2010-09-07 16:13:08

Vizita "ad Limina Apostolorum" e ipeshkvijve katolikë të rajonit Verilindje të Brazilit në Vatikan


Që nga fillimi i muajit shtator, Benedikti XVI është duke prit në Kastelgandolfo ipeshkvijtë katolikë të Rajonit Verilindje 3 të Brazilit në vizitën e tyre ad Limina Apostolorum. Nga relacionet baritore që i komunikohen Papës e Kuries Romake, del në pah fotografia e një zone të Brazilit, ku vërehet një vështirësi e veçantë ekonomike, së cilës duhet shtuar edhe rreziqet e shekullarizimit, që shkaktojnë rritjen e indiferencës fetare dhe shpërbërjen e indit shoqëror, madje edhe në një komb me traditë të lashtë të krishterë. Këtë konfirmon imzot Ottorino Assolari, ipeshkëv i dioqezës së Serrinha në Shtetin Bahia të Brazilit.
“Konteksti shoqëror i rajonit tonë, përveç fenomenit të përbashkët që ekziston në mbarë Brazilin, siç është për shembull globalizimi, relativizmi apo subjektivizmi fetar - që kanë errësuar vlerën e aspektit fetar në përgjithësi e jetës së krishterë në veçanti - situata shoqërore lokale, sipas mendimit tim, karakterizohet nga një nënzvhillim kulturor, nga një pasiguri ekonomike e nga shpërbërja e familjes. Kemi shumë familje që ndahet apo largohet, sepse të rinjtë e burrat shkojnë larg shtëpie në kërkim të një pune e shpesh nuk kthehen më. Prandaj mungon transmetimi i vlerave njerëzore, etike e shpirtërore nga një brez tek tjetri. Më tej nuk mund të harrojmë praninë e madhe e të fuqishme të mjeteve të komunikimit e ndikimit që janë në jetën e qytetarëve. Mediat depërtojnë e pushtojnë familjet e në realitet janë gati mjeti i vetëm i formimit të mentalitetit, të mendimit e të bindjeve. Një problem tjetër që kemi është ai sekteve fetare, që janë të shumta, e të cilat tërheqin shumë njerëz me premtime të një mirëqenie materiale e me mesazhe premtuese e joshëse. Besoj se gjendja në vend është mjaft e rëndë, mirëpo Kisha që është e vetëdijshme për këtë, dhe çka është e rëndësishme, ajo po orvatet ta përmirësojë atë duke insistuar mbi cilësinë e jetës së krishterë përmes një formimi të përshtatshëm, në mënyrë që besimtarët tanë të bëhen për shoqërinë tonë siç është tharmi për brumë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.