2010-09-02 17:02:18

Kuvendi i Kosovës mbajti sot një seancë solemne për Nënën Terezë


Kuvendi i Kosovës mbajti sot një seancë solemne kushtuar Nënës Terezë. Seanca u mbajt me rastin e shënimit të 100 vjetorit të lindjes së nënës së madhe shqiptare, e cila ua pati kushtuar tërë jetën të varfërve dhe të sëmurëve. Në seancë morën pjesë edhe autoritetet tjera të larta shtetërore të Kosovës, si edhe drejtues e përfaqësues të misioneve ndërkombëtare e të korit diplomatik në Kosovë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në fjalimin e tij kushtuar figurës së Nënës Terezë, theksoi tiparet dhe virtytet e larta njerëzore që Nënën Terezë e bënë nënë në gjithë globin. "Populli ynë është krenar që pati fatin ta nxirrte nga gjiri i tij një humaniste me përmasa kaq të mëdha botërore. Nëna jonë e madhe me humanizmin e saj bashkoi me përkushtimin e dashurinë e saj mbinjerëzore kombe e raca.
Deri në fund të jetës, Nëna Terezë me përkushtim i shërbeu njerëzimit, pa marrë parasysh se në cilën anë të globit jetonin, pa marrë parasysh se ç’gjuhë e kombe përfaqësonin. Shëmbëlltyra e saj, me shenjtërinë e saj edhe sot, është në shërbim të të gjithëve, pa dallim”, tha Krasniqi. “Vetëm në këndvështrimin e historisë, të kulturës e të traditës sonë mund ta zbërthejmë, ta kuptojmë dhe ta shpjegojmë fenomenin e mirësisë, të dashurisë dhe të shpirtit të madh të kësaj bije të kombit tonë.
Gonxhe Bojaxhiun – që në mbarë botën njihet me emrin Nëna Terezë, e lindi e rriti dhe e madhëroi lashtësia jonë ilire–shqiptare, e nxori në dritë martirizimi ynë shumëshekullor për dashurinë njerëzore, e lartësoi përvujtëria dhe stoicizmi ynë i pashembullt, e bëri të madhe dhe të pavdekshme dashuria e pafund për njerëzimin, e veçanërisht për njerëzit në nevojë për një dorë të ngrohtë njerëzore”, tha më tutje kryeparlamentari Krasniqi.
“Nëna dhe Motra jonë u bë dhe do të mbetet Nëna e të gjithëve në hapësirën tonë tokësore e qiellore. Kjo është mrekulli, është shenjtëri, është histori që s’është parë, as dëgjuar kurrë. Është një fenomen prej te cilit përfitoi e krenohet mbarë njerëzimi, të varfrit dhe të pasurit, të mëdhenjtë dhe të vegjlit, të lirët dhe të robëruarit, të ngopurit dhe të uriturit, të shëndoshët dhe të sëmurët, të privilegjuarit dhe të përjashtuarit, besimtarët dhe jobesimtarët. Për secilin njeri, në katër anët e Globit është pasqyrë për njerëzi, për mirësi”, theksoi Krasniqi.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës tha Nëna Terezë ishte fenomen që i kishte kapërcyet të gjithë kufijtë. “Fenomeni unik i Nënës Terezë pati shtrirje në krejt rruzullin e tokës dhe e tejkaloi çdo kufi kombëtar, fetar, gjinor, racor. Me veprën e saj prej një shenjtëroreje ajo i dha jetës kuptim dhe domethënie të re”, theksoi ai.







All the contents on this site are copyrighted ©.