Kremtimi i festës liturgjike të së Lumes Nënë Terezë
Më 5 shtator, dëgjues të nderuar, përkujtojmë 13-të vjetorin e kthimit në shtëpinë
e Atit Qiellor të së Lumes Nënë Terezë, e pikërisht në këtë ditë, Kisha katolike kremton
edhe festën liturgjike apo fetare të së Lumes Gonxhe Bojaxhiut. Shenjtërimi heroik
i jetës së Nënë Terezës na siguron se vdekja e saj në jetën tokësore ka qenë edhe
lindja e saj përjetësisht në qiell pranë Hyjit Atë. Pra, kanë kaluar trembdhjetë
vjet nga data e 5 shtatorit të vitit 1997, kur Themeluesja e Motrave Misionare dhe
të Vëllezërve të Bamirësisë, e Lumja Nënë Terezë, ndërroi jetë e është kthyer në shtëpinë
e Atit Qiellor. Edhe salikimet e saj, kremtuar në Kalkutë të Indisë ku edhe ndërroi
jetë, që bashkuan përfaqësues të të gjitha feve e kombeve, personalitete botërore
të të gjitha fushave, të varfër e të pasur nga mbarë planeti, qenë një dëshmi e gjallë
e admirimit që gëzonte rregulltarja shqiptare e bamirësisë, e cila u përcoll për në
banesën e fundme me një kremtim që la gjurmë në historinë e shekullit. Planeti
mbarë nderonte gruan, që ia kishte mjekuar plagët të varfërve e të sëmurëve të braktisur,
duke shkelur personalisht në të katër skajet e globit, me sandalet e vjetra të rregulltares
dhe me moton e pavedkshme të Krishtit: "Në se i jepni një pikë ujë njërit prej këtyre
të vegjëlve të mi, ma keni dhënë mua!" Kudo shkoi, e Lumja Nënë Terezë u përpoq të
shuante pikërisht etjen e Krishtit në vëllai njeri të varfër e të braktisur, në këta
njerëz vëllezër e motra, Gonxhe Bojaxhiu etjen për Krishtin! Papa Gjon Pali II,
që e vlerësoi, madje e admiroi dhe e ndihmoi vazhdimisht, e quajti të Lumen Nënë Terezë
"dhuratë e Zotit për Kishën e për botën" e po kështu edhe Papa Benedikti XVI me rastin
e 100 vjetorit të lindjes që kremtuam më 26 gushtin e kaluar, e quajti të Lumen Nënë
Terezë “shembull virtytesh të krishtera e një jetë që qe dhuratë e paçmueshme për
botën”, për t'u kujtuar kështu të gjithë njerëzimit se dashuria Ungjillore qëndron
mbi të gjitha vlerat, posaçërisht kur gjen shprehjen e vet në shërbimin që i bëhet
më të përbuzurve e të nëpërkëmburve ndërmjet vëllezërve e motrave tona. Në festën
liturgjike që Kisha katolike kremton sot e që sivjet përkon me 100 vjetorin e lindjes
dhe 13 vjetorin e kthimit të Nënë Terezës në shtëpinë e Atit Qiellor, pa u ndaluar
tek imtësitë e jetëshkrimit të saj, që sot rikujtohet e kremtohet liturgjikisht në
mbarë botën, po e kujtojmë këtë gjigante të fesë, të dashurisë, të shpresës, të vëllazërimit
e të bamirësisë me fjalët e Gjon Palit II: "Nënë Tereza e Kalkutës është shembull
i jashtëzakonshëm i misionit të heshtur të bamirësisë, që lind nga kundrimi i përhershëm
i Krishtit në kryq, dëshmitare e paharrueshme e dashurisë së Zotit, që gjeti shprehjen
e vet konkrete në shërbimin e vazhdueshëm ndaj vëllezërve më të varfër e më të braktisur.
Në fytyrat e të mjerëve, Nënë Tereza pa fytyrën e Jezu Krishtit i cili, nga lartësia
e kryqit, vijon të klithë: "Kam etje!". E ajo iu përgjigj kësaj klithje hyjnore që
dilte prej buzëve të shkrumbuara nga etja e Krishtit mbi Kryq, duke ia dhuruar vetveten
pa kursim njerëzve të varfër, të braktisur, të vuajtur, të vetmuar, atyre që vdisnin
rrugësh. Duke ecur, pa u lodhur kurrë, nëpër rrugët e botës, Nënë Tereza la gjurmë
të pashlyeshme në historinë e shekullit kur jetoi: mbrojti gjithnjë e kudo, me një
guxim të pashoq, jetën e dinjitetin e njeriut; atyre që shtypeshin nën barrën e rëndë
të padrejtësisë e të harresës nga bota. Të mënjanuarve e atyre që nuk kishin shpresë,
u dha vetëdijen se nuk ishin të tepërt e të refuzuar, por ishin të zgjedhurit e Zotit,
Atit të gjithëpushtetshëm, plot dashuri e mëshirë për të gjitha krijesat e veta, e
posaçërisht për ta, siç na mësojnë Lumnitë Ungjillore. E Lumja Nënë Terezë e dëshmoi
Ungjillin e dashurisë, që ushqehet me dhurimin pa asnjë kusht të vetvetes, deri në
grahmën e fundit. Kështu do ta kujtojmë gjithmonë, duke iu lutur të ndërmjetësoi për
ne e nevojat tona pranë Atit qiellor. Sot shembulli i shkëlqyer i shërbimit të saj
bamirës është bërë burim frymëzimi për familjen e saj shpirtërore, për Atdheun e saj,
për Kishën e mbarë njerëzimin!”. Kështu pra është shprehur mes tjerash Papa Gjon
Pali II që e lartoi në nderimet e elterit Nënë Terezën më 19 tetor 2003, e ne sot
të Lumen Nënë Terezë e shikojmë me emocion të thellë e cila tanimë nga elteri nga
na porosit: “Duajeni njëri-tjetrin, ashtu si Zoti do secilin prej jush dhe lutuni…
lutuni e silleni lutjen brenda familjes, sepse familjet që luten së bashku, qëndrojnë
të bashkuara e në harmoni. E nëse njerëzit qëndrojnë bashkë, ata do ta duan njëri-tjetrin,
ashtu si Zoti e do secilin. ”Kisha është Korpi i Krishtit, është Nëna jonë”, thoshte
Nënë Tereza duke i ftuar të gjithë e posaçërisht ne sot :”ta dhurojmë vetveten me
Krishtin e për Krishtin. për të mirën e njerëzve, të të gjithë njerëzve. Lëreni Atë
të shohë me sytë tuaj, të flasë me gojën tuaj, të punojë me duart tuaja, të ecë me
këmbët tuaja, të mendojë me kokën tuaj dhe të dojë me zemrën tuaj. Ai na fton që ne
ta duam njëri-tjetrin, ashtu si na deshi Ai, deri në dhembje. Nuk na lejohet të
themi “E dua Zotin, por nuk e dua të afërmin tim”. Si mund ta duash Zotin, që nuk
e sheh, nëse nuk e do fqinjin, që e sheh, e prek, jeton me të? Përpiquni ta çoni
Zotin në familje, sepse familjet që luten së bashku qëndrojnë së bashku. Mendoj se
ne, në familjen tonë, nuk kemi nevojë për bomba apo armë që ta shkatërrojmë ose ta
sjellim paqen – duhet veç të rrimë bashkë, ta duam njëri-tjetrin, të sjellim në shtëpitë
tona paqen, gëzimin, fuqinë e pranisë së Zoti”. Kundrim e veprim, ungjillëzim
e shërbim njerëzor: kjo është ikona e Nënë Terezës që e kumtoi Ungjillin e dashurisë
së Krishtit me jetën e saj, të cilën ua dhuroi plotësisht të varfërve, e njëkohësisht
ia kushtoi lutjes drejtuar Zotit. Kush takohet me Jezusin, kush lejon të tërhiqet
prej Tij dhe është i gatshëm ta ndjekë deri në sakrifikimin e jetës, siç bëri e Lumja
Nënë Terezë, ai njeri provon personalisht sikur ka bërë edhe Krishti se vetëm “kokrra
e grurit” që bie në tokë e vdes sjell “shumë fryt”. Rruga e Krishtit është “rruga
e dashurisë së plotë që fiton kundër vdekjes. Kjo është përvoja e jashtëzakonshme,
e përjetuar nga e Lumja Nënë Terezë, Apostulle e Dashurisë, që e ndoqi Jezusin udhëve
të mjerimit të njerëzit nëpër botë. Kush jeton në Zotin që në këtë tokë, tërhiqet
e shndërrohet nga vezullimi i fytyrës së Tij Hyjnore. Këtë na dëshmon jeta dhe vepra
e së Lumes Nënë Terezë, të cilën Kisha përmes festë së saj liturgjike na e paraqet
si shembujt të ndritur dhe na fton ta ndjekim në jetën tonë të përditshme. Kjo
është përvoja e miqve të vërtetë të Zotit, shenjtërit e posaçërisht e Lumja Nënë Terezë,
që kanë njohur dhe dashur tek vëllezërit, veçanërisht tek më të varfërit dhe nevojtarët,
tek të përbuzurit e të mënjanuarit fytyrën e atij Zoti, të cilin aq gjatë e ka kundruar
me dashuri në lutje. E Lumja Nënë Terezë është për ne shembull nxitës për t’u imituar;
ajo na siguron se nëse ecim me besnikëri kësaj rruge ungjillore, rrugës së dashurisë,
edhe ne – siç thotë Psalmisti – do të mbushemi me praninë e Zotit.” Në përfundim
të këtij përkujtimi liturgjik, t’i bëjmë tonat fjalët e Papës Vojtila për të Lumen
Nënë Terezë, shqiptuar në homelinë e Meshës së Lumturimit të saj më 19 tetor 2003:“Ta
lavdërojmë këtë grua të vogël, të dashuruar me Zotin, këtë lajmëtare të përvuajtur
të Ungjillit e këtë bamirëse të palodhur të njerëzimit. Në të nderojmë një nga personalitetet
më të rëndësishme të epokës sonë. Ta pranojmë mesazhin dhe ta ndjekim shembullin e
saj”.
E tani, dëgjues të nderuar t’i dëgjojmë leximet biblike të festës
liturgjike të Lumes Nënë Terezë Nga Letra e parë e Shën Palit Apostull drejtuar
Korintasve. (1Kor.13 1-13) Dhe ja, po ju dëftoj më të shkëlqyeshmen udhë! Po
të flisja gjuhët e njerzëve e të engjëjve, por të mos kisha dashuri, nuk do të
isha asgjë ... Po të kisha dhuratën e profecisë, po të me mungonte dashuria,
nuk do të isha asgjë! DASHURIA është zemërgjërë, është e dhimshme, dashuria
nuk ka smirë, nuk mbahet më të madhe, nuk krenohet, nuk është e panjerëzishme,
nuk kërkon interesin e vet, nuk hidhrohet, nuk e mban mend te keqen, nuk i knaqet
padrejtësisë, por i gëzohet të vërtetës. Arsyton gjithqka, beson gjithçka, shpreson gjithçka,
duron gjithçka. DASHURIA NUK MBARON KURRE. Profecitë mbarojnë, gjuhët shuhen,
njohuritë marrin fund, sepse njohuria e jonë është e kufizuar, dhe e kufizuar
është profecia e jonë. ...Tani mbetet FEJA, SHPRESA E DASHURIA_këto të tria, por
më e madhja ndër to eshte DASHURIA. Fjala e Zotit! Psalmi
(96) Ty, o Zot, të qoftë nderi dhe lavdia Këndoni Zotit një këngë të
re! Mbarë toka le t’i këndojë Zotit! Kumtojeni ndër paganë lavdinë e tij, ndër
mbarë popujt mrekullitë e tija! Sepse i madh është Zoti, tejet i denjë për t’u
lavdëruar, më i përfrigueshëm se të gjitha hyjnitë! Një asgjë janë të gjithë
zotat e paganëve, kurse Zoti e ka krijuar qiellin.
Jepni Zotit, familjet
e popujve, jepni Zotit nder e fuqi, jepjani Zotit nderin e Emrit të tij! Kushtoni
dhurata e hyni në pallatet e tij.
Dridhu, o rruzull, para fytyrës së tij! Shpallni
ndër paganë: “Mbret është Zoti!” Ai e mban botën që të mos shkatërrohet; i gjykon
popujt me drejtësi.
Aleluja! Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do
të jetë shpërblimi juaj në qiell! Aleluja!
Ungjilli
(Mt 5,1-12); 31-40) Lexim i Ungjillit shenjt sipas Mateut Jezusi, kur
pa turmën, u ngjit në mal. Kur u ul, iu afruan nxënësit e tij. Atëherë mori fjalën
dhe i mësoi duke thënë: "Lum skamnorët në shpirt sepse e tyre është Mbretëria
e qiejve! Lum ata që qajnë sepse do të ngushëllohen! Lum ata që janë të butë
sepse do ta trashëgojnë tokën! Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi sepse do
të ngihen! Lum të mëshirshmit sepse do të gjëjnë mëshirë! Lum ata që janë
të pastër në zemër sepse do ta shohin Hyjin. Lum pajtuesit sepse do të quhen bijtë
e Hyjit. Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon sepse e tyre është Mbretëria
e qiejve. Të lumët ju kur t`ju shajnë e t`ju salvojnë dhe kur, për shkak timin,
t`i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë! Gëzohuni e galdoni, sepse
i madh do të jetë shpërblimi i juaj në qiell! Jo po, kështu i salvuan edhe profetët
para jush!".... “E kur të vijë Biri i njeriut në madhërinë e vet e me të gjithë
engjëjt, do të ulet mbi fronin e vet të madhërueshëm.. Atëherë para tij do të mblidhen
të gjithë popujt dhe ai do t’i ndajë njërin prej tjetrit, sikurse bariu ndan delet
prej cjepve. Delet do t’i vërë në të djathtën e vet e cjeptë në të majtën. Atëherë
Mbreti do t’u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: ‘Ejani të bekuarit e
Atit tim! Merrni në pronë Mbretërinë që u bë gati për ju që prej fillimit të botës!
Sepse pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar e më përbujtët,
isha i zhveshur e më veshët, 36 i sëmurë e erdhët të më shihni, isha në
burg e erdhët tek unë.’ Të drejtët atëherë do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të pamë
të uritur e të dhamë të hash, të etshëm e të dhamë të pish? Kur të pamë shtegtar e
të përbujtëm, të zhveshur e të veshëm? Ose, kur të pamë të sëmurë ose në burg e erdhëm
te ti?’ Mbreti do të përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin
ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua.’ Fjala e Zotit! E
tani homelinë e kesaj festa ta degjojme nga meshtari shqiptar don Marjan Paloka..........