2010-09-01 15:26:24

Papa në audiencë të përgjithshme: roli i çmueshëm i grave në jetën e Kishës.


(01.09.2010 RV)Gratë kanë zhvilluar e zhvillojnë një rol të rëndësishëm në jetën e Kishës. Kështu pohoi sot Papa Benedikti XVI gjatë audiencës së përgjithshme mbajtur sot paradite në Kastelgandolfo, duke filluar një cikël të ri të katekizmit me paraqitjen e jetës së shën Hildegardes nga Bingen.
Një shenjte e Mesjetës, që e deshi Krishtin dhe i shërbeu Kishës në një kohë, kur si sot, ajo ishte e plagosur nga mëkatet e meshtarëve e të laikëve të vet. Me këto fjalë, Benedikti XVI përfundoi sot paradite katekizmin e së mërkurës, kushtuar Hildegardës së Bingenit, murgeshë klauzure gjermane, që ka jetuar në shekullin e parë pas vitit 1000. Papa e zhvilloi sot audiencën e përgjithshme jashtë Pallatit Apostolik të Kastel Gandolfos, para 5 mijë vetëve, dhe e përfundoi me ftesën drejtuar të rinjve, që të impenjohen për paqen e drejtësinë në botë.


Fjalët e fundit të audiencës dolën me gulsh nga zemra e Papës dhe i dhanë “tonin” një katekizmi, që kërkon gurët e çmuar në mesin e pasurive shpirtërore të Kishës - kësaj radhe të vitit 1000 - mendime të lashta, por jashtëzakonisht aktuale. Përmes reflektimeve të Benediktit XVI, sheshi i Kastel Gandolfos përjetoi kujtimin e Hildegardës së Bingenit, model pararendës i asaj “gjenie femërore”, që Gjon Pali II lavdëronte në Enciklikën “Mulieris dignitatem”. Gra, që ngritën në këmbë Kishën, nganjëherë, duke plotësuar mungesat, edhe të rënda, të hierarkisë. Kështu bëri Hildegarda…
“…me aftësinë e saj të guximshme për të dalluar shenjat e kohës, me dashurinë e saj për Gjithësinë… dashurinë për Krishtin e për Kishën e Tij, që vuante në atë kohë, e plagosur edhe atëherë nga mëkatet e meshtarëve dhe të laikëve, por e dashur edhe më shumë si Korp i Krishtit”.
Me një mënyrë të pazakontë për audiencat e përgjithshme në Kastel Gandolfo, kjo e sotmja nuk u mbajt brenda, në oborrin e Pallatit Apostolik, por jashtë, me njerëzit që u grumbulluan para portës, ku qëndronte Ati i Shenjtë, në sheshin e rrugën që çojnë drejt rezidencës verore të papëve.
Benedikti XVI përshkroi portretin e shenjtores, që jetoi në Gjermaninë e shekullit XII, ndërmjet 1098-ës dhe 1179-ës. Hildegarda e Bingenit, theksoi Papa, u dallua në dy aspekte: si eprore e kuvendit të shën Disibodos – ku hyri shumë e re e ku zëvendësoi mësuesen e saj të shumë vjetëve, motër Xhuditën – dhe si mistike, duke jetuar me përvujtëri e me përulje dhuratën e jashtëzakonshme të vizioneve të brendshme. Në rolin e saj, si eprore e kuvendit të klauzurës, vuri në dukje Benedikti XVI, ajo vuri në punë…
“…aftësitë e saj prej gruaje të kulturuar, shpirtërisht të ngritur dhe në gjendje të përballonte me kompetencë aspektet organizative të jetës së klauzurës…Stili me të cilin ushtronte autoritetin është shembullor për çdo bashkësi rregulltare: ai zgjonte shenjtërisht imitimin në praktikimin e së mirës, aq sa, siç rezulton nga dëshmitë e kohës, eprorja dhe bijat e saj bënin garë në vlerësimin e në shërbimin ndaj njëra-tjetrës”.
Gjatë viteve në krye të kuvendit, Hildegarda pati vizione mistike, që ia besoi atit të saj shpirtëror dhe një simotreje. Me kohë, pikërisht për këtë arsye, e quanin “profetja teutone”. Siç ndodh gjithmonë në jetën e mistikëve – pohoi Papa – edhe Hildegarda iu nënshtrua autoritetit të personave më të ditur për të kuptuar zanafillën e vizioneve të saj, duke pasur frikë se mos ishin fryt iluzionesh e nuk vinin prej Zotit. E bëri këtë duke iu drejtuar njërit nga personalitetet më të mëdha të kohës së vet, shën Bernardit të Kiaravales, i cili e inkurajoi. Më pas, ajo mori edhe miratimin e Papës Eugjeni III, i cili lexoi gjatë një sinodi në Treviri, një tekst të Hildegardës dhe menjëherë e autorizoi t’i shkruante vizionet dhe të fliste për to në publik:
“Miq të dashur, kjo është vula e një përvoje të vërtetë të Shpirtit Shenjt, burim i çdo karizme: personi, që i merr këto dhurata mbinjerëzore nuk lavdërohet me to, nuk i tregon me mburrje e, sidomos, tregon bindje të plotë para autoritetit kishtar. Në fakt, çdo dhuratë që jep Shpirti Shenjt është e destinuar për ndërtimin e Kishës dhe Kisha, përmes barinjve të vet, e njeh vërtetësinë e saj”.
Në përshëndetjet në gjuhë të ndryshme, Benedikti XVI iu drejtua të rinjve, që së shpejti do të impenjohen në Kongresin e tretë latinoamerikan në Venezuelë, duke i këshilluar të luten e të studiojnë, pasi kjo do t’i ndihmojë të takojnë personalisht Hyjin e të dëgjojnë Fjalën e Tij:
“Nuk do të deziluzionoheni, sepse Ai ka për të gjithë një plan dashurie e shëlbimi. Papa është me ju, ka besim tek ju, ndërsa i lutet Zotit t’ju ndihmojë të jeni dishepuj të vërtetë të Jezu Krishtit, t’i jetoni vlerat e Ungjillit, t’ua përçoni me guxim të tjerëve përreth jush dhe të frymëzoheni prej tyre për të ndërtuar një botë më të drejtë e në paqe. Ia vlen të impenjoheni në këtë mision të bukur”.
Në fund, duke i bërë urimet një grupi mësuesish e nxënësish të një shkolle hungareze për fillimin e viti të ri shkollor, Papa nënvizoi rëndësinë e shkollës katolike.







All the contents on this site are copyrighted ©.