2010-09-09 15:06:11

Çelësi i fjalëve të Kishës: "mikpritja" në Shkrimin e Shenjtë


Të dashur dëgjues, një nga fjalët më të lashta, më të rëndësishme e më të përdorura nga populli shqiptar është “mikpritja”. Shqiptarët janë krenarë për mënyrën si e presin mikun, i cili nderohet, vlerësohet, shërbehet e mbrohet me njëmijë mënyra. Po ç’thotë Shkrimi i Shenjtë për “mikpritjen”? Pikërisht kjo është fjala, që do të shtjellojmë sot.


Të gjithë e kemi parasysh skenën e gjallë në kapitullin 18 të Librit të Zanafillës. Në vapën e verës asgjë s’lëviz, por sapo duken në horizont tre miq, gjithçka gjallërohet në një lëvizje gati frenetike: Abrahami vrapon t’i presë, urdhëron të sjellin ujë për t’u larë këmbët udhëtarëve, shkon vrap të sjellë ushqim, duke nxitur të shoqen, Sarën, ai vetë ther viçin për sofrën e, ndërsa miqtë hanë, ai qëndron në këmbë për t’u shërbyer. Në lashtësinë e Lindjes së Afërt, mikpritja, jo vetëm ishte ligj i shenjtë, por edhe kodifikohej me norma të sakta e rigoroze.
Për këtë arsye, tradhtia ndaj mikut konsiderohet një krim shumë i rëndë. E dëshmon këtë vazhdimi i historisë së tre personave(engjëjve), që shkojnë më pas te Loti në Sodomë e aty, rrezikojnë të pësojnë dhunë (Zan 19; shih edhe tregimin e tmerrshëm të Gjq 19). Një i huaj, që pritej si mik, kishte të njëjtat të drejta si banorët e vendit, siç përcaktohet me këtë normë biblike, marrë nga Levitiku: “Nëse jeton me ty i huaji në tokën tuaj mos e shtypni; por le të jetë ndër ju si vendas dhe duaje si vetveten: edhe ju keni qenë të huaj në dheun e Egjiptit” (Lev 19,33-34).
Në misionin e tij si predikatar, për të cilin shtegtonte nga njëri vend në tjetrin, Jezusi do ta pranojë me gëzim ofertën e mikpritjes, duke pranuar të ulet në tryezë në situata jo të lehta (për shembull, me publikanët Mateu e Zakeu e me persona që nuk i shihnin me sy të mirë). Jezusi u këshillon edhe dishepujve të bëjnë kështu: “Kudo që të hyni në ndonjë shtëpi, rrini aty derisa të mos largoheni nga ai vend” (Mk 6,10). Edhe gjesti më i thjeshtë, siç është ai i dhënies së një gote me ujë të freskët, do të shpërblehet nga Hyji, që është në qiell (Mt 10,42). E pikërisht, në këtë linjë e dritë, Jezusit i pëlqen mikpritja e thjeshtë e përzemërt dhe plot përkushtim, që i rezervojnë Maria, Marta e Lazri (Lk 10,38-42; Gjn 12,1-11).
Nga shkrimet e Besëlidhjes së Re del qartë praktika e mikpritjes vëllazërore ndërmjet anëtarëve të bashkësive të ndryshme kishtare. Vetë Shën Pali Apostull, gjatë udhëtimeve të tij misionare, pritet nga disa familje (shih Rm 16,23). Madje, letra e tij e fundit, që i drejtohet mikut Filemonit, mbyllet me kërkesën: “ma bëj gati një banesë, sepse, në saje të lutjeve tuaja, shpresoj se do t’ju dhurohem” (Flm 22). Mikpritja pra, është pjesë e ekzistencës së krishterë dhe është fytyra tjetër e qëllimit të dashurisë, aq sa, gjykimi i mbramë i çdo njeriu do të bazohet mbi këtë aspekt: “Pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar e më përbujtët”, pohon Jezusi në Ungjillin e Mateut. (Mt 25,35).
Mikpritja është filli që përshkon tërë Shkrimin Shenjt. E detyra jonë si besimtarë është ta gjejmë këtë fill, duke e rezervuar bujarinë tonë sidomos për të fundmit e të mënjanuarit, sipas shembullit të së Lumes Nënë Terezë e duke pasur parasysh atë që thotë Letra drejtuar Hebrenjve: “Mos e lini pas dore mikpritjen, sepse me anë të saj, disa, pa ditur, i pritën miq engjëjt!” (13,2). Sepse, siç pati thënë Jezu Krishti, “kush ju pranon ju, më pranon mua; e kush më pranon mua, pranon Atë që më dërgoi mua” (Mt 10,40).







All the contents on this site are copyrighted ©.