2010-09-05 10:25:24

Shpresa për paqe: editorial i atë Federiko Lombardit


Rifillimi i bisedimeve për Lindjen e Mesme në Uashington, javës së kaluar, zgjoi në të gjithë botën shpresa të mëdha për paqe. Pikërisht këtij argumenti ia kushton komentin javor, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, njëkohësisht, drejtor i përgjithshëm i Radio Vatikanit:
“Ndërsa fillonin në Uashington bisedimet e drejtpërdrejta ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve, nën patronazhin e Administratës amerikane, në Kastel Gandolfo, Papa priste presidentin e Izraelit, Shimon Peres, duke i shfaqur shpresën e gjallë të tij dhe të krejt Kishës, për suksesin e negociatave për “një paqe të qëndrueshme në Tokën Shenjte e në krejt rajonin”, mbi bazën e “një marrëveshjeje, që respekton aspiratat e ligjshme të të dy popujve”.
Askush s’mund ta fshehë vështirësinë e kësaj ndërmarrjeje, pas shumë përpjekjesh të dështuara e në një kontekst, ku shumë punojnë – jo vetëm me fjalë, por edhe me dhunë – për ta çuar procesin drejt falimentimit. Por, rruga e dialogut mbetet e vetmja për të ndërtuar me largpamësi të ardhmen në paqe e në drejtësi, që në të vërtetë, e duan të gjithë, pavarësisht se vuajtjet dhe urrejtja ua kanë errësuar pamjen. Është rruga që Kisha ka këshilluar gjithnjë me durim e këmbëngulje. Është rruga që Papa Benedikti XVI shpalli në udhëtimin e tij të paharrueshëm në Tokën Shenjte, vitin e kaluar, ripohuar me guxim edhe pas krizës së tmerrshme të Gazës. Për këtë guxim plot durim dëshmon edhe dedikimi i bukur, që presidenti Peres e ka shkruar personalisht, për dhuratën ofruar Papës, një menorah argjendi, simbol i Izraelit: “Shenjtërisë së Tij, Papës Benedikti XVI, Bariu që impenjohet për të na çuar në fushat e bekimeve e në fushat e paqes. Me vlerësim të madh”. Pra, impenjimit të politikanëve u shtohet impenjimi i autoriteteve të mëdha morale dhe fetare. A do të vijë më në fund paqja? Të gjithë duhet të impenjohemi për këtë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.