2010-09-05 17:58:41

13 vjet më parë ndërroi jetë Nënë Tereza: kremtim madhështor në Prishtinë.


Nënë Tereza e Kosova në një përqafim të paharrueshëm gëzimi dhe emocioni vëllazëror, përjetësisht të bashkuar në gjak, fe, shpresë e dashuri.
Pas kremtimeve për 100 vjetorin e lindjes, vendet më domethënëse të jetës së Nënë Terezës mbajtën përsëri ceremoni të reja, në mënyrë të posaçme të dielën më 5 shtator, ditën kur bie festa liturgjike e së Lumes shqiptare, që u nda nga kjo jetë më 5 shtator 1997.
Kalkuta, Shkupi, Roma e sidomos Prishtina, pa përmendur këtu nisma fetare e programe përkujtimore të panumërta me të cilat bota është mobilizuar për të kujtuar 13 vjetorin e lindjes për qiell të “Nënës të të varfërve”.
Në Kishën e Shën Gregorit në lagjet al Celio në Romë u mbajt kremtimi i Meshës së Shenjtë në përkujtim të së Lumes Nënë Terezë, udhëhequr nga prefekti i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, kardinali Ivan Dias. Kësaj Meshe i parapriu mbrëmja me lutje e me muzikë të shenjtë ekzekutuar nga Oratorio e Lumja Nënë Terezë e Kalkutës, kompozuar nga mjeshtri Marcello Bronzetti.
Po sigurisht që kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, qe një ndër qendrat më të rëndësishme që sot shkëlqeu në festën e së Lumes Nënë Terezë, Gonxhe Bojaxhiut. Kështu, për herë të par ë, në Kishën e re katedrale, që ende nuk është kryer në mënyrë përfundimtare, u kremtua Meshën e Shenjtë me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme besimtarësh katolikë shqiptarë të ardhur nga mbarë Kosova e vende tjera.
Eukaristinë Shenjte e udhëhoqi përfaqësuesi i Papës Benediktit XVI, imzot Zef Gashi, në bashkëkremtim me ipeshkvin e vendit, imzot Dodë Gjergjin, Presidentin e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Rrok Mirditën e shumë meshtarë e rregulltarë tjerë si dhe personalitete civile të shtetit të Kosovës e përfaqësues të bashkësive fetare të vendit.
Më hollësisht mbi kremtimet që u mbajtën këtë fund jave në Prishtinë, të ndjekim shërbimin e gazetarit Lekë Musolli.....RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.