Benedikti XVI viziton dioqezën e Ananji-Alatrit, në gjurmët e Papës Leonit XIII
(05.09.2010 RV)Sot, Papa Benedikti XVI shkoi për vizitë baritore në Karpineto
Romano, në dioqezën e Ananji-Alatrit, me rastin e 200-vjetorit të lindjes së Papës
Leoni XIII, me origjinë nga ky vend. Fillimisht, Ati i Shenjtë përshëndeti autoritetet
në sheshin Monti Lepini, ku dëgjoi edhe fjalimet, që i drejtuan ipeshkvi i Ananji-Alatrit,
imzot Lorenco Lopa dhe kryetari i Bashkisë, Kuirino Briganti. Po në këtë vend, Papa
kryesoi më pas Meshën Shenjte, gjatë së cilës vlerësoi punën e madhe të bërë për Kishën
nga Papa Leoni XIII, protagonisti i Enciklikës “Rerum Novarum”, me të cilën hidhen
bazat e doktrinës shoqërore të Kishës Katolike. Gjatë Meshës, Benedikti XVI mbajti
në gjoks kryqin e Leonit XIII, që ruhet në Vatikan dhe përdori kelkun, që papa i atëhershëm
i pat dhuruar dioqezës. Pas përfundimit të kremtimit eukaristik, Ati i
Shenjtë përshëndeti një grup eksponentësh të bashkësisë civile e fetare dhe shkoi
në kampin sportiv “Galeoti”, ku e priste helikopteri, për t’u kthyer në rezidencën
verore të Kastel Gandolfos.