2010-09-10 17:51:18

Asambleja e Përgjithshme e KB miratoi rezolutën e re mbi Kosovën


Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara natën e kaluar ka miratuar një rezolutë mbi Kosovën, në të cilën i bën thirrje për dialog Prishtinës e Beogradit. Dokumenti, i paraqitur nga Serbia pas një marrëveshje me Bashkimin Evropian, është miratuar njëzëri e pa asnjë votim nga ana e Asamblesë, siç njoftojnë mediat serbe.
Por takimi i djeshëm nuk kaloi pa momente dramatike. Ai filloi dy orë e gjysmë më vonë pasi Serbia kundërshtoi praninë e Presidentit të Kosovës, Kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm në galerinë e Sallës së Asamblesë së Përgjithshme. Pala kosovare refuzoi këtë, ndërsa pas konsultimeve të shumta, kryesuesi i Asamblesë së Përgjithshme shpjegoi se përfaqësuesit e Kosovës janë mysafirë të delegacioneve të Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, SHBA së dhe Francës. Serbia ka hequr dorë nga sfidimi i pavarësisë së Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Në një marrëveshje të momentit të fundit, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Beogradi tërhoqi rezolutën e tij me një gjuhë të ashpër dhe e zëvendësoi atë me një tekst kompromisi që bën thirrje për dialog.
Kjo rezolutë u miratua nga shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara. Ndryshe Beogradi u tërhoq në momentin e fundit, duke ndryshuar gjuhën e rezolutës fillestare që kishte shumë të ngjarë të ishte hedhur poshtë. Kështu rezoluta e miratuar mbrëmë në mesnatë u sponsorizua nga Serbia dhe 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Ajo pranoi ofertën e BE së për të ndihmuar në procesin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës për të nxitur bashkëpunimin. Ajo hoqi edhe pjesë të rezolutës që e quanin shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës të papranueshme. Nga rezoluta është hequr gjithashtu kundërshtimi i Serbisë ndaj vendimit këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se pavarësia e Kosovës nuk shkel ligjin ndërkombëtar. Por ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, theksoi përsëri se vendi i tij nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës. "Republika e Serbisë nuk e ka njohur dhe nuk do ta njohë kurrë shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës".
Ndërkaq, ambasadori i Britanisë së Madhe në OKB, Mark Lioll Grant, tha se beson se Serbia ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm përpara në marrëdhëniet e saj me Kosovën. "Për mendimin tim është me rëndësi që Serbia tërhoqi rezolutën origjinale dhe parashtroi në bashkëpunim me Bashkimin Evropian një rezolutë konsensuale. Për mendimin tim kjo përbën një hap shumë të rëndësishëm përpara që është shumë i mirëpritur. Ky është fillimi i një faze të re në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë". Para votimit, për fjalë u paraqitën vetëm tri delegacione: Azerbajxhani, Venezuela dhe Argjentina, të cilat kundërshtuan pavarësinë e Kosovës. Ndërsa pas miratimit me aklamacion shumë delegacione shpjeguan qëndrimet e tyre. Ambasadorja amerikane Rozmari DiKarlo theksoi se "Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka dhënë një përgjigje të qartë se pavarësia e Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare". SHBA ja është e mendimit se ka ardhur koha që të shikohet përpara dhe të ndërtohen marrëdhënie të reja, që hapin perspektivën e përmirësimit të kushteve të jetës në Kosovë dhe anëtarësimit të rajonit në BE.
Ambasadorja amerikane tha se vendi i saj do të mbështetë procesin e integrimit të rajonit në strukturat euroatlantike. Me fjalë të ngjashme u shpreh edhe ambasadori i Turqisë, i cili mbështeti pavarësinë e Kosovës, integrimin e saj në nismat rajonale dhe dialogun për çështjen konkrete. Përfaqësuesi i Shqipërisë përshëndeti vendimin e Serbisë që të tërheqë "propozimin e mëparshëm destruktiv", me të cilin kundërshtohej pavarësia e Kosovës. Tirana zyrtare theksoi se Kosova është një rast unik që nuk mund të përdoret prej vendeve tjera. "Pavarësia e Kosovës është realitet i njohur nga shumë shtete. Ndërsa opinioni i GJND së duhet të ndihmojë njohjen e Kosovës edhe prej shumë shteteve tjera", theksoi ai. Ndërkaq për Brazilin rezoluta është vetëm një "ombrellë për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, për gjetjen e një zgjidhje në bazë të rezolutës 1244 të KS të OKB së".
Përfaqësuesi i Rusisë theksoi se qëndrimi i Moskës ndaj Kosovës mbetet i pandryshuar. "Rusia është e mendimit se rezoluta 1244 duhet të mbetet në fuqi dhe paraqet bazë për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Kjo zgjidhje mund të konfirmohet vetëm prej KS të OKB së", theksoi ai. Përcaktimin për dialog mbështeti edhe Kina, si rrugën më të mirë për zgjidhjen e problemeve. "Respektimi i integritetit territorial është çështje themelore e të drejtës ndërkombëtare. Sovraniteti dhe integriteti territorial duhet të respektohen nga të gjitha palët", theksoi përfaqësuesi i Kinës.
Eshton: Miratimi i rezolutës një hap i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë
Përfaqësuesja e lartë e BE së për politikë të jashtme, Ketrin Eshton, përgëzoi miratimin e rezolutës nga OKB ja dhe e cilësoi atë një hap të rëndësishëm përpara për të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë. BE ja ka shprehur gatishmërinë të lehtësojë dialogun mes dy vendeve për të promovuar bashkëpunimin, për arritjen e përparimeve në rrugën drejt Evropës dhe përmirësimin e jetës për popujt e të dy vendeve. Vetë procesi i dialogut do të jetë një faktor për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon, thuhet në deklaratën e përfaqësueses së lartë të BE së për politikën e jashtme, Ketrin Eshton.
Dr. Karpen: Pas vendimit të AP, një valë e re njohjesh për Kosovën
Dr. Urlih (Ulrich) Karpen nga Universiteti i Hamburgut, specialist për çështjet konstituitive dhe të drejtën ndërkombëtare, duke folur për tekstin e rezolutës për Kosovën të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, vlerëson se "më e rëndësishmja është që e gjitha nuk ka të bëjë me aktin ligjor të njohjes, por me fillimin e një dialogu midis Bashkimit Evropian, Serbisë dhe Kosovës për të sjellë paqen në këtë rajon të vështirë". "Fillimi i bisedimeve për bashkëpunimin miqësor është ajo, çka i duhet në radhë të parë BE së, Kosovës dhe Serbisë", theksoi Dr. Karpen në një intervistë për "Deutsche Wellen". Në konstatimin se kjo është pjesa politike dhe nuk ka të bëjë me çështjen e kufijve dhe të statusit, Karpen tha se gjithsesi se ka të bëjë, duke shtuar se "pjesa politike është si gjithnjë shumë e rëndësishme, tregon për të ardhmen dhe pengon lindjen e tensioneve dhe aksionet jomiqësore midis shqiptarëve dhe serbëve". Sipas tij, pjesa juridike është e rëndësishme dhe se "kjo është pika e parë".
Më tej ai sqaron: "Një forcë e re shtetërore futet në jetë (si në rastin e Kosovës), thotë Gjykata dhe e drejta ndërkombëtare, nëse shteti i parë ka hequr dorë nga sovraniteti territorial, këtë Serbia nuk e ka bërë, ose nëse kushtet e sjellin që ripushtimi e territoreve të humbura të mos ketë më mundësi të ndodhë. Për këtë çështje vazhdojnë diskutimet. Ministri serb thotë se Serbia nuk do të heqë dorë". Mirëpo, Dr. Ulrih Karpen atë që vendosi Asambleja e Përgjithshme e OKB së e interpreton në këtë mënyrë: "Serbia në të ardhmen nuk do të kryejë më aksione luftarake për rimarrjen e Kosovës". Serbia, thotë ai, nuk ndërmerr aksione luftarake për rimarrjen e territoreve dhe se shumë e rëndësishme për njohjen juridike të Kosovës është njohja nga shtetet e tjera. Ai shprehet i sigurt se vendimi Asamblesë së Përgjithshme do të çojë në një valë të re njohjesh për Kosovën. (kosova.com)







All the contents on this site are copyrighted ©.