Organizatori i Kuvendit të Arbërit imzot Vinçenc Zmajeviç në përvjetorin e vdekjes
Si sot më 11 shtator 1745 u nda nga jeta kryeipeshkvi i Tivarit imzot Vinçenc (Visk)
Zmajeviç, personalitet i shquar kishtar i shekullit të 18, me origjinë kroate që ruajti
rol të rëndësishëm në historinë e Kishës shqiptare e sidomos në organizimin e Kuvendit
Kishtar të Arbërit . Imzot Zmajeviçi u mor me organizimin por edhe me hartimin
e dokumenteve të Kuvendit Kishtar të Arbërit që u botuan më 1703 në latinisht e shqip.
Po kështu imzot Zmajeviçi ndihmoi për përhapjen e shkollave shqipe dhe për botimin
e librave liturgjike e katekistike shqip.
Mons.
Vinçenc Zmajeviq dhe Kuvendi i Arbnit i vitit 1703 nga Petrit Nika Historia
njerëzore përgjatë vazhdimësisë ekzistente të saj, ka provuar se ka njerëz në botë,
të cilët me veprën e tyre dimensionale të gdhendur në kohë, me maturi, me djersë dhe
me mund, e përjetësuan emrin e tyre në librin e madh të gjithëkohësisë, në një ndër
faqet e tij të shumta, në një ndër zërat e tij të shumtë, duke i dhënë kështu dritë
një epoke të caktuar; - pikërisht asaj epoke përgjatë së cilës ata rrojtën. Vitet
mandej ikin e ikin pambarim, brezat ndërrohen mbi dhé, sistemet shoqërore e politike
ia lënë vendin njëri-tjetrit, kulturat njerëzore s’reshtin së kërkuari përsosmërinë,
megjithatë shfletimi i herëpas’hershëm i librit të madh dhe monumental të dëshmive
të së shkuarës, ia qartëson njeriut pjesëzat e panjohura të identitetit të tij kombëtar,
të cilat e ndihmojnë atë mandej për ta krijuar më lehtë dhe më me themel vizionin
e së ardhmes. Një ndër këta njerëz që e përjetësoi emrin e tij në historinë e kulturologjisë
shqiptare qe edhe Mons. Vinçenc Zmajeviqi; klerik i krishterë me prejardhje sllave;
arqipeshkëv i Tivarit, i cili me 11 shtator të këtij viti mbushte plot 259 vjet që
është ndarë nga jeta. Për opinionin publik shqiptar, deri tani emri i këtij personaliteti
njihet pak ose aspak, - kryesisht në një rreth të ngushtë akademikësh të çështjeve
filologjike dhe teologjike, megjithatë vepra e tij, - e cila përbëhet kryesisht nga
disa dokumente që hedhin dritë mbi gjendjen shoqërore dhe kishtare të katër dioqezave
të rëndësishme të asaj kohe, të cilat administroheshin nga Arqipeshkvia e Tivarit,
- përbën një interes për njohje më të thelluara dhe relativisht më të gjera në masën
e publikut kulturëdashës, sepse, “si i tillë Kuvendi i Arbënit, mbas Kuvendit të Lezhës
(1444) dhe mbas luftërave të gjata të Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, ishte ngjarja
më e rëndësishme e historisë shqiptare gjatë gjithë kohës pesëshekullore të sundimit
otoman.” 1 Po kush ishte Vinçenc Zmajeviqi? Çfarë bëri ai për Shqipërinë dhe për
shqiptarët? Këtyre dhe të tjera pyetjeve që kanë të bëjnë me ndriçimin e kësaj figure,
më poshtë do të përpiqem t’ju jap përgjigje, sa më objektivisht që të mundem dhe,
natyrisht, duke u mbështetur në burime (fortlehtë) të verifikueshme. Mons.Vinçenc
Zmajeviq u lind në Perast (Gryka e Kotorrit - sot në Mal të Zi; në kohën e Zmajeviqit
administrohej nga Vatikani), në familjen e Kristoforit dhe Helenës, me 23 dhjetor
1670. Kur erdhi në jetë Vinçenci i vogël, familja Zmajeviq, ndërkohë, kishte krijuar
njëfarë emri të njohur në traditën kishtare vendase, mbasi I ungji i tij Andrea, ishte
prift, madje kishte filluar ngjitjen në hierarkinë e Kishës (në kohën për të cilën
flasim ai ishte abat i Perastit), dhe do të kryesonte Arqipeshkvinë e Tivarit për
24 vjet, që nga viti 1670 e deri në vitin 1694. 2 Andrea, sipas burimeve të cituara,
qe ai që e pagëzoi Vinçencin e vogël dhe, ndoshta që atëherë bashkë me hirin hyjnor
të pagëzimit i dhuroi mrekullisht nipit të tij edhe hirin hyjnor të devotshmërisë,
të humanizmit dhe sakrifikimit të krishterë, duke bërë kështu që në këmbë të tij të
vinte kohë më vonë një tjetër shërbëtor për shtëpinë e Zotit, po nga dera dhe gjaku
i vet. Kur i kishte mbushur të 15 vjetët, djaloshi Zmajeviq u dërgua në Kolegjin
e Propagandës në Romë, për të studiuar filozofi dhe teologji. Që këtu do të fillonte
për të rruga e gjatë dhe e mundimshme e përkushtimit dhe e sakrificës. Sipas të dhënave
që disponojmë, Vinçenci, qysh gjatë kohës së studimit, falë urtësisë dhe nënshtrimit
të plotë ndaj punës, fiton menjëherë respektin e të gjithëve. “I pajisur me një inteligjencë
të shkathët, refleksive dhe përshkuese si dhe me një vullnet të papërkulur, ai kapte
dhe përpinte, si të thuash çdo njohuri.” 3 Mbas përfundimit të studimeve në Kolegjin
e Propaganda Fides, ai kthehet në vendlindje dhe, megjithëse ishte ende në moshë shumë
të re për t’iu besuar ndonjë ofiq i lartë në gjirin e Kishës, atij i besohet atë kohë
Abacia e Shën Gjergjit, “në ishullin me të njëjtin emër pranë Perastit” 4, ku jetoi
e veproi midis viteve 1695 - 1701. 5 Duke patur parasysh aftësitë e tij të spikatura
pastorale, përgatitjen intelektualo-teologjike të shkëlqyer dhe pastërtinë morale
të figurës së tij, pas vdekjes së arqipeshkvit Marin Gjorga 6, pasardhës (në detyrë)
i Andrea Zmajeviqit, Papa Klementi XI, me 18 prill të vitit 1701, e ngarkon atë me
detyrën e lartë të arqipeshkëvit të selisë metropolitane të Tivarit, pavarësisht nga
mosha e tij vetëm tridhjetë e një vjeçare, - tepër e re për këtë detyrë. 7 Megjithë
moshën e re dhe vështirësitë e ndryshme, ai jo vetëm që nuk i zhgënjeu Papa Klementin
XI dhe bashkëkohësit e tij, por përkundrazi, fitoi një reputacion aq të pasur përgjatë
epokës së vet, duke u bërë kështu, siç vëren një biograf i tij, “një ndër njerëzit
më të mëdhenj që ka nxjerrë Dalmacia.” 8 Gjithnjë sipas të dhënave të dokumentuara,
për Zmajeviqin thuhet se zotëronte aftësi të thelluara dhe se kishte mjaft përvojë
në teologji, në të drejtën kanonike dhe në artin e të shkruarit; dihet, gjithashtu
se qe një njohës i zoti i gjuhës latine, paleosllave, kroate e italiane, por për njohjen
e gjuhës shqipe nga ana e tij nuk janë gjetur deri më tani kurrëfarë të dhënash që
ta dëshmojnë një gjë të tillë. 9 Veprimtarinë e tij letrare, thuhet se e filloi që
kur ishte adoleshent, me vëllimin “Razgovor Duhovni”, të cilin e shkruan përpara se
të nisej për studime në Kolegjin e Propagandës, për ta vazhduar më pas me vëllimin
poetik “Musarum chorus in laudem Antonii Zeni”, shkruar gjatë kohës së qëndrimit të
tij në Romë dhe botuar po atje, në vitin 1694. 10 Përveç këtyre, interes përbëjnë
edhe “traktatet e tij të mprehtë dhe të shkëlqyer kundër skizmës së grekërve Servianë
në “Ogledalo istine - Specchio della Veritá”, mbi çështje polemike-dogmatike në formë
dialogu.”11 Pas dhjetë vjet shërbese si arqipeshkëv me seli në Tivar, në maj të vitit
1713, Papa Klementi XI e transferon Zmajeviqin në selinë metropolitane të Zarës, ku
do të shërbente edhe për tridhjetë e dy vjet të tjera me radhë, - deri në fund të
jetës. Për kujdesin e Zmajeviqit, si arqipeshkëv i Zarës, lidhur me çështjet shqiptare,
dëshmojnë relacionet e tij dërguar papës, kardinalëve dhe personaliteteve të tjera
të Kurjes Romake. 12 Natyrisht, një ndër veprat më të vështira për t’u realizuar,
por që ai ia doli mbanë me sukses, qe “Kuvendi i Arbënit” i vitit 1703, për të cilin
ai vetë thotë se, “ishte përtej kufijve të forcës sime”. 13 Në letrën që Zmajeviqi
i dërgonte Klementit XI, përshkruhet me nota dhimbjeje të thellë realiteti mizerabël
që kishte parë ai gjatë vizitës së tij apostolike nëpër Shqipëri, më saktë; në të
katër ipeshkvitë kryesore të Arqipeshkvisë së Tivarit. “Ti më urdhërove o Shenjti
Atë Papë, t’i vizitoj e t’i vë re, si vizitor apostolik, kishat e Shqipërisë, dheut
tim. (vini re se ç’dashuri e lidh me Shqipërinë, sa e quan si dheun e tij, /- shën.
P. N.) Unë iu përmbajta urdhërit, iu solla dheut rreth e rreth (…) dhe pashë pleqtë
duke vajtuar, meshtarët, shërbëtorët e Zotit duke qarë e duke lotuar; barinjtë travajuar,
dhentë shpërndarë e tretur nëpër pyll; pashë murtajën që mbytte gjind e bënte kërdi
të madhe nëpër të gjitha vendet. Këto vuajtje i pashë dhe gjëmova; zemra, bashkuar
me mjerimet e popullit tim (vini re këndvështrimin pastoral, prej nga e quan popullin
shqiptar si popullin e tij, /- Shën. P. N.), donte të më ndahej përgjysmë.” 14 Prej
Kurbinit, me 10 dhjetor të vitit 1702, ndërkohë që po i afrohej fundi vizitës së tij
baritore, duke u shkruar ipeshkvijve për t’i mbledhur në sinod, përshkruan në mënyrë
panoramike Shqipërinë e asaj kohe; ” pa pushuar jam duke kaluar qytetet, katundet,
lagjet e gjithë mbarë kopshtin (bashtinën) e Tënzot. (…) E pashë vreshtin e Tënzot
të prishur e të shkatërruar, lënë si një gjë mbetur shkretë, mbuluar prej ferrmacash,
prej ferrash, prej rrozgash.” 15 Mandej, për të ngacmuar ndërgjegjen e tyre vazhdon
më poshtë; “Ndër të gjitha këto ngatërrime e pështjellime ç’ka të bëjmë, o vëllezër?
(…) Të hyjmë, pra, të punojmë vreshtin, që e kemi përpara syvet, të hyjmë ta dëlirim
prej ferrave; e ferrat t’i këpusim në rrënjë që të mos dalin përsëri; të mos e bjerrim
motin, pra rrënjët të mos forcohen e të mos përhapen nëpër vresht edhe më zi. Kjo
punë kaq e mirë dhe e lavdërueshme, edhe e meritueshme, ka mbetur jo tek unë, por
në të mbledhurit e ipeshkvijve në Kuvend.” 16 Ky Kuvendi u mbajt një muaj më vonë
mbas nënshkrimit të kësaj letre, në Mërqi të Arbërisë, Dioqezi i Lezhës, 301 vjet
më parë, me 14 dhe me 15 janar të vitit 1703. 17 Sigurisht, ishte e shumëpritur kjo
ngjarje për krishtërimin mbarëshqiptar të asaj kohe, mbasi mbahej në një moment kritik
degradimi shpirtëror e bjerrashprese të gjithëmbarshme, kur jo vetëm masat e gjera
të popullsisë se thjeshtë, por edhe pjesa dominante e klerikëve të krishterë, po kridhej
përherë e më tepër në një humbëtirë vdekësore identiteti, nga formimi i pamjaftueshëm
arsimor dhe nga represionet e gjithanshme që u bëheshin pandërprerë nga turqit për
t’i islamizuar. Mons. Zmajeviqi këtë realitet e konstatoi me dhimbje, siç edhe e pamë,
gjatë vizitës së tij apostolike në dioqezat e administruara prej tij, por në fjalën
e hapjes së Kuvendit, në vend që të tregonte autoritetin e tij suprem duke mbajtur
qëndrim të reptë dhe qortues ndaj shkeljeve të ngadonjëhershme të shërbëtorëve të
Kishës, ai shprehet në mënyrë prekëse dhe të përmallshme, i ngazëllyer që ata iu përgjigjën
njëzëri thirrjes së tij duke marrë pjesë në kuvend, me fjalët; ” Qe, më në fund, o
vëllezër fort të ndershëm, mbasi shkuan një tubë vjetësh, mbasi patëm pritur tash
sa mot, në fund qielli u çel e na e fali shiun e toka gufoi e na dha gazmendin, gazin
dhe kënaqësinë. (…) Kjo e mirë njëmend erdhi prej Zotit të mëshirshëm, që unë të mos
ju shoh më të shpërndarë e me frikë, por t’ju shoh këtu mbledhur bashkë.” 18 Kështu
Zmajeviqi, në vend që t’i gandonte edhe më zemrat e tyre të pikëlluara, gjë që jo
vetëm do të ishte antihumane, por ndoshta edhe me pasoja të pallogaritshme në shërbesë,
- vepron në të kundërt; me takt dhe me diplomaci i fiton sërish ato zemra, duke u
komunikuar fjalën e ëmbël të njeriut të kulturuar, duke u rikthyer shpresën e humbur
dhe besimin. Me këtë gjë ai tregon edhe njëherë mendjemprehtësinë dhe formimin e tij
të shkëlqyer në shkencat humane, që e karakterizonte, por ndoshta edhe një gëzim,
thjeshtë, të çiltër, të frymëzuar nga besimi në misionin e veprës së tij aq të madhe,
siç ishte ai Kuvend, jehona e të cilit do t’i kapërcente sinoret e largët e vështrimturbull
të shekujve. Duke referuar për këtë Kuvend Mons. Zef Gashi shkruan se, ” Kuvendi i
Arbënit ishte kuvendi i mendjes dhe i shpirtit shqiptar të asaj kohe. Në të u morën
vendime të qenësishme dhe u përcaktuan detyra të pandërmjeme për ringjalljen dhe për
pasurimin e jetës shpirtërore e fetare, por edhe të asaj kombëtare, politike dhe kulturore.”
19 Aktet e këtij Kuvendi u botuan të plota tre vjet më vonë pas mbajtjes së tij,
në tipografinë e Propaganda Fides në Romë, në vitin 1706 nën titullin: “Concilium
Provinciale sive Nationale / ALBANUM / Habitum Anno MDCCIII. / Clemente XI. Pont.
Max. / ALBANO. / SUPERIORUM PERMISU. ” Interesante është se materialet dokumentare
janë botuar që atëherë, në të dy versionet; përkatësisht në gjuhën latine dhe shqipe,
gjë që e bën veprën me vlerë edhe për nga pikëpamja leksikore. Botimi i dytë i librit
të Kuvendit u bë 162 vjet më vonë, në vitin 1868, i përkthyer dhe i përshtatur me
shënime sqaruese gjuhësore nga P. Rajmond Gallani dhe P. Egidio Quinto d’Armeno, ky
i fundit prefekt i misionarëve të Shqipërisë, - persona këta që e shoqëruan vizitatorin
gjatë vizitës së tij apostolike në secilën dioqezë. 20 Kurse për përkthimin shqip
të këtyre akteve, përsa i përket botimit të 1706 - ës, nuk gjenden të dhëna konkrete.
Për herë të tretë “Kuvendi i Arbënit” u botua më 1872, si gjithmonë, në Romë, në tipografinë
e Propagandës me titullin: “Konçilli / i Dheut Shqypnis / Bamun n’ vjet 1703 / N’koh
t’paps shqyptarit / Klementit t’njimdhetit / disa EMERNAME / dalun prej Romet mas
Konçillit qi perkasin / Kishave t’Arbnis / I ka qit Shqyp / Don ENJELL RADOJA / Prift’
i Djoqezit Shkoder / n’ Rom. / .me shtamp t’Kuvendit S. T’Propagands / 1872.” Në
këtë botim, përveçse është përdorur një sistem garfik fonematik më i kuptueshëm, janë
futur shtesë edhe dy materiale të tjera prej këtij prifti shkodran që u kujdes për
botimin. Në njërin nga tekstet e shtuara prej tij ai i drejtohet lexuesit, ku i bën
me dije se Karlo Pooten, kryeipeshkëv i Tivarit dhe i Shkodrës, i ka ngarkuar detyrë
“me i nkthy n’ghiuh ton Conci in” 21, kurse në dokumentin tjetër; “Do habere permi
Sckodr”, - siç duket edhe për nga titulli, - jepen disa të dhëna mbi qytetin e Shkodrës,
ku ai i kujton lexuesit se; “Gjithë shqiptarët e dinë fort mirë që Shkodra është kryet
e Arbërisë dhe që për shumë sende ka lanë namë.” 22 Një studim i gjatë dhe me nivel
të lartë informacioni e erudicioni është kryer nga P. Vinçenc Malaj me titull; “Kuvendi
i Arbënit 1703″, - Concilio Nazionale Albanese del 1703. Inquadramento storico, testo
Albanese e glosario”, i cili ishte një disertacion që u mbrojt nga autori me 28 mars
të vitit 1973, përpara një komisioni akademikësh në përbërjen e udhëheqjes së të cilit
ndodhej edhe Prof. dr. Ernest Koliqi. Pavarësisht vlerave të tij unikale, edhe si
temë, edhe si realizim me nivel të mirëfilltë shkencor, ky disertacion e pa dritën
e botimit për herë të parë vetëm në vitin 1998, i shtypur në një sasi të vogël ekzemplarësh
(vetëm 300 kopje) nga Instituti i Filozofisë dhe Sociologjisë në Prishtinë. Ndërsa
botimi i plotë, ku janë përfshirë edhe dy botimet e mëparshme të Kuvendit, ai i vitit
1706 dhe ai i 1872 - it, u bë nga Konferenca Ipeshkvore Shqiptare - Tiranë / Prishtinë
2003, me rastin e 300 vjetorit të mbajtjes së Kuvendit të Arbënit, nën kujdesin e
Kyeipeshkëvit të Tivarit Mons. Zef Gashi dhe me një përshtatje në gjuhën e sotme nga
Anton Nikë Berisha, profesor në Universitetin e Kozencës. E rëndësishme është që
ta kuptojmë dhe ta pranojmë se Vinçenc Zmajeviq me “Kuvendin e Arbënit” dritësojnë
humnerën e thellë të viteve të para të njëmijë e shtatëqindëshit, kohë që rezulton
të jetë tepër e varfër në dëshmi dokumentare. Mandej kjo vepër përbën një visar më
vete në lëmin e historisë dhe kulturologjisë shqiptare mbasi u mbrujt për Shqipërinë
dhe shqiptarët me aq përkushtim e dashuri nga një vehtje e një kombësie sllave, por
që gjithësesi, s’themi dot - “i huaj”, - sepse, siç e pamë, ai e quante Shqipërinë
sa herë si dheun e tij dhe popullin shqiptar si popullin e vet. Si i tillë për nga
vlerat e gjithanshme që paraqet, “Kuvendit të Arbënit të vitit 1703″, i takon padyshim
një vend i rëndësishëm në historinë e kombit tonë si një ngjarje e veçantë historike,
e cila përbënte për të, - në periudhën ndoshta më të errët të tij, - një moment shprese
dhe kthimi përkah ringjallja e vetëdijës shpirtërore e nacionale. Shpresoj të mos
e kem tepruar, por të gjej mbështetje nga studiuesit dhe kulturologët, nëse shprehem
këtu se: - ai qe hapi i parë drejt Rilindjes Kombëtare. ________ Shënime bibliografike 1.
Mons. Zef Gashi, Kuvendi i Arbënit 1703, Prishtinë 2003/ Fjalë paraprake, fq. VII
- VIII. 2. Arch. Parrochiale di Perasto, Libro dei balttezzati, Vëll. I, fleta
319 (olim fq. 25), n. 43./ cit. sipas P. Vinçenc Malaj; Kuvendi i Arbënit 1703, Instituti
i Filozofisë dhe Sociologjisë, Prishtinë 1998, fq. 43 - 44. 3. Bassich, Notizie
della vita e degli scritti di tre illustri Perastini, Ragusa 1833, fq. 2 - 3 / cit.
sipas P.V. Malaj. Vep. Cit., fq. 44. 4. P. V. Malaj, Vep. cit., fq 44. 5. A.
Bassich, Notizie, fq. 4; P. Butorac, Zmajevici (Ogledi), Ekst. Nga Hrvatska Prosvjeta,
Zagreb 1928, fq 16. Mbi jetën dhe veprimtarinë e arqipeshkvit V. Zmajeviq, shih edhe
P. Bartl, Erzbischaf Vinzenz Zmajevic als “visitator Apostolicus albaniae”, në SH.
P, L, Roma 1972, fq. 205 - 224 /cit. P. V. Malaj, Vep. Cit., fq. 44. 6. D. Farlati,
Illyricum Sacrum, Tom. VII, fq. 140 - 141; EUBEL - RITZER - SEFRIN, Hierarchia catholica,
Vell. V, fq 88/ cit, P. V. Malaj, Vep. Cit., fq. 45. 7. D. Farlati. Illyricum Sacrum…
fq. 141 e në vazhdim. / cit. P. V. Malaj, Vep. Cit, po aty. 8. F. M. Appendini,
Memorie spettanti ad alcuni uomini illustri di Cattaro, Ragusa, Martecchini, 1811,
fq. 53 / cit, P. V. Malaj, Vep. Cit., fq. 48 9. P. V. Malaj, Vep. Cit., fq. 48. 10.
P. Butorac, Zmajević, fq. 24 /cit. P. V. Malaj, Vep. Cit. fq, 51 11. P. V. Malaj,
Vep. Cit. fq. 51 - 52 12. Ark. Sek., Fondi Albani, Vëll. 222, T. III e në vazhdim.
/ cit. P. V. Malaj, Vep. Cit., fq. 52 13. Kuvendi i Arbënit 1703, Prishtinë 2003,
Letra e V. Zmajeviqit dërguar Papës me 10 korrik 1703, fq. 378. 14. Mons. V. Zmajeviq,
Letra…, Vep. Cit., fq. 377 - 378 15. Po aty, fq. 380 16. Po aty, fq. 380 - 381 17.
Mons. Zef Gashi, Kuvendi i Arbënit 1703, / Fjalë paraprake, fq. VII. 18. Kuvendi
i Arbënit 1703, Prishtinë 2003, fq. 383 19. Mons. Zef Gashi. Kuvendi i Arbënit
1703, / Fjalë…, fq. XIII 20. P. V. Malaj, Vep. Cit., fq. 98 21. Kuvendi i Arbënit
1703, Prishtinë 2003, fq. 253 22. Po aty, fq. 375