të cilin njeriu, edhe ai më i varfëri, ka vendin e vet e dinjitetin
e vet”. Është ky një prej mendimeve të shprehura nga Ati i Shenjtë në audiencën e
përgjithshme të së mërkurës te 26.09.2007, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.
Duke ia kushtuar për herë të dytë katekizmin figurës së Shën Gjon Gojartit, Papa vuri
theksin mbi vlerën aktuale të mësimeve të tij, që e bënë Shenjtin një nga pararendësit
e Doktrinës shoqërore të Kishës. Njeri tepër i thjeshtë, në mes të salltanetit
të oborrit perandorak bizantin. I mahnitur nga modeli i bashkësisë së parë të krishterë,
të bashkuar nga ndjenjat e vëllazërisë së vërtetë, që nuk i vlerësonte njerëzit sipas
pozitës shoqërore, por sipas fesë. Kështu ia paraqiti Papa 20 mijë besimtarëve, mbledhur
sot në Sheshin e Shën Pjetrit, figurën e një shenjti revolucionar, që jetoi 1600 vjet
më parë, aktual edhe për ditët e sotme. Njeri me zemër të mirë, të ëmbël e atërore
me të gjithë, nuk mundi të krijonte një strehë të sigurtë, për t’u mbrojtur nga kundërshtimet,
persekutimet dhe internimet. U internua dy herë e ndërroi jetë pikërisht gjatë internimit
të dytë, në vitin 407. Në sa jetonte në Kostandinopojën e pallateve perandorake,
ndërmjet intrigave të oborrit, Krizostomi – shpjegoi Papa – nuk u fsheh pas njerëzve
të kamur, por zgjodhi thjeshtësinë, duke nisur nga pallati arqipeshkvnor – e jashtë
tij, zgjodhi të varfërit e familjet, që qenë gjithnjë në qëndër të vëmendjes së veprimtarisë
së tij baritore. U frymëzua përherë nga modeli i Kishës së të krishterëve të parë,
prej nga i lindi vizioni i ‘qytetit ideal’: “Krizostomi, ashtu si Shën Pali, mbronte
përparësinë e të krishterit, parë si individ, si njeri i veçantë, edhe të skllavit
e të të varfërit. Projekti i tij korrigjon kështu vizionin grek të ‘polisit’, të qytetit,
në të cilin masat e gjëra të popullsisë përjashtoheshin nga e drejta e qytetarisë,
ndërsa në qytetin e krishterë të gjithë janë vëllezër e motra, me të drejta të barabarta”. Shën
Gjon Gojarti – vijoi Papa – e kishte kuptuar se ideja e vjetër e polisit grek duhej
zevendësuar me atë të qytetit të frymëzuar nga feja, për të cilin flet Ungjilli. Ja
sepse me të – shpjegoi Benedikti XVI – filloi vizioni i një qyteti të ndërtuar nga
ndërgjegjja e krishterë, që i bën të gjithë të barabartë, i bën vëllezër e motra e
i edukon me frymën e solidaritetit. “I duhej dhënë një shpirt e një fytyrë e krishterë
qytetit. Me fjalë të tjera, Krizostomi e kuptoi se nuk mjaftonte dhënia e lëmoshës,
as ndihma e herë pas hershme e të varfërve, por ishte e nevojshme të krijohej një
strukturë e re, një model i ri i shoqërisë; një model i bazuar mbi perspektivën e
Besëlidhjes së Re. Është shoqëria e re që nis të shfaqet në Kishën e posalindur”.
I famshëm për gojtarinë e tij, edhe në Romën e re, dmth në Kostandinopojë, Krizostomi
u bë i njohur nga të gjithë si mësues i fesë e dëshmitar i dashurisë së krishterë
– tha Papa dhe në vijim theksoi katër karakteristika kryesore të kësaj figure madhore
të Kishës: së pari, nënvizoi ndjeshmërinë e Shenjtit antiokian ndaj Krijimit,
parë si akti më i lartë i dashurisë së Zotit; së dyti, vëmendjen që i kushtoi
shpjegimit të Shkrimit Shenjt i cili, sipas Atit të Kishës, krijon mundësinë për ta
deshifruar vetë Krijimin. Së katërti, Papa vuri në dukje veprimin e Shpirtit
Shenjt në zemrën e njeriut, por duhet theksuar – vijoi Shenjtëria e Tij - se është
karakteristika e tretë ajo që zbulon gjithë humanizmin dhe fenë e ipeshkvit
të lashtë të Kostandinopojës, bindjen e patundur se: “Hyji… zbret vetë, mishërohet,
bëhet vërtetë ‘Hyji me ne’, vëllau ynë deri në vdekje në Kryq”.