SHBA: Sekretarja Klinton kritikon propozimin e kishës evangjeliste për të djegur Kuranin
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, e quajti “veprim ofendues dhe për
keqardhje” planin e një kishe të vogël evangjeliste për të djegur kopje të Kuranit,
më 11 shtator. Zonja Klinto komentoi mbrëmë, gjatë një iftari të shtruar në Departamentin
amerikan të Shtetit. Organizata e vogël e krishterë në Florida ka njoftuar se
të shtunën, më 11 shtator, do t’i djegë disa kopje të Kuranit, në shenjë proteste
kundër ekstremistëve të dhunshëm islamistë. Të shtunën shënohet nëntë vjetori
i sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara. Sipas amendamentit
të parë të Kushtetutës amerikane, i cili garanton lirinë e shprehjes, kisha ka të
drejtë ta djegë librin e shenjtë. Udhëheqës të tjerë fetarë në Florida druajnë
se kjo ngjarje do të dërgojë mesazh të gabuar për tolerancën fetare. Prifti i Kishës
së vogël në Florida, Terri Xhons, tha se ai dhe anëtarë të tjerë të kishës kanë në
plan të djegin 200 kuranë, të shtunën, pavarësisht nga kërcënimet me vdekje.