2010-09-04 18:45:37

Fjalët e Gjon Palit II kushtuar Nënë Terezës


Homelia e Atit të Shenjtë Gjon Palit II, mbajtur gjatë kremtimit të Eukaristisë në Lumnimin e Nënë Terezës kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan


"Si Nënë e vërtetë e të varfërve, ajo vendosi t’i provojë vetë format e ndryshme të varfërisë. Madhështia e saj qëndron në aftësinë për të dhënë pa pritur shpërblim, për të dhënë “deri në dhëmbje”.
Vatikan, 19 tetor 2003

1."Kush dëshiron të jetë i pari ndërmjet jush do të jetë shërbëtori i të gjithëve" (Mc. 10, 44) . Këto fjalë të Jezusit drejtuar nxënësve, që jehuan rishtas pak më parë në këtë Shesh, tregojnë cila është rruga që çon në "madhështinë" ungjillore. Eshtë e njëjta rrugë që përshkoi vetë Krishti, deri në Kryq; një udhë dashurie e shërbimi, që përmbys çdo logjikë njerëzore. "Të jesh shërbëtor i të gjithëve!".
Nga kjo logjikë është udhëhequr Nënë Tereza e Kalkutës, Themeluese e Misionareve e Misinarëve të Bamirësisë, të cilën sot kam gëzimin ta shkruaj në Librin e të Lumturve. I jam mirënjohës personalisht kësaj gruaje guximtare, të cilën e kam ndjerë gjithnjë pranë meje. Ikonë e Samaritanit të mirë, ajo shkonte gjithandej për t’i shërbyer Krishtit ndër më të varfrit. S’kishte luftë as konflikt që ta ndalonte.
Herë pas here vinte të më fliste për përvojën e saj në shërbim të vlerave ungjillore. Kujtoj, për shembull kur,duke marrë Çmimin Nobel, pati thënë: “Në se dëgjoni se ndonjë grua nuk do ta mbajë fëmijën e saj e dëshiron ta abortojë, përpiquni ta bindni të ma sjellë mua atë fëmijë. Unë do ta dua, duke parë në të shënjën e dashurisë së Hyjit” (Oslo, 10 dhjetor 1979).


2. A s’është domethënës fakti që Lumnimi i saj ngjet pikërisht në ditën kur Kisha kremton Ditën Misionare Botërore. Me dëshminë e jetës së saj Nënë Tereza na kujton se misioni ungjillëzues i Kishës kalon përmes dashurisë e bamirësisë së krishterë, të ushqyer nga lutja e nga dëgjimi i Fjalës së Zotit. Simbol i këtij stili misionar është figura që e paraqet të Lumen e re duke shtrënguar, me njërën dorë, atë të një fëmije e, me tjetrën, Rruzaren Shenjte. Kundrim e veprim, ungjillëzim e përparim njerëzor: Nënë Tereza e kumtoi Ungjillin me jetën e saj të cilën ua dhuroi plotësisht të varfërve, e njëkohësisht, lutjes.


3. “Kush dëshiron të jetë i madh ndërmjet jush, duhet të bëhet shërbëtori juaj" (Mk. 10. 43). Me emocion të posaçëm po kujtojmë sot Nënë Terezën, shërbëtoren e madhe të të varfërve, të Kishës e të botës. Jeta e saj është dëshmi e dinjitetit dhe e privilegjit të shërbimit të përvuajtur. Ajo nuk pati vendosur të ishte thjeshtë e fundmja, por shërbëtorja e njerëzve më të fundmë. Si Nënë e vërtetë e të varfërve, ajo vendosi t’i provojë vetë format e ndryshme të varfërisë. Madhështia e saj qëndron në aftësinë për të dhënë pa pritur shpërblim, për të dhënë “deri në dhëmbje”. Jeta e saj radikale, ishte Ungjill i gjallë. Britma e Krishtit në kryq "Kam etje!" (Gjn. 19: 28), që shpreh dëshirën e thellë të Zotit për njeriun, hyri në thelb të shpirtit të Nënë Terezës dhe gjeti një tokë pjellore në zemrën e saj. Të shuash etjen e Jezusit për dashuri dhe për shpirtra njerëzore, në bashkim me Shën Marinë, Nënën e Krishtit, u bë qëllimi i vetëm i jetës së Nënë Terezës; u bë forcë e brëndshme, që e shtynte atë të mos kujdesej për vetveten dhe të vraponte papushim rreth e përqark globit për të punuar për shpëtimin dhe shenjtërimin e më të varfërve ndër të varfër.


4. “Atë që bëni për më të voglin e këtyre vëllezëve të mi, ma keni bërë mua”. (Mt. 25: 40) Kjo pjesë e Ungjillit kaq e rëndësishme për të kuptuar shërbimin e Nënë Terezës ndaj të varfërve, ishte baza e bindjes së saj, e besimit se duke prekur trupat e shkatërruar të të varfërve, prekte Korpin e Krishtit. Ajo i shërbente vetë Jezusit, të fshehur pas pamjes së mjerë të të varfërve më të varfër. Nënë Tereza zbuloi kuptimin më të thellë të shërbimit si vepër dashurie që, duke u bërë për të uriturit, të eturit, të huajtë, të zhveshurit, të sëmurët, të burgosurit, (cf. Mt. 25: 34- 36), bëhet për vetë Jezusin.
    Duke e parë atë tek të varfërit, ajo i shërbeu me devocion të thellë, dhe shprehu kështu delikatesën e dashurisë për Dhëndrrin e saj. Prandaj në dhurimin e plotë të vetvetes për Zotin dhe për të afërmin, Nënë Tereza e realizoi plotësisht vetveten dhe zbuloi cilësitë më fisnike të femërsisë së saj. Ajo donte të ishte një shenjë e dashurisë së Zotit, e pranisë së Zotit, e mëshirës së Zotit, dhe kështu na kujton të gjithëve vlerën dhe dinjitetin e secilit prej bijve të Zotit, që janë krijuar për t'u dashur dhe për të dashur. Prandaj Nënë Tereza ishte ajo që i çonte shpirtrat tek Zoti e Zotin tek shpirtrat dhe shuante etjen e Krishtit, sidomos për ata që kishin më shumë nevojë, për ata që e shikonin vagëllimthi fytyrën e Zotit, me sytë e mjegulluar nga vuajtja e dhimbja.



5. "Biri i njeriut ka ardhur për të dhënë jetën e vet në shpërblim të shumkujt" (Mc 10, 45). Nënë Tereza jetoi mundimet e Tij të dhimbshme posaçërisht në vitet e gjata "të errësirës së brëndshme". Kjo provë, të cilën ajo e pranoi si "dhuratë e privilegj", i shkaktoi dhimbje të thekshme. Në orët më të errta, ajo lutej edhe më fort para të Shenjtnueshmit Sakrament. Kjo tronditje e rëndë shpirtërore e bëri të njësohej gjithnjë më shumë me ata, të cilëve u shërbente çdo ditë, duke provuar dhimbjen e nganjëherë, dhe braktisjen. I pëlqente të përsëriste se varfëria më e madhe është të jesh i padëshirueshëm, të mos kesh njeri që kujdeset për ty.


6. “Na e jep o Zot hirin tënd, në ty shpresojmë!" Sa herë, ashtu si Psalmisti, edhe Nënë Tereza, në çastet e përhumbjes shpirtërore i përsëriti Zotit të vet. "Në Ty, në Ty shpresoj, Zoti im!"
Ta lavdërojmë këtë grua të vogël, të dashuruar me Zotin, këtë lajmëtare të përvuajtur të Ungjillit e bamirëse të palodhur e njerëzimit. Nderojmë në të një nga personalitetet më të rëndësishme të epokës sonë. Ta pranojmë mesazhin ta ndjekim shembullin e saj.
Virgjër Mari, Mbretëreshë e të gjithë shenjtërve, na ndihmo të jemi zemërbutë e të përvujtë, si kjo lajmëtare sypatrembur e dashurisë.
Na ndihmo t’i shërbejmë me gëzim e buzëqeshje çdo njeriu që takojmë. Na ndihmo të jemi
misionarë të Krishtit, paqja jonë e shpresa jonë. Amen!







All the contents on this site are copyrighted ©.