2010-09-06 15:44:25

Etërit Domenikanë bashkëpunëtorë të ngushtë të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, rrëfyestarë e udhëheqës të tij shpirtëror


At Bruno Cadoré zgjidhet Mjeshtër i ri i Urdhrit të Domenikanëve. Të pranishëm në Shqipëri që më 1240, Domenikanët qenë bashkëpunëtorë të ngushtë të Gjergj Kastriotit.
Të dielën, më 5 shtator, Fretërit e Urdhrit të Predikatarëve, të mbledhur në Kapitullin e Përgjithshëm, kanë zgjedhur eprorin e tyre të ri, Mjeshtrin e Urdhrit në personin e At Bruno Cadoré.
Kjo ditë e rëndësishme qe përgatitur me një lutje intensive të përbashkët e personale. Për tërë javën që kaloi, grupet e ndryshme gjuhësore të përbërë nga etërit pjesëmarrës të Kapitullit të Përgjithshëm, janë ballafaquar mbi identifikimin e tipareve apo identikitin e Eprorit të ri të mundshëm, që të jetë sa më shumë në përkim me situatën aktuale të Urdhrit të Domenikanëve e sidomos me sfidat që bota e Kisha paraqesin e presin nga Etërit Domenikanë.
Pas bashkëkremtimit solemn të Eukaristisë “de Spiritu Sancto”, kryesuar nga at Timothy Radcliffe, që parapriju Mësuesin e Përgjithshëm të deritanishëm at Carlos Aspiroz Costa, në udhëheqje të Urdhrit, fretërit pjesëmarrës të Kapitullit të Përgjithshëm me të drejtë vote, janë mbyllur në sallën plenare.
Në mesditë portat e sallës u hapen e sekretari i Kapitullit komunikoi që kandidati i zgjedhur me shumicë votash ka pranuar detyrën.
Pasardhësi i 86-të i shën Dominikut Guzman është At Bruno Cadorè.
Eprori i ri i Përgjithshëm i Domenikanëve, atë Cadoré është mjek e profesor i etikës mjekësore. Aktualisht është Prior (Epror) provincial i Provincës së Francës e president i turnit të Eprorëve Provincial të Evropës (IEOP).
Pas dreke, i mbarë Kapitulli kaloi nga Instituti Salesianum, ku zhvillohen punimet, në bazilikën romake të Shën Sabinës, seli e Kuries së Urdhrit të Domenikanëve, për të kremtuar Mbrëmësoren e lutjeve solemne të falënderimit drejtuar Zotit.

Sot punimet e Kapitullit të Përgjithshëm kanë vijuar punimet me takimet e komisioneve, që kanë për detyrë të përgatisin dokumentet që do të diskutohen e votohen nga asambleja. Në rend të ditës janë: studimi rreth predikimit, që është edhe karizma specifike e Domenikanëve; formimi intelektual e shpirtëror i fretërve; qeverisja e Urdhrit dhe çështje tjera si ekonomia e të ndryshme.
Punimet mbyllen më 21, me një mirupafshim në Kapitullin e ardhshëm të Përgjithshëm në vitin 2013, selia e të cilit do jetë objekt i vendimit të Etërve Kapitullarë.

E ne, dëgjues të nderuar të Radio Vatikanit, mbi domethënien e Kapitullit të Përgjithshëm të Domenikanëve dhe historinë e këtij Urdhri rregulltar në Shqipëri e ndër shqiptarë, flasim një rregulltar domenikan të veçantë, me ipeshkvin ndihmës të Tiranë-Durrësit, imzot Gjergj Frendo.
Kujtojmë se Etërit Domenikanë erdhën në Shqipëri me kërkesë të Papës së asaj kohe, në vitin 1240 e deri te dëbimi i tyre nga turqit. Mes tjerash, Domenikanët qenë bashkëpunëtorë të ngushtë të Gjergj Kastriotit Skënderbeut e njëri prej tyre qe edhe rrëfyes e atë shpirtëror i Atletit të Krishtit. Këtyre u qe besuar misioni i predikimit të Ungjillit, formimi intelektual e shpirtëror i klerit e i besimtarëve shqiptarë, si dhe mbrojtja e të vërtetave të doktrinës së krishterë nga herezitë e kultivimi i vlerave shoqërore ndër popullin shqiptar. Po më tepër të dëgjojmë intervistën me imzot Gjergj Frendo.......RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.