2010-09-04 18:55:04

Nënë Tereza e kërkoi dhe e gjeti Zotin tek njeriu


E kërkoi dhe e gjeti Zotin tek njeriu, në të cilin pau vëllain e motrën në Atin qiellor.
Për të, shpresa nuk ishte pritje e kotë e pasive. Nuk ndenji kurrë duarkryq. Ishte gjithnjë në veprim, pa shqetësuar njeri, përkundrazi, duke i nxitur e duke i frymëzuar të gjithë të bëjnë diçka të mirë e të bukur për Zotin për njeriun.
Feja e saj ishte kërkim e shpresa- veprim. Prej tyre lindte dashuria e prej dashurisë - flijimi me gëzim. Nënë Tereza është dëshmitare e rrallë e Fesë, Shpresës e Dashurisë. Ajo vërtetoi se kush beson e don, vepron e jeton. Ajo na la trashëgim dëshminë se pa fe, dashuri e flijim, nuk ia vlen fare të jetosh".
Papa Gjon Pali II, që e admiroi dhe e ndihmoi vazhdimisht, e ka quajtur "dhuratë e Zotit për Kishën e për botën", për t'u kujtuar kështu të gjithëve supremacinë e dashurisë ungjillore, posaçërisht kur kjo dashuri gjen shprehjen e vet në shërbimin që i bëhet më të poshtëruarit ndërmjet vëllezërve e motrave tona.
E Nënë Tereza, që sot kemi fatin ta shikojmë në elter, na porosit: “Duajeni njëri-tjetrin, ashtu si Zoti do secilin prej jush dhe lutuni… lutuni e silleni lutjen brenda familjes, sepse familjet që luten së bashku, qëndrojnë të bashkuara. E nëse njerëzit qëndrojnë bashkë, ato do ta duan njëri-tjetrin, ashtu si Zoti e do secilin.
Ja përse këtu në shqiptarë, ne këmbëngulim shumë për të çuar lutjen, bashkimin dhe dashurinë në çdo familje. Zoti ju bekoftë të gjithëve!”
Në këtë ditë, ndër më të gëzueshmet në historinë e Kombit shqiptar, që i fal botës njërën nga shenjtoret më të mëdhá të kohëve moderne, urojmë që së shpejti pranë Nënës të të varfërve, të lartojmë në elterët tanë - disa herë të shembur e rishtas të ngritur mbi gjak e eshtra, edhe 40 martirët, për të cilët sapo është hapur çështja e beatifikimit. Gëzuar, pra, këtë ditë të madhe për të gjithë shqiptarët, pa asnjë dallim, ashtu si i desh e si punoi për ta Nëna jonë e Madhe!







All the contents on this site are copyrighted ©.