Papa: gratë të impenjohen gjithnjë më shumë në aktivitetin e Kishës.
Shembulli i shën Hildegardes “edhe në kohët tona nxit në shumë gra dëshirën e angazhimit
të tyre në veprën apostolike të Kishës”. Kështu tha sot Papa Benedikti XVI, duke
përshëndetur shtegtarët polakë të pranishëm në audiencën e përgjithshme së bashku
me mijëra besimtarë të vendeve të ndryshme, të mbajtur në Kastelgandolfo, gjatë së
cilës Ati i Shenjtë foli për figurën e shën Hildegardes nga Bingen, rregulltare benediktine
e mistike gjermane, e cila jetoi në Gjermani në shekullin XII. Duke përmendur vitin
e lindjes së shën Hildegardes (1098), Papa citoi në fillim të katekizmit Letrën Apostolike
“Mulieris dignitatem” (1989) të Gjon Palit II duke nënvizuar që në Mesjetë “disa figura
femërore spikasin për shenjtëri të jetës e pasuri mësimi”. Benedikti XVI më tej
tha se “personi që ka fituar dhurata mbinatyrore prej Zotit, nuk krenohet kurrë, nuk
i reklamon apo propagandon ato e, sidomos, tregon bindje e dëgjesë të plotë ndaj autoriteteve
kishtare. Çdo dhuratë nga Shpirti Shenjt, në të vërtet, është e caktuar e synon ndërtimin
e Kishës, e Kisha, përmes Barinjve të saj, njeh e pranon autenticitetin e këtyre dhuratave
Hyjnore”. E kjo, shtoi Benedikti XVI, është “vula e një përvoje autentike të Shpirtit
Shenjt, që është burim i çdo karizme apo dhantie”. Duke përkujtuar “prestigjin
shpirtëror” që në epokën e saj gëzonte Hildegarda, e për çka bashkëkohësit e saj e
quajtën “profetësh gjermane” , Ati i Shenjtë Racinger përfundoi katekizmin e sotëm
duke kujtuar cilësitë e ndryshme shpirtërore dhe kulturore të shenjtëreshës që jetoi
në kohë të vështira për Kishën “e lënduar prej mëkateve të meshtarëve e të laikëve”.