Më 12 shtator kalendari Kishtar kremtoi festën e Emrit të Zojës Mari.
Sot me 8 shtator Kisha kremton festën e Lindjes të së Lumes Mari Virgjër. Kjo festë
te populli shqiptar njihet me emrin festa e Zojës së Vogël. Tradita e kësaj feste
lindi në shekujt e parë në Lindje dhe ishte Papa Sergji I, në shekullin e VII, ai
që e shtini këtë festë në kalendarin liturgjik të Kishës. Me përkujtimin e kësaj feste,
që tradita kishtare e njeh me emrin “Të lindurit e Zojës”, kremtojmë ditëlindjen e
Virgjërës Mari, Nënës së Tënzot, në kraharorin e së cilës u mishërua Jezu Krishti.
Burimi kryesor i zanafillës së kësaj feste gjendet në Ungjillin apokrif të shekullit
të II e këndej ka një traditë shumë të lashtë. Joakimi e Ana ishin të shtyrë në moshë,
nuk arrijnë të kenë fëmijë e atëherë Joakimi ankohet tek Zoti, i cili i kumton se
do të ketë një foshnje, një vajzë. Ky është tregimi që kemi në Ungjillin e Jakobit.
Maria pastaj edukohet në tempull të Jerusalemit e pikërisht afër këtij tempulli, në
Mesjetë, kryqtarët kanë ndërtuar njërën nga bazilikat më të bukura të Tokës së Shenjtë,
pikërisht në përkujtim të Lindjes së Virgjërës Mari. Lindja e Virgjërës Mari
lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me ardhjen e Mesisë, si premtim, përgatitje dhe fryt
i shëlbimit. Agim që i paraprin diellit të drejtësisë, Maria i paralajmëron mbarë
botës gëzimin e lindjes së Shëlbuesit. Është, prandaj, guri i kufirit ndërmjet Besëlidhjes
së Vjetër dhe Besëlidhjes së Re. Errësira e natës tërhiqet, ndërsa nis të duket agimi
i ditës së re, që na sjell lirinë në vend të robërisë së ligjit të vjetër. Gjithë
krijesa këndon nga gëzimi i kësaj dite, njerëz e engjëj bashkohen për të marrë pjesë
në kremtimin e liturgjisë së sotme. Është dita në të cilën Krijuesi i gjithësisë ndërtoi
tempullin e vet, dita në të cilën, përmes një projekti të mrekullueshëm, krijesa bëhet
banesë e zgjedhur e Krijuesit. Festa e sotme, që shënon fillimin e shëlbimit
tonë, na sjelltë bashkimin e paqen me ndërmjetësinë e Vashës së Nazaretit. Krishterimi
me emërtime të ndryshme e nderon Virgjërën Mari dhe Atë ia paraqet besimtarëve si
shembull e shkollë feje (besimi), shërbimi e përkushtimi ndaj Zotit e ndaj të afërmit.
Pse? Sepse “Virgjëra Mari është shenjtërorja e gjallë e Fjalës së Zotit, Arka e Besëlidhjes
së Re dhe të amshuar.” Koncili Kishtar i Efezit (viti 431) në fakt e pohoi amësinë
hyjnore të Marisë duke e quajtur Theotókos, sepse prej Saj lindi Fjala, falë Saj u
bë njeri Biri i Zotit, që jetoi mes nesh. E duke mbërritur përmes shekujsh tek
Koncili II Ekumenik i Vatikanit vëmë re se në këtë Koncil Maria u shpall “fytyrë e
Kishës e shembull i shkëlqyer i besimit dhe i dashurisë”, duke nënvizuar kështu në
mënyrë të veçantë qenien e saj shembull për Kishën. “Kisha, gjatë gjithë jetës së
saj, e mban me Nënën e Zotit një lidhje që në misterin e shpëtimit, rrok të kaluarën,
të tashmen dhe të ardhmen dhe e nderon si nënë shpirtërore të njerëzimit dhe ndërmjetësuese
hiresh Hyjnore”.