2010-09-09 13:59:39

Benedikti XVI drejtuar Këshillit të Evropës: feja e krishterë mbron të drejtat njerëzore universale


“Maturia, urtia e guximi” le të mbështesin “misionin tuaj të veçantë e të rëndësishëm”, kështu tha Benedikti XVI, në takim me anëtarët e Zyrës së Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, të cilët i priti në Sallën e Palit VI, dje pas audiencës së përgjithshme, me rastin e 60 vjetorit të Konventës evropiane të të drejtave të njeriut.
Puna juaj le të jetë përherë mision “në shërbimin e së mirës së përbashkët të Evropës”, uroj Papa Racinger, duke u rekomanduar “maturinë, urtinë e guximin”, në përballimin e çështjeve të “rëndësishme” që janë në agjendën e Asamblesë parlamentare evropiane, e që interesojnë sidomos “njerëzit që jetojnë në situata posaçërisht të vështira apo pësojnë shkelje të rënda të dinjitetit të tyre”: “persona që janë të goditur nga handikapi, fëmijë që pësojnë dhunë, emigrantë, refugjatë, ata që paguajnë çmimin më të shtrenjtë e mč të lartë për shkak të krizës aktuale ekonomike e financiare, ata që janë viktima të ekstremizmit apo të formave të reja të skllavërisë, si trafiku i qenieve njerëzore, tregtimi i paligjshëm i drogës e i prostitucionit”, e kështu edhe viktimat e luftës dhe të gjithë ata njerëz që jetojnë në demokraci të brishta”.
Ati i Shenjtë Benedikti XVI tha se është “mirë i informuar” për orvatjet që po bëhen në Këshillin e Evropës “për mbrojtjen e lirisë fetare dhe kundërshtimin e dhunës e të mos tolerancës kundër besimtarëve në Evropë e në botën mbarë”....
“...duke pasur parasysh kontekstin e shoqërisë së sotme ku takohen popuj e kultura të ndryshme, është një imperativ - saktësoi Papa - zhvillimi i vlerës universale të të drejtave njerëzore e kështu edhe pacenueshmëria e tyre, patjetërsueshmëria e pandashmëria e këtyre të drejtave.”
Benedikti XVI më tej kujtoi edhe “ rreziqet që lidhet me relativizmin në fushën e vlerave, të të drejtave e të obligimeve”, dhe pyet: “ Po sikur këtyre t’u mungonte themeli objektiv racional, që e kanë të përbashkët të gjithë popujt, e të ishin krejtësisht të bazuara mbi kultura të veçanta, masat ligjore apo vendimet gjyqësore, si do të mund t’u ofronin një teren të qëndrueshëm e të fortë institucioneve mbikombëtare, siç është Këshilli i Evropës? Si do të mund të kishim një dialog të frytshëm ndërmjet kulturave” pa “parime universale që kuptohen e respektohen në të njëjtën mënyrë nga Shtetet anëtare”? “Vlerat, të drejtat e obligimet” që “janë rrënjosur - ripohoi Papa - në dinjitetin e çdo njeriu, janë diçka që është e kuptueshme dhe e pranueshme për arsyetimin njerëzor”.
Feja e krishterë - përfundoi Papa Racinger - nuk e ndalon, nuk e pengon, por e favorizon këtë kërkim, dhe kjo është një thirrje për të kërkuar bazat mbinatyrore të këtij dinjiteti”.







All the contents on this site are copyrighted ©.