2010-09-02 16:24:22

Shpresat për rifillimin e bisedimeve të paqes në Lindjen e Mesme, në qendër të takimit të Papës me presidentin izraelit Peres


(02.09.2010 RV)Papa Benedikti XVI u takua sot paradite në Kastel Gandolfo me presidentin izraelit Shimon Peres. Bisedimet përkojnë me rifillimin e dialogut për paqe në Uashington, ku presidenti amerikan Barak Obama është ndërmjetësues për takimin e parë të drejtpërdrejtë izraelito-palestinez, pas një vit e gjysëm heshtje.
E përzemërt biseda e Shimon Peres me Atin e Shenjtë, rreth 40 minuta në anglisht, që u pasua nga takimi me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Tarçizio Bertone dhe me Sekretarin për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Dominik Mambertì.
Salla e Shtypit e Vatikanit njofton se u kujtua shtegtimi i Benediktit XVI në Tokën Shenjte, në maj të vitit të kaluar. Përsa i përket kontakteve të drejtpërdrejta ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve – vazhdon nota – u shpreh urimi të arrihet sa më shpejt një marrëveshje, që të marrë parasysh aspiratat e ligjshme të të dy popujve e të sjellë paqe në Tokën Shenjte e në të gjithë zonën. U dënua çdo formë dhune dhe u theksua nevoja e garantimit të kushteve sa më të mira të jetesës për popullsitë e rajonit. Nuk munguan argumente si dialogu ndërfetar dhe gjendja ndërkombëtare. Gjatë bisedimeve – vazhdon Salla e Shtypit – u shqyrtuan edhe marrëdhëniet ndërmjet Shtetit të Izraelit dhe Selisë së Shenjtë, si edhe ato ndërmjet autoriteteve shtetërore dhe bashkësive katolike lokale. U nënvizua kontributi i të krishterëve të Tokës Shenjte për të mirën e shoqërisë, sidomos përmes shkollave katolike.
Shimon Peres i dhuroi Papës një nga simbolet më të lashta të fesë hebraike, një Menorah argjendi, shandani tradicional me 7 qirinj, vepër e një artisti izraelit. Në të, janë stampuar fjalët e menduara nga vetë Peres:
“Shenjtërisë së Tij, Papës Benedikti XVI, Bariu që përpiqet të na çojë drejt kullotave të bekuara e drejt atyre të paqes. Me nderim të madh. Shimon Peres, President i Shtetit të Izraelit”.
Nga ana e tij, Papa i dhuroi presidentit një medalje bronxi, me diametër 14 cm, brenda një kornize mermeri. Është kopje e medaljes së vendosur nga Papa Aleksandri VII, në vitin 1657, brenda gurit të parë të kolonatit verior të Bazilikës së Shën Pjetrit. Në medalje është skalitur projekti fillestar i sistemimit të sheshit të Shën Pjetrit, menduar nga skulptori i famshëm italian, Bernini.







All the contents on this site are copyrighted ©.