Më 7 shtator, kalendari kishtar përkujton Shën Regjina e Alizesh, virgjër e martire.
(07.9.2010 RV)Për Shën Regjinën (emër që në gjuhën frënge Reine ka kuptimin mbretëreshë)
kemi pak lajme. I mësojmë nga një dëshmitar, i cili pohon se e ka parë gjithçka me
sytë e vet. Shenjtorja lindi e jetoi në Alize (Gali), pranë Otunit, në shekullin
III. E ëma i vdiq në sa po e lindte. Si u rrit, iu kushtua Krishtit dhe jetoi sipas
mësimeve të Tij. Dihet se i ati, Olibri, pagan, si u mundua më kot ta bindte të hiqte
dorë nga feja e krishterë, pa ia arritur qëllimit, e burgosi e pastaj ia preu kokën.
Prej këndej kuptojmë se ishte sundimtar i Galisë së shekullit III. Vajza u martirizua
në Alize, vend ku komandanti i galëve, Verçingjetorigje u burgos nga komandanti romak,
Jul Cesari. Regjina, ndonëse ende e njomë, pranoi tmerret e martirizimit, e sigurtë
për atë që e priste. Vajza zgjodhi këtë përfundim të jetës së saj tokësore, duke e
ditur se po i hapej përpara rruga që e çonte drejt një jete më të mirë. Mbretëresha
ishte e sigurtë se do t’i jepej një mbretëri shumë më e shkëlqyer, një mbretëri e
amshuar. Në kundërshtim me lajmet e pakta për jetën e saj, kulti i Shën Regjinës
pati një përhapje të jashtëzakonshme, sidomos në Francë, në Borgonjë, në Alize, në
Flavinji e në Osnabryk të Gjermanisë. Në shekullin XVII dy qytetet e fundit nisen
të grinden, sepse secili prej tyre pohonte se kishte reliket e martires. Grindjes
i dha fund ipeshkvi i Otynit, i cili më 1693 i autorizoi të dy qytetet t’i ekspozonin
reliket e Shenjtores. Është e qartë se Regjina nderohej në Alezia që para vitit
628 e se në vitin 750 në këtë vend lartohej një bazilikë ku thuhej se ruheshin reliket
e saj. E pranë bazilikës ishte edhe një kuvend kushtuar Shenjtores. Në vitin 854 reliket
u mbartën në Flavinji, ku ruhen ende edhe zinxhirët me të cilët qe lidhur kur ishte
e burgosur. Kisha kushtuar shenjtores u ngritën pak nga pak kudo. Në shekullin
XVII kulti i saj arriti edhe në Paris, ku më 1604, pranë Kishës së Shën Eustakut,
u themelua një bashkëvëllazëri me emrin e saj: ‘Saint Reine’. Në art paraqitet
me palmën tradicionale të martirizimit, me sëpatën që u përdor për t’i prerë kokën
dhe me zinxhirët e burgut. Festa e saj që në lashtësi kremtohet më 7 shtator, datë
që shënohet edhe sot e kësaj dite në të gjithë kalendarët.