2010-09-12 09:52:11

Rubrika e së dielës mbi “Shëmbëlltyrat”: sot 'jeta e dishepullit para syve të Zotit'


Jeta e dishepullit para syve të Zotit, është argumenti kryesor i rubrikës së 12-të kushtuar “Shëmbëlltyrave”. Siç dihet, shumica e shëmbëlltyrave i kushtohen mënyrës si duhet të sillet dishepulli i Jezusit para syve të Hyjit. Mbi të gjitha, ai duhet të lutet me ngulm, pa u lodhur kurrë, i sigurtë se Ati nuk do ta lëshojë dore. Ky është edhe kuptimi i shëmbëlltyrës së atij, që i troket në derë mikut në pikë të mesnatës (Lk 11,5-8). Krishti ua tregon kështu dishepujve: “Nëse ndonjëri prej jush ka një mik e i shkon në mesnatë e i thotë: “Mik, m’i jep hua tri bukë, se më erdh një dashamir i largët e s’kam ç’t’i shtroj për darkë; e ai, nga brenda i përgjigjet: “Mos më trazo! Dera tashmë është e mbyllur e unë e fëmijët e mi kemi rënë prej kohe në krevat! Nuk mund të çohem e të t’i jap: Unë po ju them, edhe në se s’çohet t’ia japë pse e ka mik, do të çohet e t’ia japë, sepse ai vijon ta trazojë”.
Unë po ju them, na kujton edhe ne sot Jezusi, lypni e do t’ju jepet, kërkoni, e do të gjeni, trokisni e do t’ju çelet. Sepse kush lyp, merr; kush kërkon, gjen; atij që troket, i hapet dera!
E po këtë kuptim ka edhe shëmbëlltyra e vejushës, që e trazon pambarimisht gjykatësin, duke e detyruar me ngulmin e saj, t’ia zgjidhë drejt çështjen, thjesht për ta hequr qafe (Lk. 18, 2-8): “Ishte, në një qytet, një gjykatës, që nuk e dronte Hyjin; e sa për njerëz, nuk e çante kokën fare. Po në atë qytet ishte një grua e vejë, e cila shkonte shpesh tek ai e i lutej: “Më mbro prej kundërshtarit tim!”. Po ai s’ia vinte veshin. Dikur u lodh prej saj e tha me vete: “Edhe pse nuk kam frikë nga Zoti e as nga njeriu, mbasi kjo vejushë po më trazon, do ta mbroj, që të mos vijë më e të më mërzisë” . Vallë, na kujton Krishti në fund të shëmbëlltyrës, a mund të mos i mbrojë Hyji të zgjedhurit e vet, kur i kërkojnë ndihmë ditë e natë? Unë po ju them: do të çohet me nxitim për t’u ardhur në ndihmë.
Vjen pastaj shëmbëlltyra e farës së fjalës së Zotit, që duhet pritur me zemër të madhe e bujare, pa e lënë t’ia marrin frymën gjembat, në mënyrë që të japë prodhime të begata. (Mk 4,3-9;13-20).
Na kujton se shërbimi, që kërkon Zoti, posaçërisht shërbimi apostolik, duhet kryer falas, pa menduar fare për shpërblim. E pikërisht ai, që e kryen kështu, e meriton plotësisht shpërblimin. Është kuptimi i shëmbëlltyrës së skllavit, që kthehet nga arat e zotëria i jep urdhër t’i përgatisë darkën (Lk 17, 7-10).
Së fundi, dishepulli i Zotit duhet të punojë, që dhuratat e marra t’i shtjerë në punë e të mos mbeten pa fryt. Ky është kuptimi i shëmbëlltyrës së minave e, sidomos, asaj të talenteve (Mt. 25, 14-30). Në shëmbëlltyrën e talenteve, fjala talent është simbolike. Ka të bëjë me paratë, por nënkupton aftësinë natyrore të njeriut për ta kryer mirë një veprimtari e na kujton se të kesh talent, do të thotë edhe të kesh besim në vetvete, në forcat tua. Njerëzit e zakonshëm shqetësohen vetëm si ta mbysin kohën, ndërsa kush ka talent, mendon sesi ta përdorë. Nuk është, pra, e mjaftueshme të kesh talente a talent: duhet të kesh edhe vullnetin për t’i shumëfishuar. Veç kujdes, na kujton nënteksti i shëmbëlltyrës së Jezusit, ruhuni nga talenti i ca njerëzve, që kufizohet në artin për t’i bindur të tjerët se kanë ato talente, të cilat nuk i kanë fare!







All the contents on this site are copyrighted ©.