2010-09-10 17:37:56

Benedikti XVI ipeshkvijve të Brazilit: feja e njerëzve që ende është e paqartë, kërkon ungjillëzim të ri për të takuar Krishtin e gjallë.


“Dialogu ndërmjet të krishterëve është imperativi i kohës sonë dhe përcaktim i pakthyeshëm i Kishës”. Ky pohim i Papës Benediktit XVI, shpreh para grupit të ipeshkvijve katolikë të Rajonit Verilindje 3 të Brazilit, gjatë audiencës së sotme në Pallatin apostolik në Kastelgandolfo, në përfundim të vizitës së tyre ad Limina Apostolorum, është sintezë e fjalimit që Papa u drejtoi prelatëve duke trajtuar problemin e largimit të shoqërisë braziliane nga krishterimi dhe çështjen e riungjillëzimit.
“Pesë shekuj më parë, është kremtuar Mesha e parë në Brazil në rajonin tuaj”, lindur “nën mbrojtjen e Kryqit të Shenjtë”. Kështu e filloi Benedikti XVI fjalimin e tij drejtuar grupit të ipeshkvijve të rajonit Verilindje 3 të Brazilit, që përfshin afër 16 milionë banorë. Drita e atij kujtimi premtues ka filluar të shuhet prej kohe, thotë haptas e sinqerisht Papa duke folur mbi realitetin aktual të një popullsie të mbrujtur e të formuar në atë Dritë, mirëpo sot, këto “vlera të fesë katolike”, besimtarët janë gjithnjë e më pak të prirur t’i konsiderojnë si udhërrëfyese e stil të jetës:
Sot vërehet një ndikim në rritje e sipër i elementeve të reja në shoqëri, që deri para pak dekadash ishin krejtësisht të panjohura. Ky faktor provokon një braktisje konstante të jetës kishtare e madje edhe të vetë Kishës,nga ana e katolikëve, derisa anën tjetër, në panoramën fetare të Brazilit, shohim një përhapje të shpejtë të bashkësive ungjillore e neo-pentekostale”.
Duke u nisur nga ky realitet, Papa bëri një analizë të hollësishme rreth shkaqeve që janë, vërejti ai, “në rrënjët e sukseseve të këtyre grupeve”, e që i përgjigjen “përhapjes së etjes për Zotin” që kanë brazilianët. Mirëpo një sukses i tillë, vërejti Papa me syrin kritik, është edhe tregues i “një ungjillëzimi, që në nivelin personal, shpesh herë është sipërfaqësor”:
“Faktikisht, të pagëzuarit që nuk janë të ungjillëzuar në mënyrë të mjaftueshme, janë lehtë të ndikueshëm sepse e kanë fenë e brishtë dhe shpesh të bazuar vetëm mbi përshpirtërinë e çiltër e të thjeshtë, e megjithatë, siç thash, e ruajnë fenë e patundur e të gjallë. Nga fotografia që del në pah, në rend të parë, vërehet nevoja që Kisha katolike në Brazil duhet të angazhohet në një ungjillëzim të ri drejtuar njerëzve që e njohin pak apo aspak mesazhin ungjillor, e ata t’i sjell në takimin e tyre personal me Jezu Krishtin e gjallë e veprues në Kishën e tij”.







All the contents on this site are copyrighted ©.